“Populli shqiptar është shumë më i madh se militantët”- Kulluri: Qytetarët kanë të drejtë të rebelohen, por PD ka dështuar në objektivin e vet

Feb 10, 2026 | 22:10

Analisti Edvin Kulluri duke komentuar protestën e sotme të opozitës në “Studio24”, deklaroi se qytetarët kanë të drejtë të rebelohen kur qeveria prish kontratën me ta, por sipas tij, Partia Demokratike ka dështuar të përmbushë objektivin e saj politik.

kulluri

Kulluri u shpreh se dalja në protestë me një numër të kufizuar militantësh dhe paraqitja e tyre si përfaqësues të popullit tregon mungesë legjitimiteti.

“Populli shqiptar është shumë më i madh se militantët”, tha ai, duke shtuar se vetëm një protestë masive mund të konsiderohet e suksesshme.

Sipas tij, PD ka pasur protesta të mëdha në periudhën 2014–2019, por më pas ka humbur masivitetin dhe mbështetjen qytetare.

Kulluri: Në traditën liberale dhe konservatore, kur qeveria e prish kontratën me qytetarët, populli ka të drejtë të rebelohet. Absolutisht, qeveria e ka prishur kontratën, ndaj populli ka të drejtë të reagojë.

Por, nëse del me 4 mijë militantë dhe i shet si “popull”, ke dështuar në objektivin tënd. Nëse arrin të nxjerrësh shumicën e Tiranës në protestë, atëherë je legjitim. Kur njerëzit qëndrojnë të ndarë në grupe të vogla, mesazhi dobësohet.

Protestat më të mëdha të opozitës i ka zhvilluar PD-ja në periudhën 2014–2019. Pas atij momenti, PD-ja ka hequr dorë nga masiviteti. Ata njerëz kanë të drejtë të hedhin molotov, por populli shqiptar është shumë më i madh se militantët.

Në protestë nuk del as një e katërta e Këshillit Kombëtar, as në foltore.

© Panorama.al

Te lidhura