TIRANË – Policia e Tiranës shprehet se ka ngritur pistat e para në lidhje me atentatin ndaj Dritan Avllajit, ndodhur mbrëmjen e së enjtes, megjithatë, hetuesit nuk kanë ende një person të dyshuar në lidhje me ngjarjen. Grupi hetimor është rikthyer në vendin e ngjarjes, pranë Tregut Elektrik, tek rruga “Mihal Grameno”, në Tiranë, për të pyetur dëshmitarë dhe për të gjetur prova të tjera apo gjurmë të autorëve, por asgjë nuk ka rezultuar në favor të tyre. Mesa duket, autorët e atentatit janë treguar shumë të kujdesshëm, duke mos lënë asnjë gjurmë dhe duke vepruar pa u parë nga askush në zonë. Burime nga policia thanë se dyshohet se autorët mund të jenë profesionistë, por dyshimet se ata mund të jenë banorë të zonës përreth, ka bërë që policia të patrullojë 24 orë lagjen. Kontrollet e policisë janë kryer gjatë këtyre ditëve, që prej mbrëmjes së të enjtes kur ndodhi ngjarja, në të gjithë zonën nga “Rruga e Elbasanit”, tek Tregu Elektrik, “Ali Demi”, Shkozë e Kodra e Priftit. Burimet sqaruan se deri tani kanë një person të dyshuar, por shprehen të rezervuar në lidhje me drejtimin që ka marrë hetimi i ngjarjes dhe motivet se, përse persona të caktuar kanë tentuar vrasjen e biznesmenit Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri. Edhe gjatë dy ditëve të fundit, grupi hetimor ka vazhduar me pyetjen e dëshmitarëve, nëse mund të kenë parë lëvizje të dyshimta, gjatë natës kur Tan Lepri u plagos me një plumb në shpatull, por personat që kanë dëshmuar në polici, nuk kanë dhënë ndonjë ndihmesë në lidhje me ngjarjen.
© Panorama.al












