Holanda ka fituar bindshëm në transfertën e mbrëmjes së djeshme në Budapest ndaj Hungarisë si në gola dhe në lojë. Skuadra e Bert van Marvjik arriti të shënojë katër herë ndaj vendasve të drejtuar tashmë nga Sandor Egervari (deri në 2010-n drejtoheshin nga holandezi Ervin Koeman). “Tulipanët”, nënkampionë të botës, kaluan në avantazh që në pjesën e parë falë një goli të Rafael Van der Vart, i cili realizoi në minutën e 8-të të ndeshjes. Në pjesën e parë shënoi edhe Ibrahim Afelaj duke dyfishuar rezultatin dhe duke siguruar në një farë mënyre fitoren e holandezëve. Ndërsa në fraksionin e dytë të lojës erdhën edhe dy golat e tjerë me autorë Dirk Kajt (54’) dhe Robin Van Persi (62’). Me këtë fitore Holanda arriti të siglojë pesë rezultate radhazi pozitive (pesë fitore) duke kryesuar me pikë të plota grupin E. Pas saj në renditje vijnë Hungaria me 9 pikë, Suedia me 6 pikë (dy ndeshje më pak), Moldavia me 6 pikë (një ndeshje më pak), Finlanda me 3 pikë (një ndeshje më pak) dhe San Marino me asnjë pikë.











