Plumb në zemër gruas 18 vjeçe

Sep 2, 2011 | 10:49
Autori: Eder Haxhia

Pa mbushur një vit nga martesa, ekze-kuton gruan 18-vjeçare me një plumb në zemër.Bedrije Haxhia gjeti vdekjen mbrëmë në spitalin e Shkodrës, pak minuta pasi i shoqi e la në shkallët e urgjencës, pasi e kishte transportuar me motor në grahmat e fundit të jetës. Sipas burimeve policore, autori i vrasjes së 18-vjeçares është bashkëshorti i saj, Eder Haxhia, 24 vjeç, i cilitentoi arratisjen, për t’u arrestuar rreth mesnatës. Krimi u shënua rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, në katin e parë të konviktit të Shkollës së Mesme Industriale ku banonte familja Haxhia. Në lidhje me këtë ngjarje, Policia e Shkodrës akoma nuk ka dhënë detaje mbi motivin që e shtyu burrin t’i marrë jetën nuses së re, ndërsa

Konvikti i shkollës industriale, ku ndodhi vrasja

dyshohet paraprakisht si një krim për xhelozi. Bazuar në dëshmitë e mbledhura nga policia, një e shtënë arme e vetme është dëgjuar në ambientet e konviktit në mbrëmje, pikërisht nga dhoma që ndodhet në hyrje të shkallëve kryesore të konviktit. Banorë të konviktit, të cilët edhe ata jetojnë në të njëjtat kushte si familja Haxhia, kanë pohuar se gjatë pasdites së të enjtes ka pasur grindje mes çiftit të ri, e cila është acaruar ndërsa ka afruar mbrëmja. Në grindje e sipër, 24-vjeçari Eder Haxhia ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me një plumb në zemër gruan e tij të re. Kur ka parë se çfarë ka bërë, e ka marrë në krahë të plagosurën rëndë, e ka vendosur mbi motor dhe e ka dërguar në spitalin e Shkodrës, i cili ndodhet jo shumë larg konviktit ku ka ndodhur ngjarja. Por çdo gjë ka qenë e kotë, pasi 18-vjeçarja Haxhia ka ndërruar jetë. Bashkëshorti i saj është larguar me të shpejtë në drejtim të paditur, për t’u shpallur në kërkim për disa orë nga policia. Uniformat blu u nisën me urgjencë drejt zonës ku u raportua vrasja. Pasi është mësuar se çfarë kishte ndodhur, policia ka bërë identifikimin e autorit dhe ka filluar menjëherë nga puna për kapjen e tij. Për Drejtorinë e Policisë së Shkodrës emri i vrasësit është i njohur, pasi ai ka qenë i skeduar nga policia dhe i arrestuar edhe më parë për vjedhje me dhunë. Mësohet se çifti i ri, Bedrije dhe Eder Haxhij, nuk kishin as një vit të martuar. Ata jetonin në një prej dhomave të konviktit, ndërsa ngjitur me ta, familja e dhëndrit. Por, gjatë gjithë këtyre muajve, mes të rinjve ka pasur vetëm konflikte dhe dhunë. Personat e pyetur nga policia kanë treguar se burri kishte probleme, pasi as nuk punonte dhe herë pas here kthehej në shtëpi i pirë. Sjelljet e tij bënin që gruaja të reagonte, por që në fund burri përgjigjej dhunshëm. Konflikti i fundit për të cilin është shkaktuar dhe vrasja ka qenë xhelozia. Të pyeturit nga policia kanë pohuar se ndërsa çifti bënte shamatë mes njëri-tjetrit kuptohej se bëhej fjalë për xhelozi nga ana e burrit për gruan e re. Çifti nuk kishte fëmijë dhe në momentin e krimit askush nga familjarët e tyre nuk ndodhej në godinën e konviktit të Industriales. Në konvikt, në ato momente nuk ka pasur as studentë, për shkak të sezonit të pushimeve. Nga ana e policisë së Shkodrës kanë nisur kërkimet për të gjetur autorin e vrasjes dhe arrestuar rreth 2 orë pas ngjarjes. Pritet që të merret dëshmia e tij për të zbardhur motivin që e shtyu drejt krimit.

Autori me precedent penal
Në mars të vitit 2008, Eder Haxhia rezulton se është arrestuar pasi kërkohej për veprën penale të vjedhjes me dhunë. Ai ishte denoncuar nga një banor i lagjes “Liria” në Shkodër, sipas të cilit Haxhia i kishte marrë me dhunë një celular dhe portofolin me lekë. Pas dënimit dhe kryerjes së tij në burgun e Lezhës, Haxhia u la i lirë, për t’u shpallur në kërkim për një vepër të rëndë penale, si ajo e vrasjes së gruas së tij.

Konvikti

Familja Haxhia banonte në katin e parë të konviktit të Shkollës Industriale në Shkodër, në dy dhoma të saj. Në njërën prej dhomave jetonte Eder Haxhia me nusen e re, ndërsa në dhomën tjetër banonin prindërit e tij bashkë me një vëlla dhe një motër. Në momentin e krimit në dhomë ndodhej vetëm çifti, pasi familjarët ishin jashtë ndërtesës së konviktit. Në këtë konvikt jetojnë tri familje që kanë ardhur nga shtëpitë e fëmijëve, kanë statusin e jetimit dhe në pamundësi për të siguruar ndonjë banesë tjetër, qëndrojnë aty prej vitesh.

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura