Plehërat, si po zgjerohet gangrena te Bregu i Lumit

Mar 15, 2011 | 10:26

Është vetëm 4 minuta larg nga ish-Shkolla e Bashkuar Ushtarake. Me makinë shkohet fill.Mjafton të kthehesh majtas në rrugën që të çon në Kinostudio, sapo përfundon muri rrethues i shkollës. Shumëkujt, rrallë herë i ka rënë rruga të kalojë mbi urën e Paskuqanit apo të Babrroit. Ajo ndan zonën që mbulohet nga  komuna, prej asaj që është në vartësi të Bashkisë së Tiranës. Kufiri është pikërisht aty. Poshtë urës, zona njihet si Bregu i Lumit. Këtë të fundit, veshi na e ka zënë shpesh, sidomos kur flitet për komunitetin rom. Kemi dëgjuar për ndonjë investim në ndonjë shkollë aty pari, sidomos në kohë fushatash, kur vota e gjithkujt vlen. Qindra personave që kalojnë përditë urën, pamja nuk ua u vret aspak sytë. Një kalimtar të rastësishëm, më shumë se do ta habiste, do ta pështjellonte çka duket poshtë saj. Bregu i Lumit mund të quhet fare mirë “bregu i plehrave”. Në të dy krahët, male me mbeturina të grumbulluara. Lloj-lloj mbetjesh të tjera ikin bashkë me ujin e lumit të Tiranës, për të ngecur kushedi se ku pak më tej. Në vijë të parë ngrihen dhjetëra kasolle të romëve. Në një rreze jo më të madhe se 50 metra duken shtëpi me blloqe. Sa më shumë e hap vështrimin, të zë syri edhe ato që të paktën nga jashtë duken vila dy apo trekatëshe. Të lyera e të ndërtuara mirë. As këmbët e urës nuk duken. Në të dy krahët e saj, sheh që nga plastikat, rrobat e përdoruara e mbeturina lavatriçesh e televizorësh të konsumuar. “Ata andej që jetojnë në kodër i hedhin te ai cepi atje plehnat, ana knej i hedh poshtë. Ka kohë kjo punë. Se mos don me ja dit njeri”, na thotë në dialekt verior një prej banorëve. Kjo është panorama që të ofrohet nga sipër urës. Nisemi të shohim çfarë bëhet poshtë.
Te “bregu i plehrave”
Një kthesë pas urës, rruga është e shtruar. Për të zbritur për te vatra e mbeturinave, banorët të këshillojnë të shkosh më këmbë. Është afër, por makina kalon me vështirësi. Gjithsesi, pamja këtu është më e qartë. Jemi në mes të një gangrene mbetjesh. Për fat të keq, të tilla ka jo pak. Por, kjo e fundit me përmasa që rriten çdo ditë. Në një rreze të paktën më shumë se 200 metra ka vetëm plehra. Dy fëmijë të vegjël romë gërmojnë mes mbeturinave. Përballë duken kasollet, diku më poshtë një qen kërkon ushqim. “Jo, jo, ne jetojmë nga ana tjetër, por këtu erdhëm për të gjetur gjëra”, na thonë fëmijët kur i pyesim se çfarë bëjnë mbi plehra. Një urë e vogël druri bashkon dy anët e lumit. Të ecësh mbi të duhet bërë kujdes se mund edhe të rrëshqasësh poshtë. Teksa kapërcejmë në anën tjetër pyesim disa banorë sesi janë mbledhur gjithë ato mbeturina aty. “Ca i sjell lumi, të tjera vijnë, i hedhin nga shtëpitë lart”, thotë njëri prej tyre. Ai shton se as ka ardhur njeri të pyesë e të bëjë ndonjë pastrim. Përkundrazi. “Disa herë kemi parë që shkarkohen edhe plehra lart që nga ura, ose edhe këtu me makina të vogla”, thotë ai. Gjithsesi, kjo pjesë e lumit të Tiranës, që më pas bashkohet me atë të Tiranës dhe derdhet në det, është aq e ndotur sa rrezikon jo vetëm mbi 100 familjet që jetojnë ato pranë, por mbetjet që ikin me ujin janë risk për çdo centimetër tokë e ujë që përshkojnë. Këtu është fiks kufiri ndarës mes juridiksionit të Bashkisë së Tiranës dhe  Komunës së Paskuqanit. Banorët kujtojnë se i heqin plehrat nga vetja dhe as duan t’ia dinë për kazanë mbeturinash. Këtu askush s’ka ardhur të bëjë prej vitesh qoftë edhe një pastrim të zonës.

Lumi i Tiranës,13 herë më i ndotur se normat

Lana dhe lumi i Tiranës janë dy lumenj super të ndotur. Lumi i Tiranës, është 13 herë më i ndotur se normat e lejuara nga BE-ja. Fekalet të cilat duket sikur kanë zaptuar të gjithë zonën dhe duket se do të mbërrijnë deri në shtëpitë e banorëve që jetojnë në këtë zonë, pothuajse kanë mbuluar gjithçka. Studimi paraprak i gjendjes mjedisore, që u bë vitin e kaluar nga ekipi i ekspertëve të Fakultetit të Shkencave, por edhe nga Universiteti i Tiranës, nxori të dhëna alarmuese. Studimi tregoi se vlerat e nitriteve në ujërat e Lumit të Tiranës dhe ujërave urbanë që derdhen në të, janë nga 4, deri në 32 herë më të larta sesa vlerat e direktivës së BE-së, ndërsa vlerat e koliformeve të quajtura ndryshe fekale, të cilat kanë mbuluar ujërat e lumit të Tiranës, janë 13 herë më të larta se sa standardet e BE-së. Lana dhe Tirana  mbledhin ujërat e zeza të pothuajse 900 000 banoreve, ujërat industriale të zonës më të zhvilluar të Shqipërisë, si dhe mbeturinat njerëzore të gjithë Babrrusë, Bathores, Kamzës, Tiranës e Kasharit. Këta lumenj formojnë bashkë me lumin e Tërkuzës së Zezë, lumin Ishëm. Dy lumenjtë e parë, Lana e Tirana, konsiderohen aq të ndotur nga ekspertët e mjedisit, sa që nuk mund të quhen më lumenj, por kanale të ujërave tepër helmues. Gjatë rrjedhjes së tij, lumi Ishëm përshkon rrethin e Tiranës e të Durrësit, deri në grykëderdhjen e tij afër lagunës së Patokut.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura