Plani urbanistik, Tirana me shumë qendra

Jan 22, 2012 | 10:57

Tirana do të kthehet në një metropol me shumë qendra. Ky do të jetë modeli i ri i zhvillimit urban dhe atij ekonomik të kryeqytetit.

Kufijtë administrativë nuk do të ndryshojnë, por do të futet një metodologji e re e planifikimit urban, duke mos përjashtuar bashkitë dhe komunat përreth. Kjo ishte tema kryesore e diskutimeve të mbajtura në mbledhjen e radhës së grupit strategjik për planin e ri urbanistik. Grupi teknik bëri dje propozimet e tij për modelin ekonomik. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha se do të qëndrohet fort te parimi i një Tirane të gjelbër. “Qëndrojmë edhe njëherë fort, por tashmë me një vizualizim të qartë të parqeve dhe zonave të gjelbra rreth e qark Tiranës, te parimi i një Tirane të gjelbër, i një Tirane me një vijë të gjelbër, përtej së cilës kufizohet urbanizimi i konsoliduar dhe ku prioritet ka konservimi i gjelbërimit aktual dhe rikthimi i gjelbërimit përmes instrumenteve të planit urbanistik të Tiranës, duke përfshirë edhe transferimin e të drejtës së zhvillimit”, tha Basha. Sipas kryetarit të grupit teknik, Flamur Kuçi, është ndërmarrë një studim në zonat suburbane për të harmonizuar zhvillimin e këtyre rajoneve. TIRANA POLICENTRIKE Nga sa kanë konkluduar specialistët, zona e urbanizuar e Tiranës do të kufizohet në pjesën lindore nga Parku i Dajtit, në pjesën jugperëndimore nga ai që synohet të kthehet në një park periferik për qytetin e Tiranës (kodrat e Stërmasit, në Vaqarr, Farkë). Po kështu është rënë dakord të identifikohet një gjurmë në pjesën perëndimore, meqenëse pjesa perëndimore e Tiranës, ndonëse është e urbanizuar, nuk ka shërbime të mira nga pikëpamja e gjelbërimit. “Kemi rënë dakord të identifikojmë një hapësirë të mundshme, diku afër rezervuarit të Kasharit, për një mushkëri të gjelbër në pjesën perëndimore. Patjetër që është rënë dakord edhe për tri parqe qyteti, Parku i Liqenit, ai i Farkës dhe Paskuqanit, ku ditët e fundit po shihet mundësia që të lidhet edhe me liqenin e Zall-Herrit, në mënyrë që të mundësohet një park disi më i konsiderueshëm në pjesën veriore të Tiranës”, tha Flamur Kuçi. Grupi strategjik ra dakord edhe për konturimin e zonës ekonomike të Tiranës, e cila shtrihet përgjatë autostradës Tiranë –Durrës, por natyrisht, do të vazhdojë funksionimi edhe i zonave ekzistuese. Në konceptin e Tiranës policentrike, nëpërmjet konfirmimit të funksionimit të qendrave, grupi teknik ka identifikuar pjesën poshtë Stacionit të Trenit deri në lumin e Tiranës, pjesa e Fushës së Aviacionit, që mund të mbulojë pjesën perëndimore me shërbime të tipit qendër. Është identifikuar Kombinati, pjesa poshtë digës së Liqenit, që ofron potenciale të mira për shërbime të qendrës rekreacionale. Po kështu pjesa juglindore, prezenca e Qytetit Studenti dhe e një pellgu të mirë aty krijon mundësi për krijimin e një poli të tillë si dhe pjesa e spitalit “Nënë Tereza”. “Në sugjerimin tonë do të duhej edhe pak terren, pra nëse arrijmë të spostojmë Shkollën e Bashkuar dhe SHIK-un, fitojmë një terren shumë të mirë për të ofruar shtesë dhe për të krijuar një pol të ri zhvillimi që mbledh një pjesë të mirë të zonës lindore të qytetit. Kamza është në vetvete një lloj poli zhvillimi dhe një lloj qendërzimi, do të jetë e nevojshme edhe zona ekonomike në pjesën e Laknasit.

Diskutimet

Grupi strategjik ra dakord me parimet e prezantuara dhe skemën e transportit publik. Kryebashkiaku Basha vlerësoi punën e bërë deri tani. “Këto gjashtë muaj kemi diskutuar për disa tema të hartimit të planit urban dhe të zhvillimit të territorit. E rëndësishme është që diskutimi nuk është përqendruar thjesht në konceptimin e planit urban si një vizatim që u hap rrugën disa ndërtimeve, por si një debat mbi koncepte, opsione dhe orientime strategjike, veprime konkrete e modele zhvillimi, dhe jo thjesht vizatime”, tha Basha.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura