Kundërshtimin e Donald Trump ndaj aneksimit të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli e rikonfirmoi të hënën një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, në një deklaratë të publikuar përmes agjencisë së lajmeve Reuters.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë u publikua si përgjigje ndaj miratimit nga Këshilli i Sigurisë së Izraelit të një sërë masash që synojnë rritjen e ndikimit administrativ të Jerusalemit në zona të Bregut Perëndimor, të cilat palestinezët i konsiderojnë pjesë të shtetit të tyre të ardhshëm.
“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se nuk e mbështet aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli”, thuhet në deklaratë.
Në të njëjtën deklaratë, zyrtari thekson se “një Breg Perëndimor i qëndrueshëm e mban Izraelin të sigurt dhe përputhet me objektivin e kësaj administrate për të arritur paqen në rajon”, duke përsëritur qëndrimin e Uashingtonit në favor të uljes së tensioneve dhe shmangies së veprimeve të njëanshme.
Megjithatë, deklarata amerikane nuk i dënon në mënyrë të drejtpërdrejtë masat e miratuara nga Izraeli, të cilat konsiderohet se bien ndesh me Marrëveshjet e Oslos, pasi zgjerojnë kompetencat administrative të Jerusalemit në zona që ndodhen nën kontrollin e Autoritetit Palestinez.
Po ashtu, në deklaratë nuk sqarohet nëse Shtetet e Bashkuara i kanë shprehur zyrtarisht shqetësimet e tyre qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me vendimet e Këshillit të Sigurisë.
Uashingtoni ka bërë edhe më parë thirrje të ngjashme, me karakter të përgjithshëm, për ruajtjen e stabilitetit në Bregun Perëndimor, si reagim ndaj vendimeve të diskutueshme të Izraelit për zgjerimin e vendbanimeve në këtë territor, pa kaluar në një dënim të drejtpërdrejtë të këtyre veprimeve.
© Panorama.al












