Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ka reaguar pas vendimit të SHBA për të pezulluar vizat e emigrantëve me 75 vende, përfshirë edhe Shqipërinë.
Në një reagim në rrjete sociale, deputeti Balliu e drejton gishtin te Edi Rama, duke thënë se qytetarët nuk kanë asnjë faj siç bën kryeministri, por është faji i tij dhe i lidhjeve të tij me “kartelet e drogës dhe krimin e organizuar”.
Ai ironizon kreun e qeverisë teksa thotë se ai tallet me shqiptarët duke iu thënë se së shpejti do të hyjmë në BE, por nga ana tjetër, amerikanët ndërmarrin veprime të tilla.
“Ndërkohë që Edi Rama vijon të tallet me shqiptarët duke u premtuar se “së shpejti” do të integrohemi në Bashkimin Europian, sot Shqipërisë i janë pezulluar vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk ndodh për faj të qytetarëve shqiptarë, siç përpiqet gjithmonë ta justifikojë kryeministri, por për faj të drejtpërdrejtë të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me kartelet e drogës dhe krimin e organizuar.
Për të gjithë ata që deklarojnë se “të gjitha qeveritë në Shqipëri janë njësoj”, sot dua t’ua kujtoj një fakt të thjeshtë dhe të pakundërshtueshëm: në kohën e Partisë Demokratike, Presidenti i Shteteve të Bashkuara zhvillonte vizita zyrtare me ekzekutivin në Shqipëri.
Sot, shqiptarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm drejt SHBA-së.
Dallimi është i qartë. Atëherë Shqipëria kishte një qeveri që punonte për aleancën strategjike me SHBA-në dhe interesin kombëtar. Sot ka një qeveri që i shërben vjedhjes, korrupsionit dhe karteleve kriminale, duke izoluar vendin dhe ndëshkuar drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë.”, shprehet ai.












