SHBA pezulloi vizat e imigrantëve për 75 vende, në listë edhe Shqipëria me Kosovën! DASH: Do ndalojmë emigrantët e papërshtatshëm të bëhen barrë publike

Jan 14, 2026 | 18:13

Departamenti Amerikan i Shtetit do të pezullojë nga data 21 janar përpunimin e vizave të imigrantëve për shtetas nga 75 vende, përfshirë edhe Shqipërinë, në kuadër të një rivlerësimi të gjerë të procedurave të imigracionit. Vendimi synon të ndalojë hyrjen në SHBA të aplikantëve që konsiderohen të rrezikuar të kthehen në “barrë publike” për shtetin amerikan.

dash

Sipas një memorandumi të brendshëm të Departamentit të Shtetit, të siguruar nga Fox News Digital, zyrtarët konsullorë janë udhëzuar që të refuzojnë vizat në bazë të legjislacionit ekzistues, ndërkohë që po kryhet një rishikim i plotë i proceseve të shqyrtimit dhe verifikimit të aplikantëve. Pezullimi do të zgjasë për një afat të pacaktuar.

Në listën e vendeve të prekura, përveç Shqipërisë, përfshihen edhe Afganistani, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe vende të tjera si Rusia, Irani, Iraku, Egjipti, Brazili, Nigeria, Somalia, Tajlanda dhe Jemeni.

Sipas udhëzimeve të reja, zyrtarët konsullorë duhet të refuzojnë aplikantët që vlerësohen se ka gjasa të mbështeten në përfitime publike në SHBA. Në këtë vlerësim merren parasysh një sërë faktorësh, përfshirë moshën, gjendjen shëndetësore, aftësinë në gjuhën angleze, situatën financiare, historikun e përdorimit të ndihmave sociale dhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë. Raportohet se edhe aplikantët e moshuar ose mbipeshë mund të përballen me refuzim.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott, deklaroi se “Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij për të ndaluar emigrantë potencialisht të papërshtatshëm, të cilët do të bëheshin barrë publike për Shtetet e Bashkuara dhe do të shfrytëzonin bujarinë e popullit amerikan”.

Ai shtoi se emigracioni nga këto 75 vende do të ndalet përkohësisht, derisa të përfundojë rivlerësimi i procedurave të përpunimit të vizave, me qëllim parandalimin e hyrjes së shtetasve të huaj që do të përfitonin nga ndihmat sociale dhe përfitimet publike.

Ligji Amerikan për Imigracionin dhe Kombësinë u ka dhënë prej kohësh autoriteteve konsullore të drejtën të refuzojnë aplikantët për shkak të “barrës publike”. Ky koncept u zgjerua ndjeshëm gjatë administratës Trump në vitin 2019, duke përfshirë një gamë më të gjerë përfitimesh publike, por më pas u kufizua sërish nga administrata Biden në vitin 2022.

Përfshirja e Shqipërisë në këtë listë pritet të ketë ndikim te qytetarët shqiptarë që synojnë emigrimin drejt SHBA-së, duke sjellë vonesa dhe pasiguri për aplikimet e reja për viza emigrimi, të paktën deri në përfundimin e rivlerësimit nga autoritetet amerikane

© Panorama.al

Te lidhura