VLORE- Një nismë për të mbledhur 20 mijë firma nga qytetarët e mbarë vendit, për të kërkuar shfuqizimin e “Kombësisë” nga ligji për gjendjen civile, startoi nga Vlora me 9 mars. Në Sheshin e Flamurit u mblodhën organizata dhe shoqata të ndryshme, pasi sipas përfaqësuesve të tyre “vlonjatët dhe populli shqiptar nuk janë dakord me gjithçka që deformon shtetin shqiptar”. Një aktivitet i rëndësishëm është vlerësuar ky për “Aleanca kuq e zi-jo regjistrimit etnik dhe fetar”.
I ftuar në një takim të organizuar në Vlorë, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha se “Është vlerësuar si çështje shumë e rëndësishme. Këta përfaqësues nga gjithë Shqipëria kanë marrë një nismë ligjore historike, unike për vendin. Më vjen mirë që nuk po realizohet për çështje politike, por për interesat e shtetit”. Spahiu deklaroi dje se tashmë “kupa është mbushur dhe ka ardhur një moment që duhet të flasim. Dhe askush nuk mund të na ndalojë”.
Sipas tij, është rrezik i madh nëse regjistrimi i popullsisë shtrohet në një plebishit mbi baza etnike dhe fetare.“Ata që mbrojnë këtë regjistrim mbi vetëdeklarimin, nuk bëjnë gjë tjetër veçse kërcënojnë sigurinë kombëtare”. Q.B











