Iniciativa e Aleancës “Kuq e Zi” për ndryshimin e ligjit të regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare, vijoi dje në qytetin e Fushë-Krujës.Qindra qytetarë të pajisur me kartën e identitetit i kanë thënë “Jo” këtij ligji, duke nënshkruar peticionin me emrat përkatës. Mbrojtja e harmonisë fetare dhe etnike në vend është përshëndetur edhe nga banorët e Fushë-Krujës, të cilët firmosën peticionin pa asnjë hezitim. Madje, ajo që është vënë re ditën e djeshme në Fushë-Krujë, ishte dyndja e banorëve. Firmosja e peticionit ka nisur që në orën 08:00 dhe ka zgjatur deri në orën 14:00. Më parë, kanë firmosur edhe qytetarë të Vlorës, Elbasanit, Korçës, Fierit etj. Sipas përfaqësuesve të aleancës, nga 20 mijë firma të nevojshme për t’ia paraqitur Parlamentit për ndryshimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë, deri më tani janë mbledhur 50 mijë firma. Por, ata theksuan se nuk do ta ndalojnë iniciativën e tyre derisa të mbledhin edhe mijëra firma të tjera edhe në rrethe të tjera të vendit.
Në fakt, në krye të kësaj aleance ka qëndruar nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili ditën e djeshme nuk ishte i pranishëm në qytetin e Fushë-Krujës. Ai firmosi i pari peticionin në qytetin e Vlorës, duke bërë apel se, ashtu sikurse ai, të firmosin edhe qytetarë të tjera për të mbrojtur interesat e vendit tonë. Sipas tij, asnjë gjykatë evropiane nuk e ndryshon kombësinë e shtetasve të tij. Gjithashtu, Spahiu ka verbalizuar edhe situata të çuditshme në lidhje me ndryshimin e kombësisë, ku një pjesëtar i familjes rezulton shqiptar e tjetri grek. Një fakt i tillë është regjistruar në Vlorë, por ka edhe dhjetëra precedentë të tjerë, kryesisht në zonat kufitare. Gjykatat e Gjirokastrës, Përmetit, Korçës etj., kanë vendosur ndryshimin e kombësisë për qindra shtetas shqiptarë. Pikërisht një situatë e tillë bëri që nënkryetari i KLD-së të inspektonte gjykatat në fjalë dhe të kërkonte një kontroll të hollësishëm në lidhje me vendimet e dhëna. Banorët e Fushë-Krujës u shprehën dje solidarë me këtë iniciativë. Shumë prej tyre bënë apel që Parlamenti shqiptar të ndryshojë këtë ligj, i cili sipas tyre cënon interesat e vendit.
Pritet që në ditët në vijim, aleanca “Kuq e Zi”, të mbledhë firma në qytete të tjera të vendit. Ajo që është vënë re dje në Fushë-Krujë, ishte prania e mjaft të rinjve, por edhe e të moshuarve. Ata kanë pritur në radhe me kartën e identitetit në dorë për të vendosur firmën në fletën përkatëse.
20 mije
firma nevojiten për t’ia paraqitur Parlamentit si nismë qytetare për të ndryshuar ligjin për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Aleanca “Kuq e Zi”, ka mbledhur deri më tani 50 mijë firma
Spahiu firmosi i pari në Vlorë
Personi i parë që firmosi peticionin për të ndryshuar ligjin e regjistrimit të popullsisë është nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ai ftoi nga Vlora qytetarët e të gjithë vendit të ndryshojnë këtë ligj, i cili sipas tij cënon interesat e vendit tonë
FUSHE-KRUJË/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











