Përplasje në distancë Trump-Khamenei, presidenti i SHBA: Mbështes kryengritësit në Iran! Lideri suprem: Tiranët kanë rënë në kulmin e arrogancës së tyre

Jan 9, 2026 | 16:46

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, publikoi në platformën X disa fragmente nga fjalimi i tij, ndërsa vendi po përballet me 13 ditë protesta në Teheran dhe qytete të tjera të mëdha.

Ayatollah Ali Khamenei trump

86-vjeçari sulmoi ashpër presidentin amerikan Donald Trump, por edhe qytetarët iranianë që protestojnë kundër regjimit duke kërkuar liri.

“Presidenti i SHBA-së, që me arrogancë gjykon gjithë botën, duhet ta dijë se tiranët dhe sundimtarët arrogantë, si Faraoni, Nimrodi, Mohammad Reza Pahlavi (shahu) dhe të tjerë si ata, ranë pikërisht në kulmin e arrogancës së tyre. Edhe ai do të bjerë,” deklaroi Khamenei.

Duke iu referuar Venezuelës, ai tha:
“Mund të shihni se si rrethuan një vend në Amerikën Latine dhe ndërmorën veprime atje. Nuk kanë as turp dhe e thonë hapur se e bënë për naftën. Për naftën!”

Lideri suprem akuzoi gjithashtu protestuesit për sabotazh:
“Mbrëmë në Teheran dhe në disa qytete të tjera, një grup njerëzish me synime shkatërruese erdhën dhe shkatërruan ndërtesa të vendit të tyre për të kënaqur presidentin e SHBA-së dhe për ta bërë atë të lumtur.”

Ai ironizoi deklaratat e Trumpit se do të mbështesë kryengritësit në Iran:
“Presidenti i SHBA-së tha se ‘nëse qeveria iraniane bën këtë apo atë, unë do të mbështes kryengritësit’. Kryengritësit i kanë varur shpresat te ai. Nëse është kaq i aftë, le të merret me vendin e tij.”

Khamenei iu referua edhe asaj që e quajti “Lufta e 12 Ditëve”:
“Në Luftën e 12 Ditëve, më shumë se një mijë qytetarë të vendit tonë u martirizuan. Presidenti i SHBA-së tha se e kishte urdhëruar vetë. Pra, pranoi se gjaku i iranianëve është në duart e tij. Dhe tani thotë se është në anën e popullit iranian!”

Ai përfundoi me një paralajmërim të fortë:
“Të gjithë duhet ta dinë se Republika Islamike e Iranit, e themeluar me sakrificën e qindra mijëra njerëzve të ndershëm, nuk do të tërhiqet përballë atyre që sjellin shkatërrim. Populli iranian nuk do t’i tolerojë mercenarët e fuqive të huaja.”

Përshkallëzohen trazirat në Iran

Ndërkohë, situata në Iran vijon të përkeqësohet, me protestat antiqeveritare që po përhapen në shumë qytete. Raportimet flasin për dhjetëra viktima, mes tyre edhe disa oficerë të Shërbimit të Hetimeve Kriminalistike të Teheranit, të cilët u vranë gjatë natës, sipas mediave shtetërore iraniane.

Agjencia iraniane Tasnim njoftoi se disa oficerë humbën jetën pasi u sulmuan nga “protestues të armatosur”.

Në një tjetër shenjë përshkallëzimi, prokurori i Teheranit deklaroi se personat e përfshirë në akte sabotazhi dhe zjarrvënie do të përballen me dënimin me vdekje, sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane.

© Panorama.al

Te lidhura