Përmbytjet/ Prokuroria e Durrësit nis hetimet, dyshohet se nuk funksionon hidrovori! Tenderi 19 mln euro u fitua nga kompania e Petrit Kovaçit, babait i të besuarit të Belinda Ballukut

Jan 8, 2026 | 15:36

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për përmbytjet që kanë prekur disa zona të qytetit dhe vdekjes së një personi, punonjës i Ndërmarrjes Komunale. Organi i akuzës bën me dije se ka nisur hetimet për tre vepra penale, shpërdorim detyre, shkatërrimi i pronës me përmbytje dhe shkatërrimi i pronës nga pakujdesia.

belinda balluku petrit kovaci dhe emirjana sako

“Me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shkaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale. “, njofton Prokuroria.

Organi i akuzës ka dyshime se situata të jetë shkaktuar për shkak të mosfunksionimit të hidrovorit që ka kushtuar 19 milionë euro. Tenderi për hidrovorin u fitua nga bashkimi i kompanive 2T, Adriatik dhe Vëllezërit Hysa. Kompania Adriatik zotërohet në masën 50% nga Petrit Kovaçi, babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës.

“Ortaku themelues i shoqërisë është Ardjan Mustafaraj me 100% të kapitalit. Më datë 24.04.1998, u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhurimi i 50% të kuotave të kapitalit të zotëruara nga Ardjan Mustafaraj në favor të Z. Petrit Kovaçi.”, thuhet në të dhënat zyrtare në Open Data.

Petrit Kovaçi ka lidhje familjare me Ceno Klosin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe aktualisht deputet i PS në qarkun Fier. Ndërkohë, Spartak Kovaçi është pjesë e rrethit të personave të afërt me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

Ndërsa kompania 2T zotërohet në masën 20% nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, aktualisht kryetar socialist i Bashkisë së Tepelenës dhe më herët drejtues i Gardës së Republikës.

Më herët ditën e sotme, edhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilirjana Kuçana kallëzoi në SPAK bashkinë e Durrësit, ministrinë e Bujqësisë dhe Drejtorinë e Kullimit për “shpërdorim detyre”, pas përmbytjeve. Ajo u shpreh se kryebashkiakja Emirjana Sako, pas investimit rreth 19 mln euro për hidrovorin, deklaronte se Durrësi nuk do të ketë më probleme me përmbytjet.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës regjistron kryesisht procedim penal për tre vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” të parashikuar nga nenet 153, 161 dhe 248 të Kodit Penal pas përmbytjeve të ndodhura në disa rrugë të qytetit të Durrësit dhe zonat përreth tij.

Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme.

Gjendja e krijuar e cila ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.

Gjithashtu, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend.

Në këto kushte, me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale

© Panorama.al

Te lidhura