TIRANE – Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat nënshkroi dje një marrëveshje bashkëpunimi me Policinë e Shtetit për rastet e ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore. Edhe pse licenca për ushtrimin e aktivitetit nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë është marrë rreth dy vite më parë, deri dje ata nuk kishin një marrëveshje me policinë për mbështetje në ekzekutimet e vendimeve, në rastet kur do të kishte rezistencë. Por, duke filluar që nga sot, efektivat e Departamentit të Sigurisë Publike do t’u vijnë në ndihmë përmbaruesve privatë, sa herë që ata të kërkojnë prezencën e tyre për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm mes përmbaruesve dhe qytetarëve. “Nënshkrimi i aktmarrëveshjes ka për qëllim unifikimin dhe standardizimin e veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe përmbaruesve gjyqësorë privatë gjatë veprimeve procedurale, për ekzekutimin e detyrue-shëm të titujve ekzekutivë, duke garantuar standarde të etikës dhe rritjen e efikasitetit gjatë kryerjes së detyrës”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj. Nga ana tjetër, edhe kryetari i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë, Petrit Qarri, e vlerësoi këtë marrëveshje si shumë të rëndësishme në lidhje me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. “Mendoj se për qytetarët shqiptarë ka ardhur momenti për ta prekur drejtësinë që e kanë fituar përmes procesit gjyqësor”, deklaroi Qarri.











