Përjashtohet nga ekipi Bekim Kastrati

Mar 29, 2011 | 12:06

Nuk kanë fund gafat e ish-sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Bekim Kastrati. Ai është përjashtuar nga skuadra e Vupertaler ku pati shkuar vetëm gjatë merkatos së janarit, pasi ofendoi me fjalë të rënda (të paktën sipas mediave gjermane) trajnerin e skuadrës Mikael Damgen. Ngjarja ka ndodhur gjatë një ndeshje miqësore ndaj Fortunës së Dyseldorfit (2-2), kur Kastrati ka shkuar për të gjuajtur një penallti. Ai është ngacmuar nga një fans, duke reaguar në mënyrë të çuditshme. Kjo gjë nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit, i cili e ka kritikuar, por sulmuesi shqiptar (ka luajtur tre ndeshje me kuqezinjtë) është zënë me fjalë edhe me këtë të fundit. “Nuk dua fare të komentoj përjashtimin e tij”, ka pohuar Damgen për mediat gjermane. Sipas këtyre të fundit, nuk dihet sesa është dënimi që klubi i ka bërë atij dhe sesa është gjoba që do të aplikohet në raste të tilla. Kastrati është rritur në ekipet amatore në Gjermani, ku ka luajtur te FC Vegberg-Bek, Freialdenhoven, Myshegladbah II, Braunshveig, Fortuna Dyseldorf, Dinamo Dresden, Boner SC dhe së fundmi te Vupertaler.

© Panorama.al

Te lidhura