TIRANË- Deputeti socialist Sajmir Tahiri ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit për ndëshkimin e tij me përjashtim për 15 ditë nga seancat plenare. Vendimi i marrë, nga Byroja e Kuvendit në datën 10 shkurt, pas një seance sherri e grushtesh, sipas Tahirit është tërësisht antikushtetues dhe ndëshkimi i tij nuk ka qenë i merituar. Paraditen e sotme, Tahiri ka depozituar ankesën në Kushtetuese, duke pritur të dëgjojë vendimin e saj për një rast të tillë.
“Në vijim të këtij vendimi të Byrosë së Kuvendit, unë, nënshkrues i kësaj kërkese së bashku me dy kolegët Paulin Sterkaj dhe Armando Prenga, jam ndaluar të ushtroj detyrën dhe funksionin tim kushtetues të deputetit të Kuvendit nëpërmjet pjesëmarrjes në seanca plenare dhe komisionet e Kuvendit për 15 ditë kalendarike. Gjithashtu, më është ndaluar paga për të gjitha ditët e parashikuara në vendimin e Byrosë së Kuvendit. Megjithëse kërkesa e deputetëve propozues përfshinte edhe kolegë të tjerë mbi bazën e po të njëjtit argumentim, Byroja e Kuvendit mori vendim vetëm për tre nga pesë deputetët e opozitës ndaj të cilëve ishte kërkuar e njëjta masë disiplinore”, thuhet ne kerkese.
Tahiri ka shkruar se ka kerkuar të njihet zyrtarisht me arsyet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi të tilla si prishja e seancave parlamentare, etj.
“Në vijim të kërkesës drejtuar Kryetares së Kuvendit, kam pritur përgjigjen zyrtare në lidhje me motivin konkret për masën disiplinore ndaj meje, përgjigje që nuk e mora kurrë. Duke konsideruar se vendimmarrja e Byrosë së Kuvendit për përjashtimin e deputetëve të Kuvendit nga seancat plenare dhe komisioneve të Kuvendit është pasojë dhe produkt konkret i një procedimi disiplinor quasi-gjyqësor në të gjitha trajtat dhe efektet, si dhe duke konsideruar se ky proces është zhvilluar pa respektuar standardet e përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një proces të rregullt ligjor, gjykoj se është e domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të marrë në shqyrtim këtë kërkesë duke shpallur antikushtetueshmërinë dhe shfuqizuar Vendimin Nr. 10, Dt. 10.02.2011 të Kuvendit të Shqipërisë duke imponuar njëkohësisht praktikën e respektimit në të ardhmen të standardeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor edhe në vendimmarrjen e brendshme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, shkruan Tahiri.
Përjashtimi i Tahirit u bë bashkërisht me dy deputetet e tjerë të PS-së, Paulin Sterkaj dhe Armando Prenga. Gjithçka nisi pas një debati fillimisht me fjalë mes deputetit Edi Paloka dhe socialistit Paulin Sterkaj, kur ky i fundit në tentativë për të ndaluar Palokën të fliste i rrëmbeu nga dora mikrofonin. Kaq mjaftoi, që debati të acarohej. Deputeti i Lezhës Armando Prenga ka qëlluar me grusht Palokën, e pas kësaj kryetarja e Kuvendit ndërpreu seancën për disa minuta.
© Panorama.al











