Përgjimi që dënoi 3 vjet prokurorin

Mar 6, 2011 | 11:18

Prokurori u deklarua fajtor pak javë më parë nga Gjykata e Tiranës, me 3 vjet burg e 800 mijë lekë gjobë për “korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokuroreve dhe funksionareve të tjerë të organeve të drejtësisë”. Ndërsa i bashkëpandehuri i tij, avokati Pjetër Ndreca, u dënua me 6 muaj burg e 500 mijë lekë gjobë për akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Dy funksionarët e sistemit të drejtësisë u vunë nën akuzë tre vjet më parë, pas publikimit të një regjistrimi video në emisionin investigativ “Fiks-Fare”, i shfaqur më 20 shkurt të vitit 2008. Gjykata e Tiranës ka zbardhur ditët e fundit vendimin, ku shfaqet e plotë dinamika e “ndërhyrjeve” të shtetasit Zagoll Muçi, për të përfituar ulje në kërkesën e dënimit të djalit të tij, atëkohë i pandehur në Gjykatën e Kavajës. Sipas vendimit, Zagoll Muçit i ishte thënë nga avokati Ndreca se duhet t’i jepnin prokurorit 3 mijë euro, me qëllim që të ulte masën e dënimit për djalin e Muçit. Po sipas vendimit, pak ditë më pas ata i kishin dhënë prokurorit një shumë prej 2 mijë eurosh, në një lokal në Kavajë. Në vijim, Muçi i ka dhënë prokurorit edhe 500 euro të tjera në ambientet e zyrës së tij. Por më parë, ai kishte kontaktuar me redaksinë e emisionit “Fiks Fare”, të cilët e kishin pajisur me mjete përgjuese. “Mbasi kanë mbërritur në Kavajë, gazetari ka hequr orën e dorës, duke i vendosur një orë regjistruese në dorën e Zagollit, si dhe një fishë në xhepin e këmishës dhe ky i fundit është nisur drejt e tek zyra e prokurorit. I ka thënë që kam ardhur për problemin e djalit. Dua që ti të kërkosh minimumin”, thuhej në vendimin e gjykatës. Pak ditë më pas, Muçi ka shkuar sërish në zyrën e prokurorit, ku i ka thënë që nëse nuk kërkonte minimumin e dënimit për djalin e tij, duhet t’i ktheheshin paratë. “Prokurori i thotë Zagollit që yt bir mund të kërkojë dhe pafajësi, por unë nuk e bëj dot. Në këtë moment, Agron Muçi, djali i Zagollit, i cili e shoqëroi babain tek zyra e prokurorit doli jashtë dhe Zagolli i thotë Musait që t’i kthejë paratë, nëse nuk jep minimumin. Musa Mulkurti nxjerr nga xhepi i xhaketës paratë dhe ia jep Zagollit, duke ia numëruar dhe pas kësaj i thotë numëroji dhe ti. Mbasi merr paratë, Zagolli është larguar nga zyra e prokurorit duke hipur në makinën e emisionit ‘Fiks Fare’”, thuhej në vendim.

Përgjimi i prokurorit

Transkiptimi i bisedave të marra nga emisioni televiziv “Fiks Fare”, me datën 20.02.2008, ndërmjet shtetasit Zagoll Muçi dhe prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Musa Mulkurti.
Musai: Mirë je?
Zagolli: Jam pak me grip. Unë do kisha ardhur me Pjetrin, me avokatin, por ai kishte një gjyq në Fier, në orën dhjetë e kishte, erdha vetë. U mundova të vij vetë, se u turpërova atë ditë që, prandaj… Se unë një dymijëshe mblodha atë ditë, tashti jam gati, më thuaj, se dy mijë t’i dhashë.
Musai: Po.
Zagolli: Tashti, sa do të tjerat?
Musai: Për çfarë, çfarë se unë i thashë atij se sa mund të kërkoj, sa mund të kërkoj masë dënimi.
Zagolli: E ke për me më ndihmu.
Musai: Jo, jo nuk e bëj dot, shtatë vjetshin do ta kryej
Zagolli: Ti ke fëmijë vetë tashti…
Musai: Ta harroj emrin…
Zagolli: Zagoll.
Musai: Zagoll, ti e ke çun.
Zagolli: Po.
Musai: Të të rrojë.
Zagolli: Faleminderit.
Musai: Që kur dymbëdhjetë muaj, ke dymbëdhjetë herë, a pesëdhjetë herë e sjell nëpër mend si me qenë vllau im, këtë emër sot…
Zagolli: Po.
Musai: Unë i kam pesëdhjetë e pesë vjet moshë, kam njëzet vjet prokuror.
Zagolli: Po.
Musai: Kam dënu, kam dhënë pesë mijë vjet burg deri tasht.
Zagolli: Po.
Musai: Por, nuk i biet murit me kokë, nuk i biet murit me kokë ëëë dhe çfarë nuk e përmban ligji që, me e thy ligjin nuk e thyej dot unë, ti ke avokatin tat.
Zagolli: Në ke kshtu, bisedova me avokatin tim.
Musai: Prit një herë
Zagolli: Do ngeli minimumi shtatë.
Musai: Unë nuk jap dënim,unë kërkoj dënim.
Zagolli: Po, pra.
Musai: Unë jam prokuror, në emër të shtetit them që filani ka bërë këtë vepër penale, i ka katër vepra penale, katër vepra penale.
Zagolli: Po, mirë.
Musai: Dhe do kërkoj një çikë më tepër se tatshi me sakrifiku punën time, rreth tetë vjet. Fol më gjykatën, fol dhe me avokatin, fol me gjykatën, gjykata me desht e le shtatë’, mbeten pese vjet që e ka deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe nuk hyn prokurori.
Zagolli: Prokuroria është mbështetje e gjykatës.
Musai: E pra, a ke fol me I.N.?
Zagolli: Kam fol. Përgatitu më tha.
Musai: A e ke fol me I., me gjykatësin?
Zagolli: Jo, tashti jo, por të hënën kemi gjyqin?
Musai: Të hënën është kërkesa që do bëj unë.
Zagolli: Po.
Musai: Po, kërkesa që do bëj unë. Unë ato që i thashë Pjetrit atë ditë…
Zagolli: Po, po.
Musai: Tetë vjet, mbase dënimi tetë vjet, si të dalin llogaritë?
Zagolli: Po, nuk ka mundësi te shtatëshi?
Musai: Te shtatëshi, jo s’ka.
Zagolli: Se kam fol vetë, më tha dhe këtë.
Musai: Zagoll, te shtatëshi fiks nuk e bëj.
Zagolli: E ku, te tetshi?
Musai: Te tetshi.
Zagolli: Nuk mundet me e ul një çikë?
Musai: Nuk bëhet Zagoll, nuk bëhet Zagoll. Do me u prish çështja prapë, mu do me m’shkarku nga detyra edhe çështja me t’u prish prapë, me ta marr. . .
Zagolli: Nejse…
Musai: Prit, prit me ta marr dikush tjetër, me t’i dhënë pesëmbëdhjetë /me katër vepër penale po ta them Zagoll.
Zagolli: Po.
Musai: Me katër /me gjithë atë sasi gramature droge…
Zagolli: Po.
Musai: Pesëmbëdhjetë vjet ke, a kupton, pesëmbëdhjetë. Ja po të them për falsifikimin e pasaportave paska ndryshue.
Zagolli: Po.
Musai: Zagoll, ajo e kap me lehtësuese.
Zagolli: Po.
Musai: Më lehtësuese, se është prej kohesh.
Zagolli: Po.
Musai: Tani e ka dhënë katër dhjetë milionë, dyzet milionë gjobë që nuk e kap më.
Zagolli: Po, po.
Musai: Po nuk e kapi kjo rënduesja.
Zagolli: Mirë, mirë po lëre atë, a ka mundësi që . . .(pauzë)
Musai: Gjashtë muaj deri në katër vjet pashaportat.
Zagolli: Po.
Musai: Dëgjo këtu me kujdes Zagoll. Vetëm pashaportat mos me pas droga, vetëm pashaporta e fallsifiku dënohet nga gjashtë muaj deri në katër vjet pa fut drogë tjera, po gjashtë muaj, poshtë gjashtë muajshit s’ke b…. dhe me katërqind mijë deri në një milion lekë të reja, katërqind mijë i thonë katër milionë.
Zagolli: Po.
Musai: Deri në… një milion lekë gjobë, Zagollin e kap ajo tjetra qi nuk e ka këtë… dënohet dhe me gjobë, edhe të japim një dënim më të vogël, më të lehtë, kurse për tjetrën anë edhe ………………..
Zagoll: Mirë, …………
Musai: Zagoll,unë. . .
Zagolli – E mir,mir.
Musai: Unë, sytë e ballit, unë …………………… me mirë se ty Zagoll.
Zagolli: Normal, e di.
Musai: …gjynah.
Zagolli: E para herë që më ndodh kjo.
Musai: Zagoll, më vjen gjynah.
Zagolli: Unë s’jam marrë me të tilla.
Musai: Zagoll, më vjen gjynah për…
Zagolli: Po.
Musai: Pse gjynah, se…
Zagolli: Po
Musai: Po ti më le ta mbaroj muhabetin, ka dhe më të këqija dhe më të
mira…
Zagolli: Por, po…
Musai: Mos hyet e lihet sipas qejfit.
Zagolli: Po.
Musai: Dhe…
Zagolli: Po, po, po.
Musai: Në rast të kapur nga policia është
Zagolli: Po, po.
Musai: Është konsideruar armëmbajtje pa leje dhe e ka deri në pesë vjet e ka.
Zagolli: Po, po.
Musai: Dakord? Atëherë, se i ka bë fishekët, qysh u ka kap…

Përgjimi i dobët

Përgjimi i prokurorit nga “Fiks Fare” ka qenë vetëm audio dhe sipas ekspertimit, mundësia që zëri të ishte i prokurorit ka qenë i ulët. “Regjistrimi audio nuk është e regjistruar sipas parametrave tekniko – akustikë. Regjistrimi audio i kasetës video objekt ekspertimi, me një shkallë të ulët probabiliteti është zëri i shtetasit Musa Mulkurti”, thuhej në aktin e ekspertimit audio-video.

© Panorama.al

Te lidhura