HALIL RAMA
Në një takim me temë “Bashkia dhe media”, që u organizua para disa ditësh nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë në bashkëpunim me fondacionin “Hanns Seidel”, u konkludua se faqja e internetit e Bashkisë së Tiranës lë shumë për të dëshiruar, madje ajo është shumë e dobët krahasuar jo vetëm me websitin e Bashkisë Kamzë, fare pranë Tiranës, por dhe me ato të bashkive të Shkodrës, Kukësit e Rrëshenit. Nga ky fakt nuk habitet më askush, pasi Bashkia e kryeqytetit, e braktisur prej vitesh nga kreu i saj, edhe në fushën mediatike nuk ka se çfarë të evidentojë, promovojë e reklamojë nga punët e përbaltura që e kanë zhytur Tiranën në kaos total. Shkaktari i kësaj gjendjeje të mjerueshme në metropolin shqiptar, që ka humbur para së gjithash sfidën e performancës së qeverisjes vendore, kur i kanë mbetur edhe një muaj e gjysmë nga skadimi i mandatit të tij të trete, duke dashur të lajë duart si Ponc Pilati, përpiqet t’ua faturojë të tjerëve dështimin e tij në menaxhimin e punëve të Bashkisë. Tashmë atij i ka dalë jashtë kontrollit jo vetëm situata e transportit urban, por dhe ajo e menaxhimit të investimeve të shkapërdala gjithandej dhe që askush s’e di se kur do të përfundojnë. Në këtë situatë kaotike edhe vetë PS-ja po përjeton krizën më të thellë të lidershipit, ndërkohë që maxhoranca hyn e sigurt për të marrë kreun e Bashkisë së Tiranës. Garanci për këtë është vetë kandidatura potenciale e Lulzim Bashës, një ndër ministrat më të suksesshëm dhe me mbështetje të gjerë elektorale në kryeqytet. Kjo edhe për faktin se ai njihet tashmë si ministri i parë i Punëve Publike që nisi dhe drejtoi me kompetencë punimet në Rrugën e Kombit dhe po ashtu si i pari shef i Diplomacisë shqiptare që e udhëhoqi atë drejt majave, qoftë në marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në proceset e tjera integruese euroatlantike. Përballë tij, Edvin Ramën e pret disfata më e thellë më 8 maj. Fundin e tij si kryebashkiak i metropolit shqiptar, Rama e parapërgatiti me braktisjen totale që u bëri interesave të komunitetit.
Dhe, nëse këtu në kryeqytetin shqiptar kemi modelin më të shëmtuar të keqqeverisjes dhe menaxhimit të pushtetit vendor, vetëm shtatë kilometra në veri të Tiranës, një tjetër bashki jep shembullin e një transformimi rrënjësor, model për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore në rang vendi.
Para pak ditësh do të ishte ambasadorja e Çekisë në vendin tonë, znj. Marketa Fialkova ajo që gjatë një takimi me kryebashkiakun e suksesshëm Xhelal Mziu e cilësoi Kamzën si model për të gjithë rajonin. Përkundër zhurmës e qëndrimeve spekulative të lidershipit opozitar, ambasadorja Fialkova dha që nga Kamza mesazhin se Shqipëria ecën e sigurt në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Nga Kamza, numri një i Diplomacisë çeke në vendin tonë solli në vëmendjen e opinionit publik zgjedhjet e 28 qershorit, ku si ish-vëzhguese e atyre zgjedhjeve i vlerësoi ato të standardeve të larta europiane, ndërkohë që e vlerësoi këtë bashki si model jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit. Të njëjtin vlerësim konfirmoi edhe ambasadori i Austrisë, Rauning, i cili, në takimin që pati para pak ditësh me kryebashkiakun Mziu, e cilësoi Kamzën si një histori suksesi. Në të vërtetë, transformimi rrënjësor i Kamzës në këto katër vitet e fundit dëshmon para së gjithash rritjen e performancës dhe besueshmërisë së administratës të Bashkisë. Ballafaqimi me premtimet e para katër viteve nxjerr në pah jo vetëm përmbushjen e tyre, por dhe tregues të tjerë që kanë të bëjnë me parametra bashkëkohorë të një qyteti në rritje e zhvillim intensiv. Nëse para katër vitesh, shumë nga përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare e shihnin me skepticizëm bashkëpunimin më Bashkinë e Kamzës, kjo vinte nga prapambetja e trashëguar, sidomos në infrastrukturën e vetë bashkisë. Që të fitohej besimi reciprok duhej nisur pothuajse nga e para. Sfida kryesore mbeteshin burimet njerëzore. Kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, pikërisht këtë sfidë arriti të përballojë me dinjitet, duke ndërtuar një administratë të aftë profesionalisht dhe të përkushtuar, për ta bërë Kamzën një qytet të standardeve të pranuara. Kryerja e analizave me përgjegjësi, identifikimi në kohë i problematikave dhe përcaktimi i rrugëzgjidhjeve efikase sollën që në vitin e parë të mandatit të tij ndryshimin e kërkuar. Kjo shërbeu si bazë për vitet tjera, duke arritur deri te buxheti shtesë i Bashkisë i vitit të kaluar. Nga ana tjetër, rritja e cilësisë së shërbimit për tatimpaguesit dhe e besueshmërisë ndaj tyre, duke përmirësuar në këtë mënyrë klimën e biznesit apo fuqizimin e përsosmërisë së menaxhimit të resurseve të vetë bashkisë, mundësuan thithjen e investimeve në funksion të përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës rrugore e social-kulturore. Kësisoj, Kamza shërbeu dhe shërben si shembull nxitjeje e inkurajimi dhe për njësitë e tjera të qeverisjes vendore në rang kombëtar. Jo pa qëllim këtu e ka përqendruar aktivitetin e saj edhe Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, duke organizuar seminare e takime me drejtues të qeverisjes vendore nga i gjithë vendi. Rritja e performancës dhe besueshmërisë të administratës së Bashkisë është një nga shtyllat e strategjisë që ndjek kryebashkiaku Mziu, në një kontekst strategjik afatgjatë me objektiv të fundit zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e Kamzës. Në partneritet luajal me institucione e organizma prestigjiozë ndërkombëtarë si USAID, UNDP, KE, OSBE, GTZ, KfW etj., Bashkia Kamzë synon të forcojë zhvillimin ekonomik vendor nëpërmjet përmirësimit të qeverisjes dhe forcimit të pjesëmarrjes së sektorit civil dhe atij privat në zhvillimin vendor. Garantimi i një qeverisjeje vendore sa më transparente, si dhe rritja e të ardhurave nga mbledhja e tatimeve vendore, ka ndikuar në rritjen e investimeve të vetë Bashkisë dhe përmirësimin e performancës të administrimit të saj, të menaxhimit të pronës publike dhe të ofrimit të shërbimeve për komunitetin. Ky është modeli që duhet krijuar e ndjekur edhe në Bashkinë e kryeqytetit, për ta nxjerrë atë nga bataku ku e kanë zhytur Edvin Rama dhe aparatçikët e tij, ndër më të korruptuarit e botës.











