Për një orë e gjysmë “lirie” gratë e burgut 325 ndanë ca halle që s’janë tyret në “Sallën e banjës” të Inis Gjonit

Mar 13, 2011 | 12:20

E ulur ne rreshtin e fundit (atje ku ishte kufiri), hidhur m’u qesh me veten. Mu kujtua “Ditari i Brixhit Xhons 2”. Kur një tufë grash tajlandeze, të mbyllura bashkë me të në të njëjtën qeli, e pyetën se përse ishte zemëruar me të dashurin, Mark Darsin, në mendjen e saj përgjigjia ishte: Nuk më mbrojti në një takim avokatësh… Por iu duk tërësisht budallaqe, pasi dëgjoi historinë e atyre vajzave sybajame, që prisnin se ç’kishte për të thënë londinezja: “Më rrahu, më drogoi, më mori lekët… gjëra të tilla, ju e dini…”, iu desh të përgjigjej, teksa nga ana tjetër dëgjoi një ouuu keqardhjeje, por ndoshta edhe lehtësimi…
E ulur në atë rresht të fundit në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, ndjeva gati-gati të njëjtën situatë. Ato, të ulura në tri rreshta, të survejuar nga dhjetëra policë, ndërsa në skenë një femër e veshur me një këmishë të hollë, me këpucë me taka e që më pas u shtriq në një vaskë me ujë të ngrohtë, duke kënduar stonueshëm “The power of boys” (“Fuqia e djemve”). Pak minuta më përpara, ato dolën një nga një nga furgonët e policë. Kokulura, mundësisht të mos u shihej fytyra e të mos fiksoheshin nga kamerat e aparatët fotografikë. Nuk u futën si gjithë dynjaja nga dera kryesore e teatrit, por nga një derë anësore, që përdoret kryesisht nga aktorët. Ishin një grup grash, që vuajnë dënimin në Burgun 325 dhe që në këtë muaj festash, regjisorja Inis Gjoni dhe Teatri Kombëtar, kishin menduar t’u jepnin të paktën kënaqësinë e një shfaqjeje teatrore, duke qenë se nuk mund t’u jepnin më shumë. Meqenëse komedia “Salla e banjës”, e vënë në skenë nga Gjoni, është vetëm me femra dhe u drejtohet kryesisht atyre, u pa e udhës që të ishte pikërisht kjo shfaqja-dhuratë për gratë e 325-ës (se si më duket fjala “të dënuara”). Një pjesë të grave që erdhën në teatër, i kisha parë 2 vjet e ca të shkuara, kur për herë të parë Teatri Kombëtar ftoi disa syresh, për të ndjekur veprën italiane “Filumena Marturano”. Kështu që për ato që aso kohe ishte hera e parë që shkelnin në ndonjë sallë teatri, nuk ishte më e tillë. Asaj radhe kisha mundësi t’u ulesha më pranë e të shihja e të dëgjoja çdo reagim i tyre. Teksa shihnin Yllka Mujon, në rolin e Filumenës, që përpiqej me mish e shpirt t’u gjente një baba djemve të saj e t’u jepte një të ardhme, ato prekeshin, ca përloteshin.. Realitet e tyre nuk ishin shumë larg… E sigurisht edhe qeshnin me karagjozllëqet e Ben Derhemit, të cilin e mbanin mend qysh në kohën kur luante rolin e Florit tek një telenovelë e 10 viteve më parë. Kësaj here situata është ca më ndryshe. Personazhet e “Sallës së banjës” jetojnë në një botë krejt tjetër. Lulu, Mari, Koko, Enxhi dhe mama-Mumu kanë të tjera halle. Lulunë nuk e bind ngjyra e bardhë e luleve që një kandidat për burrë i ka nisur për ditëlindje, Maria është e lodhur nga jeta monotone me të shoqin, të cilin herë-herë e zë gjumi përpara televizorit, qaravitet, sepse edhe kur bëjnë seks janë po aq monotonë (i njëjti pozicion gjithmonë, qyqa…!). Të mbledhura kokë më kokë në banjën e Lulusë, që atë ditë feston të 30-at, ato flasin për jetë nate, eksperienca seksuale, flirte, ndezje epshesh, zhartierë… Kanë halle të mëdha… Ndërkaq gratë e ulura në tre rreshtat e parë të sallës së teatrit shohin… por edhe qeshin ndonjëherë, reagojnë kur aktoret e lëshojnë edhe ndonjë fjalë ashtu… si në banjë, apo ndërrojnë fustanet ngjyra-ngjyra… Po ç’kanë të përbashkët këto dy lloje grash, ato lart dhe poshtë skenës, përveç të qenit femra dhe faktit që të gjitha mendojnë se “burrat janë derra”?! Ato nuk kanë as shtëpi luksoze me vaska të mbushura me shkumë, as rroba “firmato”, as u dërgojnë lule, por nuk janë as të lira (ndonëse dikur do të jenë sërish) dhe nuk mendojnë se “burrat janë derra” për arsyet e grave të Inisit, por sepse me shumë gjasa u dhemb ende shpina nga druri. Kur komedia mbaroi, të gjitha thanë se u pëlqeu shumë dhe sërish kokulura hipën në furgonët ngjyrë blu.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura