SARANDE – Radhë të gjata në sportelet e postës dhe në zyrën e aplikimit për pasaporta biometrike dhe kartave të identitetit në Sarandë. Shkak për këtë situatë të krijuar është përfundimi afatit (5 maj) që është caktuar nga shteti grek për rifreskimin e dokumenteve të përfituesve të pensioneve greke. Qytetarë të moshuar në këto sportele thonë se e gjithë kjo ngutje nga ana e tyre vjen për shkak të një kërkese të ardhur nga shteti grek për rifreskimin e dokumenteve që ata kanë depozituar më parë në Greqi si përfitues të pensionit si minoritarë, pension ky që u jepet atyre i akorduar nga banka bujqësore greke. Ata kanë ardhur nga Greqia dhe po nxitojnë t’i plotësojnë sa më parë. Përveç dokumenteve si pasaportë biometrike, kartë identiteti dhe certifikatë personale të legalizuar në prefekturë dhe në Ministrinë e Jashtme shqiptare dhe në konsullatën greke në Gjirokastër, për herë të parë në dosjen e përfituesve të pensioneve greke, atyre u kërkohet edhe konfirmimi për marrjen e pensionit të pleqërisë edhe nga shteti shqiptar. sh.d











