Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, e sheh me shqetësim faktin që vendi po hyn në një fushatë zgjedhore shumë të acaruar politikisht. Sipas tij, kërkesat e socialistëve për marrjen e disa garancive për zgjedhjet e 8 majit, janë një mundësi e mirë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa do t’i hapnin rrugën dhe qetësimit të situatës.I pyetur rreth rikandidimit të kreut të bashkisë së Tiranës, Rama, për mandatin e katërt të tij, zoti Pëllumbi shprehet se do ishte më mirë që ai të merrej me partinë. Duke shprehur shqetësim për konfilktualitetin politik, por dhe politizimin e skajshëm të situatës, profesor Pëllumbi kërkon t’i shohë zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje administrative, që do t’i jepnin zgjidhje shumë shqetësimeve dhe halleve të përditshme të qytetarëve. Sipas tij, “politika është vendore dhe këtu bëhet fjalë për vetëqeverisjen e popullit, që ai të zgjedhë njerëzit më të mirë, jo thjesht për garë politike”.
Politika shqiptare, prej afër 2 vjetësh ndodhet në një krizë të plotë, ndërkohë po shkojmë në zgjedhje vendore. Cili është gjykimi juaj për zgjidhjen e saj dhe sa do të ndikojë kjo krizë në fushatën zgjedhore?
Është për të ardhur keq që po hyjmë në zgjedhjet vendore në kushtet e një krize politike, krizë që siç dihet e ka bazën në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Mungesa e transparencës për këto zgjedhje, pa dyshim është një handikap i madh, sepse është fjala për mungesë të theksuar besimi reciprok dhe për një situatë konfliktualiteti të zgjatur dhe të shtrirë tashmë edhe në popull. Kriza të tilla, si rregull janë shumëdimensionale dhe pasoja negative për stabilitetin e vendit dhe funksionimin e demokracisë. Kjo rrethanë duhet mbajtur mirë parasysh gjatë fushatës nga forcat politike dhe nga elektorati. Zakonisht, zgjedhjet e tensionojnë situatën vetvetiu, por kur futesh në zgjedhje, në një situatë si kjo e sotmja, mund të ndodhin zhvillime të paparashikuara, prandaj kërkohet shumë kujdes dhe nga të gjithë. Ndërsa, nëse edhe këto zgjedhje do t’i nënshtrohen manipulimit dhe nuk do të plotësojnë standardet, atëherë vetvetiu do të kishim një dështim tjetër edhe më të rëndë të qeverisjes dhe të krejt klasës politike.
Mendoni se disa kushte që parashtron PS, si rikompozimi i KQZ-së ku Presidenti të ketë një anëtar, verifikim të kartave të identitetit dhe pasaportës apo dhe certifikim i listave zgjedhore në prezencë të përfaqësuesve të PS, do të çojnë në zgjidhjen e krizës apo kriza është më e madhe se kaq?
Sigurisht, këto kushte nuk çojnë në zgjidhjen e krizës, por ato lehtësojnë zgjedhjet vendore. Prandaj, unë kam mendimin se ato janë kushte minimale, të natyrshme dhe të ligjshme të opozitës, ndërsa maxhoranca, duke i pranuar ato, jep një mesazh, një shenjë që ajo është e interesuar të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë mënyrë, ajo ndihmon veten e saj, po ndihmon edhe zgjedhjet.
Profesor, ju keni qenë Kryetar i Parlamentit, sot shohim se ky institucion është vendi ku prodhohet dhe konsumohet dhunë verbale dhe jo vetëm, mes deputetëve, dhunë që transmetohet dhe tek opinioni publik. Mendoni se kjo dhunë mund të ndihmojë në acarimin e situatës?
Patjetër që ndikon, dhe nga pyetja juaj del pikërisht që Parlamenti ka kohë që është jashtë funksionit të vet. Madje, është shndërruar nga një tribunë demokratike, ku duhet të dëgjohet zëri i popullit, përmes deputetit si përfaqësues i tij, është shndërruar në një tribunë dhune të paparë verbale, gjë që përbën një minus të madh për funksionimin e demokracisë.
Jemi pothuaj dy muaj para zgjedhjeve të 8 majit, nuk kemi ende kandidatët zyrtarë të paktën për Tiranën. Mendoni se Edi Rama duhet të rikandidojë për mandatin e tij të katërt?
Ç’është e vërteta, një farë vonese në përzgjedhjen e kandidaturave ekziston dhe shpresoj që kjo të kapërcehet sa më shpejt, tani që u miratuan dhe kriteret. Duhet të shpallen sa më shpejt kandidaturat për të përballuar qejfmbetjet, që vijnë nga njëlloj inflacioni i kandidaturave dhe që dëmton seriozisht kohezionin social, veçanërisht i domosdoshëm për rezultatin pozitiv të zgjedhjeve. Është rasti për t’u kujtuar kandidatëve të mundshëm interesin e përgjithshëm, për të mos lejuar fraksionim të votave. Kjo është shumë e rëndësishme. Për sa i përket kandidimit të zotit Rama, kam dhënë një mendim dhe para një viti, mendoj se mbase do të ishte më mirë të mos kandidonte për t’iu përkushtuar partisë. Por fakti që nuk u promovuan kandidatura të tjera, tani nuk ka zgjedhje tjetër, përveç rikandidimit të zotit Rama për kreun e bashkisë në Tiranë, sepse lufta për këtë bashki do të jetë vendimtare për të fituar në zgjedhjet vendore. Dua të them se Edi Rama është kandidatura fituese e Partisë Socialiste dhe shpreh bindjen se ai do ta fitojë këtë garë jo të lehtë.
Rikandidimi i Ramës do ta bëjë më politike këtë garë, pasi ai është dhe kryetar i PS?
Vetvetiu situata dhe zgjedhjet janë bërë politike nga vetë ngërçi politik i zgjatur. Megjithatë, kam mendimin se nuk duhet theksuar aq shumë karakteri politik i këtyre zgjedhjeve, sepse, në fund të fundit, thelbi dhe rëndësia e tyre është vendore. Politika është vendore dhe këtu bëhet fjalë për vetëqeverisjen e popullit, që ai të zgjedhë njerëzit më të mirë, jo thjesht për garë politike. Le të kujtojmë dhe O’Neillin, ish-kryetar për shumë vite i Dhomës së Përfaqësuesve, që thotë se “politika është vendore”. Për këtë duhet menduar seriozisht dhe këtu do bërë kthesa. Ky është çelësi i të bërit politikë në një shoqëri demokratike. Gjithashtu, duhet të mbajmë parasysh se tjetër është shteti dhe tjetër është shoqëria. Shoqëria gradualisht duhet të ketë nën kontroll shtetin dhe për këtë ka shumë rëndësi mënyra se si zgjidhet dhe funksionon qeverisja vendore. Nëse Amerika ka një demokraci të suksesshme, kjo është edhe sepse atje shoqëria ka arritur të ketë nën kontroll shtetin, ndërsa këtu tek ne shteti ka nën kontroll shoqërinë dhe, për fat të keq, i imponohet asaj. Madje pushteti i një maxhorance nënshtron dhe kontrollon të gjitha institucionet që, normalisht, duhet të jenë të pavarura. Një tregues i tillë nuk pajtohet me një shoqëri demokratike. Në këtë rast, njerëzve edhe pse formalisht u njihen të drejtat dhe liritë, ndër të cilat, edhe e drejta e votës, faktikisht nuk ua garanton dot. Për pasojë, shoqëria shkon në drejtim të kundërt me konsolidimin e demokracisë. Kjo është duke ndodhur tek ne dhe përbën shqetësimin tim me serioz.
Si e gjykoni kërkesën e përsëritur që këto zgjedhje të konsiderohen si zgjedhje politike dhe jo-administrative dhe a mund të kemi zgjedhje të parakohshme, nëse PS fiton shumicën e njësive vendore?
Unë e thashë që në këtë situatë të acaruar politike, këto zgjedhje marrin një ngjyrim politik. Për më tepër, mendohet se këto zgjedhje duhet të lehtësojnë edhe zgjidhjen e krizës politike. Nga rezultati i këtyre zgjedhjeve, nëse ato do të jenë të lira, duhen përcaktuar dhe qëndrimet për të ardhmen, sidomos qëndrimi ndaj zgjedhjeve të parakohshme d.m.th. do të pritet ose jo 2013 për zgjedhjet parlamentare. Në këtë kuptim, këto zgjedhje marrin një ngjyrim të theksuar politik, por asnjëherë nuk duhet harruar gjatë fushatës që këto janë zgjedhje vendore dhe që duhet një program vendor, që mban parasysh kërkesat e elektoratit, zgjidhjen e halleve dhe të shqetësimeve të tij. Nga ky këndvështrim duhet të bëhet edhe përzgjedhja e kandidatëve, që ata të jenë të aftë ta bëjnë mirë detyrën që duan të fitojnë. Pra, përsëri nuk duhet harruar pas theksimit të karakterit politik, natyra e tyre vendore. E përsëris, që politika duhet të jetë vendore, pra dhe zgjedhjet duhet të jenë vendore, edhe programet duhet të jenë vendore.
Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga ngjarjet e 21 janarit dhe ende nuk kemi një përfundim të hetimeve. Shikoni se ka zvarritje të hetimeve, duhet të kishin dalë përgjegjësit para zgjedhjeve të 8 majit?
Po, ju keni të drejtë me pyetjen tuaj. Bie në sy një lloj zvarritjeje tej logjikës së hetimit të ngjarjeve të tilla. Është shqetësues presioni i pushtetit mbi Prokurorinë, mbi organet e hetimit, por edhe këto të fundit sikur janë stepur, megjithë mbështetjen që nuk u ka munguar. Janë vrarë katër njerëz të pafajshëm, që ishin në të drejtën e tyre dhe ende flitet me fraza të përgjithshme se faji është anonim, madje hidhet sa në njërin krah në tjetrin, kur realisht dihet se ata janë vrarë me armë zjarri, të cilat kanë qenë në disa duar dhe ato duar komandoheshin nga dikush. Pra në këtë kuptim, duket se situata është fare e qartë dhe s’ka nevojë për zvarritje dhe nëse kjo zvarritje vihet në funksion të zgjedhjeve, kjo e rëndon situatën dhe përgjegjësinë. Kurrsesi nuk duhet të ndodhë si me çështjen e Gërdecit, që nesër mbush tre vjet, ku u vranë 26 vetë dhe ende askush nuk është ndëshkuar sipas ligjit. Madje dhe ata që ishin të arrestuar nën akuzë, u liruan për shkak të skadimit të afateve. Skadimi i afateve është bërë një mekanizëm dhe fajtorët dalin të padënuar. Pandëshkueshmëria tek ne po bëhet parim, duke i dhënë kështu mbështetje të padeklaruar korrupsionit shtetëror.
Kohët e fundit pas 21 janarit diplomatët e huaj në Tiranë, kam parasysh veçanërisht ambasadorin amerikan Arvizu, por dhe atij të OSBE-së Wolfarth, nuk flasim më me gjuhë diplomatike, por drejtpërdrejt, duke vënë gishtin mbi plagë. Si e shikoni pozicionimin e tyre në këtë situatë?
Bie në sy një shqetësim i përbashkët. Qëllimi i tyre është dashamirës për të gjetur zgjidhje dhe në këtë drejtim ata meritojnë mirënjohje. Por, nga ana tjetër, unë do të thosha se politikanët shqiptarë duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen. Ndërhyrja e ndërkombëtarëve mund ta lehtësojë zgjidhjen, por nuk sjell zgjidhjen e krizës. Unë mendoj se në këtë aspekt ata kanë dështuar gjatë kësaj periudhe dhe le të shpresojmë se kjo fushatë zgjedhore do të ndriçojë ndonjë aspekt që ka mbetur i errët deri tani dhe t’i japë një dritë jeshile pjesërisht për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e problemeve.
Në mbyllje të kësaj bisede, do të thosha që ka ardhur koha që zgjidhja të pritet dhe të kërkohet nga vetë zgjedhësit, të cilët duhet ta kuptojnë se janë faktori vendimtar për të kapërcyer krizën, për t’iu treguar politikanëve pakënaqësinë e vet, por dhe mbështetjen e vet përmes votës atyre që e meritojnë atë me të vërtetë. Në këtë rrafsh, ndjenja e përgjegjshmërisë së zgjedhësve për peshën e votës së tyre e mbrojtjen e saj nga “hajdutët e votave” dhe manipulatorët të kuptohet në tërë dimensionin e vet. Pra, shoqëria shqiptare duhet të tregojë veten, që e ka marrë mesazhin e demokracisë dhe është në mbrojtje të saj. Ka vend edhe për optimizëm dhe për të shpresuar se njerëzit në këto zgjedhje, do dinë të zgjedhin për veten, për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri dhe integrimin në Europën e bashkuar.
Profesori sjell librin e ri “Bashkëbisedim për politikën”
Botimi i ri “Bashkëbisedim për politikën” (Libri i dytë) i shtohet krijimtarisë së pasur të profesor Pëllumbit, duke numëruar vëllimin e 16 të botimeve të tij. Libri në formë është vazhdim i librit me të njëjtin titull, i botuar tre vjet më parë dhe synon përditësimin e politikës, analizën e procesit politik, sidomos për rolin e zbatimit të ndarjes së pushteteve dhe të parimit “chek&balance”, pa të cilin nuk mund të kuptohet funksionimi i demokracisë. Kjo i jep edhe teorisë së demokracisë dimensionin dhe vlerat e një disipline aplikative, që përpunohet mbi bazën e përvojës së gjallë. Gati të gjitha pjesët që përbëjnë përmbajtjen e librit të ri, i kushtohen drejtpërdrejt apo indirekt rolit të opozitës në një shoqëri konkrete demokratike, siç është shoqëria jonë e viteve 2008-2011. Pra, një opozitë konkrete gjatë tri viteve, që kalon peripeci të shumta përmes një ballafaqimi të gjatë me “kundërshtarët politikë” qeverisës, episode mosbesimesh, denigrimesh, kundërthëniesh, kërkimesh, por dhe të një gjendjeje herë-herë euforike dhe inatesh irracionale. Siç shprehet dhe autori në parathënien e librit, materialet e botuara në këtë libër “i përshkon një shqetësim i tillë qytetar që nuk merr përsipër të gjejë ‘fajtorin’, por të apelojë për nevojën e një ndryshimi të thellë të logjikës së mbrapshtë të konfliktualitetit, që kurrsesi nuk mund të jetë bashkudhëtare në një shoqëri demokratike normale’.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











