PD pranon hetimin e PS ndaj Topallit

Mar 17, 2011 | 10:46

Kuvendi do të miratojë sot ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e veprimtarisë së organeve të Kuvendit.Mësohet se Partia Demok-ratike ka pranuar kërkesën e bërë nga opozita, madje ka dërguar edhe emrat e anëtarëve të saj në këtë komision. Sot në Kuvend, PD-ja do të kërkojë edhe disa ndryshime në lidhje me objektin e hetimit të këtij komisioni, por do të votojë për ngritjen e tij. Kështu, burime nga PS-ja bëjnë me dije se kryetar i këtij komisioni mund të jetë Erjon Braçe, ndërsa deputetët Ilir Beqja, Arben Isaraj, Damian Gjiknuri e Saimir Tahiri do të përfaqësojnë opozitën në këtë komision. Nga ana e saj, maxhoranca do të ketë shumicën e anëtarëve, 6 nga 11 anëtarë që ka komisioni, duke filluar nga Jemin Gjana, Edmond Spaho, Arenca Trashani, Fatos Beja, Edi Paloka e Paulina Hoti. Me anë të këtij komisioni hetimor, i cili pritet të ketë një veprimtari prej 3 muajsh, do të hetohet vendimmarrja e Kuvendit që nga shërbimi për deputetët e deri tek votimi në seancat plenare. Gjithsesi, PD-ja do të paraqesë disa ndryshime teknike në kërkesën e socialistëve për ngritjen e këtij komisioni hetimor që kanë të bëjnë me pjesën e hetimit, duke tentuar të mos preket ligji për këtë institucion.
Objekti i hetimit
Sipas objektit paraprak që pritet të miratohet, nëse komisioni do të hetojë veprimtarinë e administratës së shërbimeve të Kuvendit, sipas kompetencave të përcaktuara në rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit dhe legjislacionin për ekzekutimin e buxhetit etj. “Hetimi i Byrosë së administratës së Kuvendit, në lidhje me përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës ndihmëse të Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil apo atij të punës në rekrutimin, transferimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës të personelit të administratës”, thuhet në kërkesën e dorëzuar nga PS-ja për komisionin hetimor. Në këtë kërkesë thuhet më tej se do të hetohet edhe shitja e makinave të deputetëve dhe pasojat që ka pasur në buxhet një veprim i tillë. “Hetimi i funksionimit të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ata kryejnë dhe shpërndarja e punës në komisione, zbatimi i kërkesave ligjore për respektimin e procedurave në shqyrtimin e projektligjeve si dhe emërimet e Kuvendit në institucionet dhe entet në varësi të tij si dhe hetimi i integritetit dhe eficencës së sistemit të votimit elektronik të Kuvendit”, thuhet në kërkesë.

Anëtarët e komisionit

Erjon Braçe         (kryetar)
Ilir Beqja             PS
Saimir Tahiri        PS
Damian Gjiknuri        PS
Arben Isaraj         PS
Jemin Gjana        PD
Edmond Spaho        PD
Arenca Trashani         PD
Fatos Beja        PD
Edi Paloka        PD
Paulina Hoti        PD

Hetim edhe makinave të deputetëve

Sipas kërkesës së dorëzuar nga Partia Socialiste, do të ketë edhe një hetim për mënyrën se si janë shitur makinat e deputetëve dhe se si janë administruar fondet e përfituara nga shitja e tyre. “Hetim procedurave të vlerësimit dhe tjetërsimit të mjeteve të transportit në pronësi të Kuvendit dhe pasojat financiare që ato kanë sjellë në buxhetin e shtetit”, thuhet në kërkesë. Komisioni hetimor do të bëjë edhe propozime për ndryshime të nevojshme në rregulloren e Kuvendit. “Propozimi i ndryshimeve të nevojshme legjislative dhe organizative me qëllim korrigjimin e mangësive të konstatuara, duke synuar mirëfunksionimin e Kuvendit dhe shërbimeve të tij”, arsyetohet në kërkesën e PS-së.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura