PD mbyll bisedimet, nis prezantimi i kandidatëve

Mar 21, 2011 | 10:39

Partia Demokratike mbyll bisedimet me aleatët për të dalë së bashku në zgjedhjet lokale. Pas më shumë se dy javë bisedimesh, negociatorët e PD-së kanë caktuar me 21 parti të tjera të gjitha detajet e ndarjes së bashkive dhe komunave dhe pritet që në ditët e ardhshme të nënshkruhet pakti publikisht.”Aleanca për qytetarin” është koalicioni më i madh që ka nënshkruar ndonjëherë PD-ja, me 7 parti më shumë sesa në procesin elektoral të dy viteve më parë. Gazeta publikon sot listën e bashkive që ka marrë LSI-ja, emrat e bashkive dhe komunave që ka marrë PR-ja dhe PDIU. Në përfundim të negociatave, LSI mori 10 bashki dhe një numër të madh komunash. Ndërkohë që vetëm ditët e fundit është konfirmuar që Bashkia e Fierit dhe ajo e Beratit do të jenë të PD-së dhe nuk do t’u jepen aleatëve. Partia Republikane, e treta e koalicionit për nga numri i votave, ka marrë dy bashki, Poliçanin dhe Manzën, si dhe 9 komuna, shumë prej të cilave i ka pasur edhe në 2007. Ndërsa Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka konfirmuar minibashkinë nr. 7, ku do të kandidojë ish-futbollisti i Tiranës, Krenar Alimehmeti, bashkitë Konispol, Patos, Cërrik, komunat Gosë, Markat, si dhe disa komuna të tjera. Vetëm LSI, PR e PDIU do të kenë bashki e komuna të lira, ndërsa partitë e tjera do të kenë siglën në emrin e kandidatëve të PD-së, njësoj si në vitin 2007.
Fushata
“Aleanca për qytetarin”, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike, ka nisur dje fushatën elektorale, teksa ka bërë edhe prezantimin e kandidatit të parë të saj. Durim Hushi, i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe i mbështetur nga Partia Demokratike, u prezantua dje në Elbasan, në një takim ku merrnin pjesë kreu i grupit të punës i PD-së, Arben Imami, kreu i LSI-së, Ilir Meta, si dhe krerët e partive të koalicionit. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se politika e opozitës do të dënohet me votë në 8 maj. “Këto janë zgjedhje administrative dhe jo politike. Kjo do të thotë që këto zgjedhje kanë të bëjnë me problemet të ndryshme si me përmirësimin e infrastrukturës, ato që kanë të bëjnë me shëndetin e fëmijëve dhe të çdo qytetari, që kanë të bëjnë me ambientin, kanalizimet, administrimin e mbetjeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me hapësirat e gjelbërta, me këndet për fëmijët sepse gjithmonë e më pak është menduar për to dhe probleme që kanë të bëjnë edhe me shumë probleme të tjera sociale të përditshme, pra kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve”, tha Meta në takimin e djeshëm. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, njëherësh kryetari i grupit të punës së PD, në qarkun e Elbasanit tha se fushata e koalicionit të djathtë do të jetë model. “Duhet të bëjmë një fushatë model, në votim, në numërim dhe në qeverisjen e mirë të qytetit. Kjo është një fushatë për qytetarin, dhe kryetari do të jetë i tyre. Do të varet nga vota e qytetarëve të Elbasanit, nëse do të votojnë pro koalicionit. Atëherë Elbasani do të jetë afër metropolit, ndaj qytetarët duhet të votojnë për koalicionin ‘Aleanca për qytetarët'”, tha Imami. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, dhe ai i PLL-së, Ekrem Spahia, të cilët janë shprehur se “Aleanca për qytetarin” është një koalicion vlerash dhe me kandidatë fitimtarë, të cilët do fitojnë bindshëm kundrejt opozitës. Ata kanë vënë theksin tek domosdoshmëria e mbështetjes nga ana e koalicionit për kandidatët. Ndërsa kandidatu Durim Hushi ka theksuar se motoja e tij gjatë fushatës ashtu sikurse quhet dhe koalicioni i mazhorancës do të jetë “me qytetarin dhe për qytetarin”.

Berisha: Do t’u përkushtohemi qytetarëve

Kryeministri Sali Berisha ka bërë dje homazhe në nderim të kryetarit të bashkisë së Sukthit, Yrjan Hasani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 43-vjeçare. Pasi ngushëlloi familjarët dhe të afërmit e Hasanit, Berisha tha se “erdha të shpreh nderimin tim më të thellë, dhimbjen, pikëllimin, për ndarjen shumë të parakohshme nga jeta të mikut, veprimtarit të shquar e të vendosur të Partisë Demokratike, qeveritarit vendor të talentuar, Qytetarit të Parë të Sukthit, kryetarit të bashkisë Yrjan Hasani, i cili punoi me aq përkushtim dhe dashuri për projektin e ndërtimit të kësaj bashkie, transformimit të saj dhe të shndërrimit në një vend më të mirë për të gjithë qytetarët”. Sipas kreut të ekzekutivit “e tërë kjo periudhë do të jetë për ne periudhë përkushtimi total ndaj problematikës së qytetarëve dhe të komuniteteve. Ne qëndrojmë dhe do qëndrojmë njëlloj si miku ynë, që u nda nga ne, me të gjithë forcën dhe potencialin për të përmbushur interesat më të mira të qytetarëve dhe komuniteteve ku ata jetojnë”.

PD, kandidatët deri në 24 mars

Partia Demokratike ka vendosur që të zyrtarizojë kandidatët e saj për bashkitë dhe komunat deri në 24 mars. Brenda kësaj dite, të gjitha degët e demokratëve duhet të kenë sjellë në selinë qendrore emrat e kandidatëve, ku pritet të jepet edhe verdikti përfundimtar për secilën bashki dhe komunë. Ndërkohë që, brenda 22 marsit do të vendoset lista e këshilltarëve në të 384 njësitë qendrore, përpara se ato të dërgohen në KZAZ-në e secilës njësi.

Bashkitë e aleatëve

Bashkitë e LSI
Lezhë
Elbasan
Gjirokastër
Pogradec
Lushnjë
Përmet
Orikum
Rrogozhinë
Erseka
Çorovodë

Zonat e PR
Poliçan
Manëz
Surroi
Kurvelesh
Krahës
Fushë-Bulqizë
Sllovë
Mbrostar
Labinot-Fushë
Shirgjan
Bërdicë

zonat e pdiu
Konispol
Patos
Cërrik
Sukth
Minibashkia 7
Gosë
Markat

 

ADI SHKEMBI/ALDO KOZARJA

© Panorama.al

Te lidhura