Zgjedhjet në Shalë, çështja sërish në Kolegj

Sep 3, 2011 | 10:52

TIRANË- Ceshtja e zgjedhjeve ne Shale me shume gjasa rikthehet serish ne Kolegjin Zgjedhor.

Ne mbledhjen e sotme te Komisionit Qëndror te Zgjedhjeve, votoi sot me 4 vota pro dhe 2 kundër, kërkesën e PD-së, e cila e konsideron të pavlefshëm votimin në komunën Shalë, të Qarkut të Shkodrës, duke mos arritur kourumin e nevojshem prej 5 votash.  Sipas kërkesës së përfaqësuesve të PD-së, në zgjedhjet e fundit më 21 gusht në qendrën 0119, kishin votuar dy banorë të komunës që nuk ishin në listën e zgjedhësve por që kishin marrë pjesë në votim me vendim Gjykate.

Ndërsa përfaqësuesit e opozitës në Komision, e kundërshtuan këtë pretendim, me arsyetimin që banorët kanë votuar në bazë të vendimit të institucioneve të drejtësisë.

Përfaqësuesit e PD-së në KQZ kërkojnë pavlefshmërinë e zgjedhjeve, duke e argumentuar vendimin e gjykatës të pambështetur në ligj dhe verifikimin e kërkesës së tyre me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore.

Avokati i PS-së në komision e quan një kërkesë të tillë absurde dhe të pamundur ligjërisht. “Një gjë e tillë është e pamundur, nëse bëhet kjo atëherë kemi të bëjmë me shkeljen e ligjit”- thotë ai.

Kolegji Zgjedhor vendosi të rikthejë sërish në KQZ, shqyrtimin e ankimimit të Partisë Demokratike, për pavlefshmëri në këtë zonë.

Zgjedhjet u zhvilluan në 21 gusht dhe pas tyre rezultoi në krye kandidati i PS-së, Balë Vuksani me 644 vota, kundrejt të djathtit Dedë Tonaj që mori 642 vota.

© Panorama.al

Te lidhura