PD kërkoi mbledhjen e “Mandateve” për Ballukun, por PS kyç dyert e Kuvendit, reagon Gjekmarkaj: Nuk është bunkeri personal i Peleshit, po mbrojnë korrupsionin qeveritar

Dec 26, 2025 | 12:51

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka reaguar në lidhje me situatën e ndodhur sot në Kryesinë e Kuvendit, ku 5 deputetë të PD, anëtarë në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit u paraqitën për të marrë pjesë në mbledhjen që ata vetë e kishin kërkuar, por dyert e zyrave të Kuvendit ishin të kyçura.

deputetet e pd keshilli i mandateve

Me anë të një postimi në Facebook, ku Gjekmarkaj ka publikuar edhe pamjet thotë se “Kuvendi nuk është bunkeri personal i Kryetarit të Kuvendit, ku ai ka legjitimitetin ta hapë dhe ta mbyllë sipas dëshirës, por vendi ku ushtrojnë përgjegjësitë e tyre mazhoranca dhe opozita”.

Sipas Nënkryetarit të Kuvendit refuzimi i mazhorancës për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë dhe sjellja, sipas tij, e Kryetarit të Kuvendit ‘nuk janë akte të denja për një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian’.

Teksa dënon sjelljen e kryetarit të Kuvendit, Gjekmarkaj i bën thirrje të respektojë Rregulloren e Kuvendit dhe të lejojë opozitën të ushtrojë përgjegjësitë e veta.

Reagim i Nënkryetarit të Kuvendit të Republikës!

Mbyllja e dyerve të Kuvendit për deputetët e opozitës është një akt i paprecedent.

Kuvendi nuk është bunkeri personal i Kryetarit të Kuvendit, ku ai ka legjitimitetin ta hapë dhe ta mbyllë sipas dëshirës, por vendi ku ushtrojnë përgjegjësitë e tyre mazhoranca dhe opozita.

Refuzimi i mazhorancës për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë dhe sjellja e Kryetarit të Kuvendit nuk janë akte të denja për një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian. Mbrojtja e korrupsionit qeveritar me arrogancë në Kuvend është dëshmi e degradimit të institucionit përfaqësues të qytetarëve.

Duke dënuar me forcë sjelljen e sotme të Kryetarit të Kuvendit, i bëj thirrje të respektojë Rregulloren e Kuvendit dhe të lejojë opozitën të ushtrojë përgjegjësitë e veta.

© Panorama.al

Te lidhura