Lajmin e bënë të ditur për gazetën burime zyrtare nga grupi parlamentar i PD-së, të cilët shtuan se gjatë ditëve në vijim, pritet të zyrtarizohet nisma e cila do të përcillet në Kuvend. Dy muaj para zgjedhjeve lokale të tetë majit, PD-ja kërkon të hetojë të ardhurat reale të kreut të Bashkisë së Tiranës. Burimet nuk bëjnë të ditur përmbajtjen e kërkesës, por shtojnë se hetimi do të përfshijë periudhën kohore kur Edi Rama ka mbajtur postin e kryetarit të Bashkisë. Hetimi i pasurive të zyrtarëve të lartë nuk hidhet në tregun e debatit politik për herë të parë sot. Partia Demokratike është shprehur e hapur gati një vit më parë për të ngritur një komision ku do të hetohen pasuritë e krerëve të shtetit, deputetëve dhe ministrave. Nëpërmjet deputetit, Luçiano Boçi, PD-ja i ka kërkuar publikisht opozitës të shprehë qëndrimin e saj për këtë hetim. “A jeni ju zoti Rama i gatshëm që të ngremë një komision hetimor parlamentar për të hetuar pasuritë e partnerëve tuaj dhe deputetëve të majtë e të djathtë? Përgjatë këtyre viteve ju keni pasur përreth shumë partnerë e deputetë me pasuri marramendëse të pajustifikuar, për të cilët nuk keni guxuar të thoni një fjalë të vetme. Kur do ju shohim të flisni një herë objektivisht në daljet tuaja pa kriter, si Edvin i vërtetë, për këto afera?”, – është shprehur Boçi, në një dalje para mediave në 22 gusht të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, opozita në atë kohë akuzoi Kryeministrin Berisha dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, se po përfitojnë pasuri të mëdha nga pushteti. “Partia Socialiste nuk akuzon Albana Vokshin, Arjan Tartarin, Rrahman Selmanllarin, Argita e Shkëlzen Berishën apo dhe vetë Sali Berishën, as sepse merren me biznese, e as për faktin që janë bërë milionerë. Jo, ne akuzojmë zonjën Vokshi e zotin Tartari, Rrahmanin, Argitën, Shkëlzenin dhe pushtetarët e tjerë me në krye Sali Berishën, sepse po e përdorin pushtetin e vjedhur për të vjedhur e pasuruar familjet e farefisin e tyre, duke grabitur e varfëruar shqiptarët”, deklaroi në të njëjtën ditë deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri.
Komisionet hetimore
Nëse maxhoranca do të vendosë të dorëzojë në Kuvend projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kjo do të jetë hera e tretë që demokratët ndërmarrin një nismë të tillë. Fillimisht, PD-ja akuzoi Ramën në prag të zgjedhjeve të vitit 2003 për abuzime në ndërtimin e rrugëve në kryeqytet. Në atë kohë në opozitë, PD-ja ngriti një komision të cilin e drejtoi ministri aktual i Punëve Publike, Sokol Olldashi dhe në përfundim të tij u hartuan dy raporte nga shumica, në atë kohë PS-ja dhe opozita. Për herë të dytë këtë nismë demokratët e morën dy vjet më parë, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit kur në komisionin e drejtuar nga Ferdinand Xhaferri, që kishte për qëllim hetimin e lejeve të ndërtimit të Bashkisë, nuk mori pjesë opozita. Në deklaratën e pasurisë, Edi Rama ka deklaruar pakësim pasurie në bankën Credins 30.900 lekë dhe 1859 euro. Gjithashtu, ai ka pasur të ardhura nga paga 1.6 milionë lekë dhe detyrim për shlyerje kredie 1 milion lekë.
Deklarata e pasurisë së Ramës
Llogari në Bankën Credins
-30 900 lekë
Llogari në Bankën Credins
-1859 euro
Të ardhura nga paga
1 678 364 lekë
Pagesë për leje të papaguar
90 409 lekë
Kontribut nga mbledhjet e KRRT-së
9 mijë lekë
Detyrim për shlyerje kredie
1 milion lekë
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











