PD, ftesë PS-së për zgjedhjet

Mar 26, 2011 | 12:23

Pak ditë para nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit, Partia Demokratike tenton të ulë tensionin politik me opozitën, duke e ftuar atë në një tryezë bisedimesh.Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i ka dërguar dje një letër homologut të tij socialist, Gramoz Ruçit, ku e fton në një takim ditën e martë, me prezencën e krerëve të grupeve të partive parlamentare dhe misionin e OSBE-së, ku do të diskutohet lidhur me rekomandimet dhe përgjegjësitë e partive për mbarëvajtjen e procesit elektoral. “Ju ftoj që të ulemi në një tryezë të përbashkët më datë 29 mars 2001, në orën 11:00, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, së bashku me partitë e tjera parlamentare, duke ftuar njëkohësisht edhe prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Në këtë takim, me angazhimin e gjithsecilit, të shqyrtojmë përgjegjësitë që duhet të marrin partitë tona për adresimin e mundshëm të rekomandimeve për forcat politike, në respekt të plotë të kuadrit kushtetues e ligjor ekzistues”, thuhet në letrën e Patozit, drejtuar kreut të grupit socialist, Gramoz Ruçit. Më tej, ai shprehet se “kam bindjen që një angazhim i tillë garanton përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe se ai do të japë kontribut dhe garanci shtesë, përkrah këtij kuadri normativ, për zgjedhje demokratike, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare”.
Bisedimet
Kreu i grupit parlamentar thekson në letrën e tij se partitë politike do të luajnë një rol kryesor në përmbushjen e detyrimeve që përcakton ligji. “Sinergjia e kontributit të përbashkët e të gjithë aktorëve krijon kornizën dhe truallin e nevojshëm që zgjedhjet të jenë një celebrim i plotë i demokracisë. Gjithsecili prej tyre ka rol të përcaktuar qartë dhe e kryen atë pa ndërhyrë në detyrat e aktorëve të tjerë”, shkruan më tej Patozi. Më tej ai i referohet 31 rekomandimeve të propozuara nga raporti i OSBE/ODIHR në përfundim të zgjedhjeve të 28 qershorit, ku disa prej të cilave i drejtohen pikërisht partive. Kreu i grupit demokrat vlerëson punën e bërë deri tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe nga administrata qendrore dhe ajo lokale për përgatitjen e procesit elektoral. “Theksojmë se stabiliteti i procesit përgatitor, i bazuar në zbatimin e rregullave, që kemi miratuar me konsensus të plotë, ka një rëndësi themelore për standardin e zgjedhjeve”, vijon letra e kryetarit të grupit të PD-së në Parlament. Patozi i referohet gjithashtu një prej rekomandimeve që ka të bëjë me sjelljen e komisionerëve në ditën e zgjedhjeve apo gjatë numërimit të votave, ku theksohet se ‘ata nuk duhet t’i mbështesin veprimet dhe vendimet e tyre në lidhje me zgjedhjet në çështje apo bindje politike’. Në fund ai thekson faktin se zbatimi i kuadrit kushtetues dhe ligjor është në interes të zgjedhësve shqiptarë. “Kuadri ynë kushtetues dhe ligjor për zgjedhjet përfshin të gjitha parimet, standardet dhe garancitë e nevojshme të përcaktuara nga OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës, për rrjedhojë, zbatimi dhe respektimi i plotë dhe vullnetmirë i kuadrit kushtetues dhe ligjor dhe institucioneve të mandatuara prej tyre është garancia më e mirë, jo vetëm për përmbushjen e interesave legjitime të subjekteve zgjedhore, por mbi të gjitha, të interesit të zgjedhësve shqiptarë”, përfundon letra e kreut të grupit parlamentar demokrat.

Letra e Patozit

Zgjedhjet për pushtetin vendor të datës 8 maj po afrojnë dhe përgatitjet për to kanë hyrë në fazë intensive. Procesi zgjedhor përfshin një numër aktorësh, si administrata zgjedhore e të gjitha niveleve, pushteti qendror dhe ai vendor, subjektet zgjedhore, vëzhguesit dhe shoqëria civile, por pa dyshim, një rol kyç luajnë partitë politike në përputhje me detyrimet që u përcakton ligji. Sinergjia e kontributit të përbashkët e të gjithë aktorëve krijon kornizën dhe truallin e nevojshëm që zgjedhjet të jenë një celebrim i plotë i demokracisë. Gjithsecili prej tyre ka rol të përcaktuar qartë dhe e kryen atë pa ndërhyrë në detyrat e aktorëve të tjerë. Për të përmirësuar procesin zgjedhor dhe arritjen e të gjitha standardeve ndërkombëtare, raporti i OSBE/ODIHR-it sugjeron 31 rekomandime, ku disa prej tyre i drejtohen drejtpërdrejtë ose tërthorazi partive politike. Në këtë kontekst, dhe duke vlerësuar maksimalisht rëndësinë e procesit përgatitor zgjedhor, ne mendojmë se i një rëndësie themelore mbetet rekomandimi i parë i këtij raporti, i cili kërkon që “Partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në përputhje me privilegjet e mëdha që gëzojnë sipas ligjit në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve. Ato duhet të realizojnë detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme në interesin e përgjithshëm të Shqipërisë. Kjo vlen edhe për performancën e komisionerëve zgjedhorë dhe nëpunësve të zgjedhur e të emëruar të të gjitha niveleve, të cilët nuk duhet t’i mbështesin veprimet dhe vendimet e tyre në lidhje me zgjedhjet në çështje apo bindje politike”. Për këto arsye, ju ftoj që të ulemi në një tryezë të përbashkët më datë 29 mars 2001, në orën 11:00, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, së bashku me partitë e tjera parlamentare, duke ftuar njëkohësisht edhe prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Në këtë takim, me angazhimin e gjithsecilit, të shqyrtojmë përgjegjësitë që duhet të marrin partitë tona për adresimin e mundshëm të rekomandimeve për forcat politike, në respekt të plotë të kuadrit kushtetues e ligjor ekzistues. Kam bindjen se një angazhim i tillë garanton përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe se ai do të japë kontribut dhe garanci shtesë, përkrah këtij kuadri normativ, për zgjedhje demokratike, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare.

Listat
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë përplasur ditët e fundit për listat paraprake, pasi sipas opozitës, në Tiranë janë duke u regjistruar shumë qytetarë në kundërshtim me afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Afati i fundit kur mund të ndryshoheshin listat paraprake për qëllime elektorale ishte 8 marsi, ndërkohë që në 8 prill duhet të dalë lista përfundimtare. “Lista përfundimtare e zgjedhësve, me përbërësit e plotë, sipas nenit 47 të këtij Kodi, i dërgohet e printuar, jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve, KZAZ-së në tri formate”, thuhet në nenin 54 të Kodit.

Afati i regjistrimit të kandidatëve

Kodi Zgjedhor parashikon datën 28 mars si afatin e fundit për regjistrimin e kandidatëve për bashkitë e komunat si dhe për këshillat lokalë. Në nenin 67 të Kodit, thuhet se “partia politike, pjesëtare e një koalicioni, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, lista e kandidatëve regjistrohet në KZAZ. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ”.

Rekomandimet e OSBE-ODIHR

“Partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në përputhje me privilegjet e mëdha që gëzojnë, sipas ligjit në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve. Ato duhet të realizojnë detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme në interesin e përgjithshëm të Shqipërisë. Kjo vlen edhe për performancën e komisionerëve zgjedhorë dhe nëpunësve të zgjedhur e të emëruar të të gjitha niveleve, të cilët nuk duhet t’i mbështesin veprimet dhe vendimet e tyre në lidhje me zgjedhjet në çështje apo bindje politike”, thuhet në rekomandimet e OSBE/ ODIHR.

Lajçak: Zbatoni kodin dhe rekomandimet

I dërguari i BE-së në Tiranë, Miroslav Lajcak, kërkoi pak ditë më parë zbatimin e Kodit dhe rekomandimeve të OSBE-së në zgjedhjet e 8 majit. “Do të donim të shikonim zbatimin e praktikave më të mira për garantimin e zgjedhjeve të 8 majit. Do të vlerësonim zbatimin e plotë të Kodit Zgjedhor dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për të përmirësuar sa më shpejt të jetë e mundur praktikën e zgjedhjeve dhe për të marrë masa për një fushatë të ndershme parazgjedhore”, u shpreh Lajçak.

Berisha: Zgjedhje të lira më 8 maj

Kryeministri Berisha garantoi dje Ministrin e Shtetit për Drejtësinë në Mbretërinë e Bashkuar, McNally për zhvillimin e zgjedhjeve të 8 majit sipas standardeve. “Pas interesimit nga ana e Lordit McNally për zgjedhjet vendore, kryeministri Berisha e garantoi atë se pas ngritjes së një sistemi transparent e të mirorganizuar zgjedhor dhe të certifikuar nga faktori ndërkombëtar, ashtu si në zgjedhjet e shkuara, qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme më 8 maj”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

PS, 3 kushte për zgjedhjet

Partia Socialiste ka publikuar tri kushte për zgjedhjet lokale. “Dorëzimi në Partinë Socialiste i listave të zgjedhësve; Partia Socialiste kërkon pajisjen e komisioneve me instrumente për verifikimin e kartave të identitetit të çdo votuesi; Partia Socialiste kërkon miratimin e parimit të transparencës, sipas të cilit çdo forcë politike që do të kërkojë transparencë apo hetimin mbi kuti votimi apo materiale zgjedhore pas shpalljes së rezultatit zgjedhor, do të ketë të drejtën për ta bërë këtë transparencë”, janë kushtet e vendosura nga opozita.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura