SHKUP- VMRO-DPMNE sipas të gjitha gjasave vetëm do të festojë në sheshin e Shkupit, 8 Shtatorin, ditën e Pavarësisë së Maqedonisë.
Partitë shqiptare të opozitës janë deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në një manifestim monoetnik ku nuk duket asnjë element shqiptar.
“Nuk shohim element shqiptar në këtë manifestim dhe për këtë arsye RDK do ta bojkotojë atë. Pasi Maqedonia është shtet multietnik, bëjmë apel që edhe partitë tjera të bojkotojnë këtë manifestim monoetnik”, është shprehur zëdhënësi i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Armir Ramadani.
Paralajmërime të sigurta për bojkot vijnë edhe nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).
“PDSH-ja nuk do të marrë pjesë në këtë manifestim, sepse nuk luan rolin e politikanëve të entuziazmuar dhe ka mjaft çështje tjera më të rëndësishme për shqiptarët në të cilat duhet fokusuar”, ka deklaruar zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati.
Bashkimi Demokratik për Integrim, do të përfaqësohet në nivel të lartë në këtë manifestim, mirëpo sipas gjitha gjasave jo me liderin e saj Ali Ahmeti.
Ndërsa partitë maqedonase LSDM, PRSD, Partia për Ardhmërinë Evropiane janë arsyetuar se nuk duan të marrin pjesë në festën private të kryeministrit.
Ata kanë theksuar se do të marrin pjesë vetëm në ngjarjet e organizuara nga institucionet shtetërore, ndërsa ato të VMRO-DPMNE-s do t’i bojkotojnë.
Qeveria e Maqedonisë ka planifikuar një aktivitet të gjerë dhe ambicioz për të shënuar 20 vjetorin e pavarësisë, ditën kur qytetarët votuan për tu ndarë nga Jugosllavia.
Si njëra ndër ngjarjet kryesore është planifikuar hapja ceremoniale e kompleksit më të madh fontanë me “Ushtarin në kalë”.
Në ditë hapjes ceremoniale është përgatitur një spektakël i pa parë, me performanca të shumta të artistëve, me fishekzjarrë, si dhe aktivitete tjera të shumta që do ta begatojnë këtë manifestim.
Kryeministri Nikolla Gruevski pritet t’i drejtohet kombit në këmbë para statujës. Asnjë përfaqësues i huaj nuk do të jetë atje për të dëgjuar fjalën e tij. (INA)
© Panorama.al











