Patozi: Zgjedhjet, të lira. Të bashkëpunojmë për reformat

Sep 5, 2011 | 19:46

Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi tha se zgjedhjet e 8 majit ishin të lira dhe kompetitive.

“Zgjedhjet ishin të lira dhe kompetitive, dhe kjo jo vetëm sipas nesh. Opozita vjen me disa pasazhe të lexuara keq nga OSBE/ODIHR. Qesharake kur thotë se ishin zgjedhje të manipuluara, madje edhe se i grabitëm Tiranën.”- tha Patozi.

Në Tiranë u mundët si burrat, vazhdoi më tej Patozi, pasi ju patët një qasje të gabuar për zgjedhjet, duke luftuar për një mandat kryeministri

Kreu i Grupit Parlamentar, tha se në këtë vend mund të bëhen zgjedhje edhe më të mira, por duhet harruar se këtë nuk mund ta bëjë vëtëm qeveria.

Ai ftoi opozitën që të bashkëpunojë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke ngritur sa më shpejt një komision për reformën zgjedhore.

“Të ngrejmë komisionin e reformës zgjedhore, të vijojmë me ligjet me shumicë të cilësuar, të ballafaqojmë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Të biem dakord për të votuar heqjen e imunitetti, me qëllim luftën kundër korrupsionit”- tha Patozi.

Dokumentet e botuara së fundit nga Wikileaks, Patozi tha se kanë shijen dhe vlerën e pijeve freskuese.

“Shqipëria nuk ka ndonjë motiv për tu mbajtur peng nga thashethemet e së shkuarës. Në politikë koha është e pamëshirshme”- theksoi Patozi.

© Panorama.al

Te lidhura