TIRANË- Kreu i grupit kuvendor të PD-së, Astrit Patozi i është drejtuar me anë të një letre homologut Gramoz Ruci për reformën zgjedhore. Ai njofton edhe zgjedhjen e Oerd Bylykbashit dhe Viktor Gumit si negociatore për të shqyrtuar me opozitën modalitetet e ngritjes së Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore.
Në letrën e dërguar Patozi fton opozitën të bëhet pjesë e reformës, e cila duhet të nisë sa më shpejt për të mos humur më tej kohë. Patozi fton për asistencë edhe Komisionin e Venecias dhe shton se reforma duhet të jetë sikundër ëhstë këshilluar nga ndërkombëtarët gjithëprfshirëse dhe të bëhet në bazë të rekomandimeve të lëna nga OSBE/ODIHR-i.
“Një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore të 8 majit në Shqipëri, është koha më e përshtatshme që të nisim bashkarisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore, që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013. Ne jemi të gatshëm që të nisim pa humbur kohë kontaktet, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt”- shkruan Patozi.
Ftesë i është bërë edhe OSBE/ODIHR-it për asistencën e nevojshme në këtë proces shumë të rëndësishëm.
© Panorama.al











