Zëdhënësi i Policisë së Tiranës, Gent Mullai theksoi se protestuesit e opozitës kryen një sulm ndaj punonjësve të policisë. Në një lidhje live për “Oponencë” në News 24, ai tha u pyet edhe nëse janë hedhur bomba artizanale.
“Gjatë tubimit dje, janë përdorur bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta të drejtim të policisë, si pasojë e sulmit, janë plagosur 16 punonjës policie. Unë them sulm ndaj punonjësve të policisë se bomba molotov janë hedhur drejtpërsëdrejti mbi trupin e punonjësve të policisë. Them diçka që protestuesit kanë hedhur mbi punonjësit e policisë, kryesisht te parlamenti. Për të përcaktuar nëse janë akte të organizuara, është ngritur një grup hetimor nga policia Tiranë dhe Prokuroria Tiranë, e cila do të hetojë se çfarë ka ndodhur gjatë tubimit të djeshëm. “, u shpreh zëdhënësi.
I pyetur për procedimin ndaj deputetit Belind Këlliçi, edhe pse ky i fundit ndodhet në SHBA, zëdhënësi pretendoi se ai është vënë nën hetim jo për dhunë ndaj punonjësve të policisë por për organizim të tubimit.
“ Nuk është lapsus, zoti Këlliçi nuk është proceduar për kundërshtim të punonjësve të policisë por për organizim të tubimit. Policia ka pasur informacionin e nevojshëm dhe janë referuar materialet në Prokurori Tiranë. Pasi kanë mbaruar fjalimet te tubimi para kryeministrisë, kanë filluar aktet e dhunës. Policia është treguar e përmbajtur. I ka bërë thirrje që të distancohet nga aktet e dhunës. Gazi lotsjellës është përdorur para parlamentit pasi sulmi ka qenë me intensitet të lartë para punonjësve të policisë.”, tha ai.
Ai komentoi edhe incidentin, ku deputeti i PD Bledion Nallbati u dhunua nga efektivë të policisë dhe përfundoi në spital.
“Në fazën e dytë të tubimit sulmi ndaj efektivëve të policisë ka qenë i egër. Në një moment sulmi është ndërprerë dhe ka nisur sërish. Sa i përket deputetit ka një grup hetimor, do hetohen edhe veprimet e policisë. Nuk më rezulton që të kenë shkuar te deputeti për ta goditur, gjithsesi grupi hetimor do e hetojë”, tha ai.
© Panorama.al












