
Qeveria ka depozituar në Kuvend dy nismat e propozuara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive.
Ndryshimet në ligj, kontroll edhe bashkëjetuesve të politikanëve.
Ministrat, deputetët apo zyrtarët e lartë, me ligjin e ri do të detyrohen të deklarojnë pranë ILDKP-së edhe të ardhurat e personave që bashkëjetojnë dhe të të afërmve. Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend dy nismat e propozuara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, që forcojnë ndjeshëm pozitat dhe kontrollin e këtij institucioni për të parandaluar fshehjen e të ardhurave dhe konfliktin e interesit. Në nenin katër të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” thuhet se zyrtarët duhet të deklarojnë dhe burimet e tjera të të ardhurave që vijnë nga marrëdhëniet familjare apo nga bashkëjetesa. “Duhet të deklarohen: angazhimet në veprimtarinë privatë me qëllim fitimin ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura, përshirë çdo lloj të ardhure të krijuar nga kjo veprimtari ose ky angazhim; interesa private të subjektit që përputhen, përmbajnë, bazohen ose burojnë nga marrëdhëniet familjare apo të bashkëjetesës”, thuhet në ndryshimet e reja.
Dhuratat
Dy projektligjet e propozuara nga ILDKP-ja priten të diskutohen javën e ardhshme në komisionet parlamentare. Me ndryshimet e reja është parashikuar që ministrat, deputetët apo zyrtarët e lartë të deklarojnë në raportimin e tyre vjetor edhe dhuratat apo trajtimet preferenciale që mund të përfitojnë për shkak të detyrës. Në nismë është parashikuar që duhet të deklarohen dhuratat, identiteti i personit në rast se ky donacion kalon vlerën e dhjetë mijë lekëve. Nëse gjatë vitit konstatohen më shumë se dy dhurata me vlerën e dhjetë mijë lekëve, atëherë ato duhen raportuar pranë ILDKP-së me të dhënat e prejardhjes së tyre. Pranë Inspektoratit të Lartë do të kërkohet dhe deklarimi i të gjitha shpenzimeve të kryera nga ministrat, deputetët apo zyrtarët e lartë në rast se vlera e shpenzuar kalon 500 mijë lekë. “Interesat privatë të llojeve të tjera nga ato të përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji, mund të kërkohen të deklarohen periodikisht nëse kjo është e mundur dhe e përshtatshme për nënlloje interesash brenda këtyre llojeve, të përcaktuara me urdhër të Inspektoratit të Përgjithshëm”, thuhet në ndryshimet reja.
Konflikti i Interesit
Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive do të ketë kompetenca të reja dhe do të ketë mundësi të anulojë vendime në rast se konstatohet konflikt interesi. Madje, me propozimet e reja, ILDKP do të ketë të drejtë të propozojë masa administrative apo gjyqësore ndaj deputetëve, gjyqtarëve apo prokurorëve që konstatohen të jenë në konflikt interesi. Ndaj deputetëve mund të merret masë disiplinore, ndërsa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që veprojnë në konflikt interesi, ILDKP-ja kërkon nga Gjykata që t’i detyrojë këta të fundit të dëmshpërblejnë për dëmin e shkaktuar ndaj institucionit.
Ndryshimet në projektligjin e ri
Neni 4
Afati dhe objekti i deklarimit
Subjektet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe në inspektoratet e ulëta, brenda datës 31 mars të çdo viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të pasurive, burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare si me poshtë:
a) pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to;
b) pasuritë e luajtshme, të regjistrueshme në regjistrat publike;
c) sendet me vlerë të veçantë mbi 5 000 dollarë amerikane;
ç) vlerën e aksioneve, të letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim;
d) vlerën e likuiditeteve, gjendje në çash, në llogari rrjedhëse, në depozite, në bono
thesari dhe në huadhënie, në lekë ose në valute të huaj;
dh) detyrimet financiare ndaj personave juridike dhe fizike, te shprehura në lekë ose në valutë të huaj;
e) të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale;
ë) licencat dhe patentat që sjellin të ardhura.
Shtohen
f) dhurata dhe trajtimet preferenciale, përfshirë identitetin e personit, fizik ose juridik, prej nga vijnë apo krijohen dhuratat a trajtimet preferenciale. Nuk deklarohen dhuratat ose trajtim preferencial kur vlera e tyre është më e vogël se 10000 (dhjetë mijë lekë), si dhe kur dy e më shumë dhurata nuk e kalojnë këtë vlerë gjatë së njëjtës periudhe deklarimi.
g) angazhimet në veprimtarinë privatë me qëllim fitimin ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura, përshirë çdo lloj të ardhure të krijuar nga kjo veprimtari ose ky angazhim.
gj) interesa private të subjektit, që përputhen, përmbajnë, bazohen ose burojnë nga marrëdhëniet familjare apo të bashkëjetesës.
h) çdo shpenzim i deklarueshëm, me vlerë mbi 500 000 (pesëqind mijë lekë), i kryer gjatë vitit të deklarimit.
Në fund të nenit 4 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Interesat privatë të llojeve të tjera nga ato të përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji, mund të kërkohen të deklarohen periodikisht nëse kjo është e mundur dhe e përshtatshme për nënlloje interesash brenda këtyre llojeve, të përcaktuara me urdhër të Inspektoratit të Përgjithshëm”.
Deklarimi i sendeve
Inspektorati i Deklarimit të Pasurive kërkon që të gjithë zyrtarët e lartë, ministra apo deputetë, të deklarojnë të gjitha sendet që kanë një vlerë mbi 500 mijë lekë. Në ligjin aktual ILDKP-ja konstaton se ka një gabim, pasi vlera deklarimit të sendeve me vlerë është në dollarë dhe, si e tillë, kërkon që deklarimi të bëhet në monedhën shqiptare. “Vlera monetare të përcaktuara në legjislacionin shqiptar janë në lekë. Vlera sendeve të veçanta të detyrueshme për t’u deklaruar të jetë 500 mijë lekë”, thuhet në nenin 4.
Kodi i Familjes
Kodi i Familjes, sipas relacionit të projektligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve të lartë” detyron që edhe bashkëjetueset e ministrave, deputetëve apo zyrtarëve të lartë të bëjnë deklarimin e pasurive vjetore. Sipas draftit të ILDKP-së, personave të lidhur me zyrtarin u lind detyrimi për deklarim të të ardhurave. “‘Deklarimi me kërkesë’, të përfshihen dhe “bashkëjetuesit” , sipas kuptimeve të neneve 163 dhe 164 të Kodit të Familjes, në rrethin e personave që detyrohen të deklarojnë interesat private”, thuhet ne nenin 8.
Konflikti i Interesit, ILDKP: Pse ndryshon ligji
Ligji për parandalimin e konflikt të interesit, sipas hartuesve të saj, në zbatim ka hasur probleme në goditjen e rasteve të zyrtarëve të lartë. Në relacionin e projektligjit të propozuar nga ILDKP, thuhet se: “Konstatimi dhe ndëshkimi i zyrtarëve, të cilët kanë vepruar në kushtet e konfliktit të interesit, nuk vijon në të njëjtin ritëm me goditjen e aktit. Institucionet publike, të cilat kanë përgjegjësinë për goditjen e aktit të marrë në kushtet e konfliktit të interesit në përgjithësi nuk e ushtrojnë këtë detyrë ligjore, duke mos dhënë rezultatet e pritshme në luftën lundër korrupsionit”. Sipas ILKDP-së, ligji aktual nuk parashikon plotësisht masa ndëshkuese dhe instrumentet ligjore për situatat e konfliktit të interesit rast pas rasti.
Zyrtarët deklarojnë borxhet
Më shumë se 5 për qind e zyrtarëve që deklarojnë pasurinë pranë ILDKP-së kanë marrë shuma të mëdha borxhesh nga persona të tretë. Nga një investigim rreth 3-mujor i gazetës mbi një kampion të pasurive të zyrtarëve, të deklaruara në tetë vitet e krijimit të këtij institucioni, rezulton se 276 zyrtarë kanë marrë borxh nga një milion lekë deri në 37 milionë lekë. Në total, vlera e marrë borxh nga këta zyrtarë llogaritet në 9.7 milionë dollarë. Në krye të listës qëndrojnë punonjësit e Tatimeve dhe gjyqtarët. Sipas të dhënave të marra nga Inspektorati rezulton se në listë janë 53 punonjës nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe 51 gjyqtarë, ku përfshihen edhe kancelarë, dhe në një rast vajza e një gjyqtari.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











