E nisur që në vitin 1860, tani festa e karnavaleve ka krijuar portretin e saj shkodran. Kostume nga më të larmishmit, të siguruara tashmë jo vetëm nga mjeshtri i maskave, njëherësh edhe drejtori i sapoemëruar i teatrit “Migjeni”, Edmond Angoni, por edhe nga vetë familjet shkodrane, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në pajisjen e nxënësve të shkollave me një uniformë festive, karakteristike për një ngjarje të tillë. Ndryshe nga vitet e tjera, kësaj radhe festimet e karnavaleve janë konceptuar në një demonstrim të shkollave të qytetit në sheshin “Luigj Gurakuqi”, numra muzikorë të qendrës kulturore të fëmijëve, të trupave të ndryshme të baletit, si dhe të bandës së Bashkisë së Shkodrës, e cila nuk kishte si të mungonte në një ngjarje të tillë festive. “Një zgjim pranveror e kemi quajtur këtë vit festën e karnavaleve,- është shprehur një nga organizatorët e kësaj feste, Edmond Angoni. -Pas situatës së vështirë të përmbytjeve që kaloi Shkodra, në fund të vitit të kaluar, tashmë e meriton që të ketë një zgjim ndryshme për stinën e pranverës”, tha ai. Mes përfaqësuesve vendorë të Shkodrës, fëmijëve dhe qytetarëve të shumtë që kishin dalë në shesh për të festuar, atyre u është bashkuar edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Dita e djeshme ka qenë me diell në qytetin e Shkodrës. Megjithëse karnavalet në këtë qytet datojnë që në vitin 1861, të arkivuara në fototekën “Marubi” janë që nga viti 1913. Organizimi i karnavaleve në Shkodër është realizuar për herë të parë në vitin 1860 e ka vazhduar duke pasur kulmin e tyre në vitet ’30 e për të ndaluar në vitin 1943. I pari që e ka sjellë këtë festë në Shkodër ka qenë hungarez e tjetri dalmat (kroat). Mbas vitit 1943, karnavalet vijnë duke u zbehur. Duke filluar prej viteve 1975 deri në ’80, karnavalet nuk janë më festa popullore, por politike. Nuk respektohej më as dita e fillimit të festës e as periudha 40-ditore. Ndryshe nga karnavali tradicional, ky kishte në sfond politikën e shtetit shqiptar dhe drejtohej kryesisht ndaj “kapitalizmit” dhe “revizionizmit” dhe batutat ishin ndaj udhëheqësve të vendeve të tilla si USA dhe BS, kundër NATO-s e Traktatit të Varshavës. Festimi i tyre u rikthye në vitin 2000, duke u shndërruar në një traditë. Karnavalet organizohen pa ndërprerje në sajë të kujdesit dhe organizimit tashmë nga ana e Bashkisë së Shkodrës, në bashkëpunim me drejtuesin e firmës së prodhimit të maskave “Arlekino”, Edmond Angoni, njëkohësisht drejtori i sapoemëruar i teatrit “Migjeni”.
Topalli: Shkodra feston, 20 vjet pas rrëzimit të diktaturës
Mes ngjyrave e kostumeve të Karnavaleve ishte dje e pranishme dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Ajo ka përshkuar bashkë me mijëra festues qendrën e qytetit për në shëtitoren tradicionale duke përshëndetur kalimtarët. Topalli e ka cilësuar këtë ditë si më të veçantat, pasi sipas saj, “20 vite pas rrëzimit të diktaturës komuniste, Shkodra dhe Shqipëria ka shumë motive për të festuar. Ditë më të gëzueshme do të vijnë për shqiptarët”.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











