Kaluan disa javë larg njëri-tjetrit dhe pas eliminimit të Bertinës nga “VIP Shpija” janë rikthyer prapë tek njëri-tjetri. Çifti i krijuar në “Big Brother 3”, Erion Zeqiraj dhe Bertina Mehmeti, janë fotografuar në një nga club-et e Tiranës, duke iu rikthyer kështu jetës së natës, jetë që e kanë frekuentuar të dy edhe kur nuk kanë qenë të lidhur bashkë. Bertina Mehmeti, ish-konkurrente e “Big Brother 3”, e la shtëpinë e “VIP Shpija” një javë para finales, pas më shumë se 1 muaj qëndrimi në konkurrencë. Ajo doli e zhgënjyer nga kjo lojë, ku konkurrentët e tjerë ishin të gjithë artistë, përveç Bertinës dhe Qetsorit, fituesit të “Big Brother 2”. Gjatë qëndrimit në “Vip Shpija”, që u transmetua në një kanal dixhital në KTV të Kosovës dhe në Tring Digital, Bertina pati një konflikt me këngëtaren Rovena Stefa. Për Bertinën pjesëmarrja në një reality show ishte si vazhdimi i ëndrrës së “Big Brother”, ku u komentua se u eliminua, po ashtu dhe atje para kohe. Tashmë, Bertina i është rikthyer jetës normale në Tiranë me të dashurin, Erionin dhe punës si menaxhere marketingu në një kompani private. Ndryshe nga Erioni, ajo ka vendosur që profesionin të mos ia dedikojë televizionit, duke preferuar të bëjë një jetë të zakonshme, larg syve të publikut.











