Ministria e Arsimit do të rishikojë procedurat e pranimit të studentëve të sistemit part-time në shkollat e larta.Burime të sigurta nga MASH bëjnë me dije se për këtë kategori studentësh do të aplikohen të njëjtat rregulla si për studentët me kohë të plotë. “Kurrikulat janë të njëjta dhe nuk ka asnjë arsye pse kjo kategori studentësh të mos ketë të njëjtin skemë pranimi si studentët që ndjekin programet me kohë të plotë”, thonë specialistët e MASH. Sipas tyre, pasi të kenë dhënë 4 provimet e maturës dhe të jenë pajisur me Dëftesën e Pjekurisë, kandidatët do të përzgjidhen mbi bazën e pikëve. “Formula e llogaritjes së pikëve do të jetë e njëjtë për çdo maturant. Më tej, mbi bazën e kuotave të pranimit, do të përzgjidhen ata maturantë që kanë grumbulluar më shumë pikë. Pra bëhet fjalë për sistemin e meritë-preferencës njësoj si në ciklin e studimeve me kohë të plotë”, thonë burimet nga MASH. Sipas tyre, në këtë mënyrë vendoset baraspesha e standardeve në të dyja ciklet e studimit. “Diploma që merret në fund është e njëjtë. Është punuar fort për të ndryshuar kurrikulat e sistemit me kohë të pjesshme, të cilat më parë kishin mangësi të mëdha. Ka ardhur koha që edhe fituesit të përzgjidhen në të njëjtë mënyrë për të evituar diferencat”, nënvizojnë specialistët e MASH. Ndërkaq, të njëjtat burime bëjnë me dije se skema e pranimit pritet të aplikohet për vitin akademik 2012-2013. “E rëndësishme është që propozimi i bërë në rang specialistësh është mirëpritur dhe një grup pune po punon për të hartuar procedurat që duhen ndjekur. Gjasat janë më të shumta që të nisë zbatimi pas këtij viti akademik”, thonë burime nga MASH.
Skema aktuale
Deri tani fituesit në sistemin me kohë të pjesshme janë përzgjedhur me anë të dosjeve personale, ku kriter kryesor ka qenë mesatarja e shkollës së mesme. Kjo për degë shumë të kërkuara, ku numri i kuotave ka qenë më i ulët se numri i kandidatëve. Një pjesë e fakulteteve kanë aplikuar edhe konkurse për degë të veçanta. Kandidatët e sistemit part-time deri tani kanë pasur një sërë avantazhesh. Ata nuk kanë qenë të detyruar të japin provimet me zgjedhje. Pra, edhe me një dëftesë të marrë vite më parë, ata mund të kualifikoheshin. Mjafton që të kishin mesataren e duhur. Këtë procedurë mund ta ndiqnin edhe kandidatët që kishin mundur të merrnin dy provimet me detyrim, paçka se mund të kishin ngelur në ato me zgjedhje. Ndërsa skema e re, që pritet të vihet në zbatim nga MASH, do t’i vërë të gjithë maturantët përpara kushtesh të njëjta. “Po shihet mundësia që edhe për ata kandidatë që kanë një dëftesë të arsimit të mesëm, të cilën mund ta kanë marrë përpara aplikimit të maturës ose gjatë saj, të futet kriteri i lëndëve me zgjedhje njësoj si me kandidatët e sistemit ditën”, thonë specialistët. Ata nënvizojnë gjithashtu se ky cikël studimesh do të ketë kontrolle të forta për të evituar praktikat e disa viteve më parë kur janë zbuluar studentë që ndiqnin njëkohësisht disa degë.
Fondi i Ekselencës, aplikimet e kandidatëve deri më 31 mars
Më 31 mars do të përfundojë aplikimi për Fondin e Ekselencës. Këtë datë ka përcaktuar si afat përfundimtar Ministria e Arsimit. Për këtë fond do të mund të aplikojnë të gjithë studiuesit e rinj ose studentët që fitojnë në universitetet më të mira në vend. Fondi e Ekselencës akordohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për bursa të posaçme për studentë që bëjnë studimet e doktoratës jashtë shtetit. Po kështu, bursa të posaçme për studente qe ndjekin studime “Bachelor” ose “Master” në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, si dhe ata që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike Teknologji Informacioni, Matematikë, Fizikë dhe Bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore. Ky fond gjithashtu akordohet edhe për bursa të posaçme për shkencëtarë të rinj që bëjnë studimet e postdoktoratës jashtë shtetit, çmime apo shpërblime për studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare. Nga ky fond përfitojnë studentët që ndjekin studimet e doktoratës jashtë shtetit, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve, kur kanë arritur notë mesatare mbi 9 për shkencat natyrore inxhinierike e të jetës dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore, ose përkatësisht mbi 8 për shkencat natyrore inxhinierike e të jetës dhe mbi 8.5 për shkencat ekonomike e shoqërorë, për studimet e kryera jashtë shtetit në secilin cikël studimi.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











