Paro Laçi: Po përdorem si kokë turku

Mar 23, 2011 | 10:11

Nën masa të rrepta sigurie kanë mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës nëntë të arrestuarit dy ditë më parë për korrupsion, mes tyre dhe presidenti i ekipit të futbollit të Rubikut, Paro Laçi.Teksa ka mbërritur në Gjykatën e Durrësit i pandehuri 42-vjeçar Paro Laçi, në momentin që po zbriste nga furgoni i policisë, është konfrontuar me uniformat blu. Gjatë hyrjes në gjykatë e më pas brenda sallës së gjyqit, ai ka lëshuar një lumë akuzash kundrejt kryeministrit Berisha, me pretendimin se po e përdor si kokë turku. Po kështu, që në fillim të seancës Laçi ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj tij është një farsë, duke sulmuar sërish shefin e Ekzekutivit si të korruptuarin kryesor. “Unë jam i pafajshëm, arrestimi im është i paligjshëm, shumë shpejt gjërat do të zbardhen dhe do të dalë në dritë e vërteta. Unë di shumë në lidhje me korrupsionin. Në momentin që unë u arrestova, policia më tha që ‘duhet të kishe kaluar më parë në ministria dhe jo në shtëpi’, por unë bëra si doja vetë. Poshtë Berisha! Nëse deri dje kam qenë me dy gishtat lart, sot gjithçka ka ndryshuar”. Pas këtyre deklaratave kreu i trupit gjykues, Shpëtim Reka, ka urdhëruar boshatisjen e sallës nga media, për të vijuar seancën për vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit të tij. Nga burime të gjykatës mësohet se Paro Laçi ka mohuar akuzat ndaj tij, duke u shprehur se do të flasë më vonë për të treguar me fakte të vërtetën. “Nuk pranoj asnjë akuzë që rëndon mbi mua, pasi jam i pafajshëm. Unë jam gabimisht këtu, pasi të tjerë persona duhet të ishin në këtë vend. Arrestimi im është një maskaradë që drejtësia po bën me mua. Arrestimi im është i padrejtë. Unë jam i pafajshëm, pasi të tjerë njerëz janë të implikuar”, mësohet të ketë thënë në sallë 42-vjeçari. Për të, trupi gjykues, i përbërë nga Shpëtim Reka, pranoi kërkesën e prokurorit të çështjes, Afrim Shehu, për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. E njëjta masë u vendos dhe për Edmond Temalin, Agron Arushën dhe Agron Laçin. Ndërsa për Bledar Kumen, Kozma Kulen, Shkëlqim Balliun, Endri Dimon, si dhe Altin Xhurën, gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Arrestimi i zyrtarëve, të cilët akuzohen për korrupsion, u zhvillua nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Force, Kundër Korrupsionit dhe Krimit Financiar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas rreth një vit hetimi. Gjatë arrestimit, Laçit iu gjet një shumë prej 40 mijë eurosh, që sipas hetuesve i kishte përfituar në këmbim të premtimeve për ushtrim të ndikimit të paligjshëm për dhënien e një licence minerare. Gjithashtu, Paro Laçi akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë kanë marrë shuma të konsiderueshme parash, me qëllim ndërmjetësimin në dhënien e pafajësisë për një të dënuar për vrasje nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër. Po ashtu, të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trukuar ndeshje futbolli, duke paracaktuar rezultatet e garave sportive, duke dhënë shuma parash.

Të akuzuarit

Në burg:

Paro Destan Laçi, 42 vjeç, banues në Tiranë, president i ekipit të futbollit të Rubikut
Edmond Gjergj Temali, 42 vjeç, banues në Shkodër
Agron Gjon Arusha, 36 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër
Agron Faik Laçi, 34 vjeç, banues në Tiranë.

Të lirë:

Bledar Bashkim Kume, 25 vjeç, banues në Laç, Kurbin, biznesmen celularësh
Kozma Lazri Kule, 52 vjeç, banues në Berat
Shkëlqim Jashar Balliu, 45 vjeç, banues në Berat, gjyqtar sportiv
Endri Ali Dimo, 20 vjeç, nga Elbasani
Altin Mehmet Xhura, 34 vjeç, nga Dibra, me aktivitet privat në fushën e tregtimit të gomave të automjeteve

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura