Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, deklaroi dje se Greqia nuk do të bëjë lëshime për asnjë çështje që prek interesat kombëtarë, megjithëse vendi ndodhet në një situatë të rëndë. Para Këshillit Kombëtar të partisë së tij, PASOK, ai iu referua kontestit të emrit me Maqedoninë, çështjes qipriote dhe marrëdhënieve me Turqinë. “Ju duhet të kuptoni se ka shumë qarqe që dëshirojnë të shfrytëzojnë situatën momentale, për të bërë lëshime nga ana jonë për çështje të mëdha, jo vetëm shoqërore, por edhe kombëtare. Qeveria jonë, duke u ballafaquar me këtë, ka qëndrim të shprehur dhe të qartë”, tha Papandreu. Për kontestin e emrit me Shkupin, ai theksoi se nuk ka pazarllëqe dhe negociata me çështjet që ndikojnë në integritetin dhe interesat kombëtarë grekë.











