Edhe pse virtualisht, Donald Trump do të jetë prezent në Panairin Ndërkombëtar të Ndërtimit RealEX 2011, që do të zhvillohet në Tiranë, në datat 6-8 shtator. Përmes një videokonference, më datë 7 shtator, miliarderi amerikan Trump do t’u drejtohet pjesëmarrësve gjatë RealEX Awards 2011 “LIVE” nga New Yorku në një prezantim me temën “Ndërtimi pas krizës së 2008-s”. Por nuk mbaron këtu, ai do të marrë pyetje nga publiku shqiptar, si dhe do të ndajë çmimin për “Ndërtuesin e Vitit” për vitin 2011. Panairi Ndërkombëtar i Ndërtimit RealEX 2011 do të mbledhë pranë vetes më shumë se 60 kompani vendëse dhe ndërkombëtare që merren me ndërtim apo prodhim dhe tregtim të materialeve, të cilat do të ekspozohen në tregun shqiptar. Në kuadër të RealEX 2011, do të mbahet edhe Konferenca Ndërkombëtare e Ndërtimit dhe Investimeve, ku do të marrin pjesë një numër i madh i ekspertëve nga Europa, Lindja e Mesme dhe SHBA.











