Pakicat, Qeveria: Librat e shkollat, rimbursohen 100%

Mar 17, 2011 | 11:01

Ministria e Arsimit do të mbulojë 100% çmimin e teksteve shkollore për emigrantët dhe pakicat kombëtare. Qeveria miratoi dje vendimin ku përcaktohet mënyra se si do të blihen tekstet e si do të bëhet kompensimi për këto kategori. “Për tekstet shkollore të pakicave kombëtare, nga klasa I deri IX dhe për tekstet shkollore të fëmijëve të familjeve të emigrantëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, çmimi i blerjes të mbulohet në masën 100 për qind me fondet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, thuhet në vendim. Në shtesën e bërë saktësohet se për tekstet shkollore të fëmijëve të familjeve të emigrantëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, procedura e blerjes së tyre realizohet nga MASH kundrejt procedurave të konkurrimit të hapur me shtëpitë botuese. “Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me selitë diplomatike në këto vende, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, brenda muajit maj të çdo viti, kërkesën për tekste shkollore, të detajuar sipas grup-moshave të fëmijëve të familjeve të emigrantëve që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendim. Sipas tij, MASH  duhet të dërgojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, brenda muajit gusht të çdo viti, sasinë e teksteve shkollore të porositura. “Për tekstet shkollore të fëmijëve romë, nga klasa I deri IX, çmimi i blerjes së tyre të mbulohet 100% nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Drejtoritë përkatëse të shkollave ku mësojnë nxënës romë duhet të dorëzojnë në DAR/ZA-të përkatëse, brenda muajit mars të çdo viti, listën e nxënësve të kësaj kategorie”, saktësohet në vendim. Sipas tij, nxënësit që gëzojnë statusin e të verbrit, të cilët mësojnë në klasat I deri IX, pajisen me tekste shkollore të transkriptuara në shkrimin brail, të regjistruara në audio ose në shkrim të zmadhuar. Çmimi i blerjes së këtyre teksteve të mbulohet 100% nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Këto tekste shkollore janë pronë e shkollës dhe afati i përdorimit të tyre mund të variojë nga dy deri në tre vjet.

© Panorama.al

Te lidhura