Padia ndaj Pacollit në Kushtetuese, dështon AAK

Mar 22, 2011 | 10:00

PRISHTINE- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e partive të tjera opozitare për ngritjen e një padie të re në Gjykatën Kushtetuese ndaj Presidentit Behgjet Pacolli.  Bëhet fjalë për votën që Pacolli i ka dhënë Qeverisë së re të Kosovës, pasi që ishte zgjedhur në postin e presidentit. Ky veprim, sipas AAK’së paraqet shkelje kushtetuese pasi që presidentit nuk i lejohet të ushtrojë poste të dyfishta publike. Mirëpo, për të ngritur këtë padi në Gjykatën Kushtetuese, AAK-së i duhen 30 nënshkrime të deputetëve.

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini,  thotë se nisma e Aleancës nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme, përderisa të martën më 22 mars është afati i fundit për dorëzimin e lëndës në Gjykatë.
“Ka mendime të ndryshme, te partitë e ndryshme lidhur me atë se a duhet të procedohet një kërkesë e tillë apo jo. Aleanca ka provuar, por deri më tani nuk kemi arritur që të kemi dakordim”, ka thënë Gjini për Radion Europa e Lirë.

Pritjet e AAK’së kanë qenë të orientuara kryesisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nga e cila ka kërkuar mbështetje dhe nënshkrimet e deputetëve të saj.

Mirëpo anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala thotë se LDK pret fillimisht nga Gjykata Kushtetuese interpretimin në lidhje me zgjedhjen e Pacollit në postin e presidentit.

“Ne kemi dërguar tashmë një kërkesë, lëndë në Gjykatën Kushtetuese dhe interpretimin që e presim do të sqarojë diçka; a është shkelur kushtetutshmëria ose jo. Nëse është shkelur kushtetutshmëria, i bie që Kosova nuk ka president”, thekson Shala.

Sipas tij, përderisa të mos dihet se a ka apo jo vendi një president të zgjedhur në mënyrë kushtetuese, nuk mund të kërkohet interpretimi nëse presidenti ka shkelur kushtetutën.

LDK e mbështetur nga AAK, me 34 nënshkrime të deputetëve ka proceduar te Gjykata Kushtetuese kërkesën me anë të cilës kanë kërkuar interpretimin në lidhje procedurat e zgjedhjes së Pacollit në postin e presidentit. Deri më tani, Gjykata Kushtetuese nuk ka kumtuar të ketë marrë ndonjë vendim.

Ndërkaq, deputeti i AAK’së, Burim Ramadani ka thënë të hënën për Express se partia do të sqarojë këtë çështje.

“Të martën do të dalim për t’i dhënë sqarimet edhe nëse ka mbështetje, por edhe nëse nuk ka mbështetje. Do t’i sqarojmë të gjitha”, ka thënë ai.

© Panorama.al

Te lidhura