PRISHTINE- Behgjet Pacolli pritet që te lirojë rezidencën sot, në mesditë. Kohe ne te cilen, edhe zyrtarisht, do t’i kumtohet aktgjykimi i Kushtetutës, se zgjedhja e tij në krye të shtetit nuk është bërë në harmoni me aktin më të lartë juridik të vendit. Mediat kosovare raportojne sot se ne të njëjtin moment, diku në Hungari, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, do te marrë përgjegjësitë e ushtruesit të detyrës së presidentit. Do të jetë kjo hera e dytë që Krasniqi e merr këtë mandat brenda shtatë muajve. Në mungesë të tij do të jetë nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ai që mund t’ia kërkojë Pacollit “çelësin e trezorit” të shtetit. Ish-kryetari i Aleancës Kosova e Re, edhe ashtu ka shprehur gatishmëri që ta respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
E perditshmja “Koha Ditore” shkruan sot se ditur se Pacolli ka dashur të largohet nga zyra presidenciale, qysh të hënën në mbrëmje, mirëpo me “insistimin” e disa diplomatëve ndërkombëtarë është tërhequr nga një veprim i tillë. “Miqtë ndërkombëtarë”, sipas një zyrtari të lartë brenda koalicionit qeverisës, jo vetëm i kanë rekomanduar që ta presë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe i kanë thënë që të mos tërhiqet nga gara për president. Pacolli ka heshtur para publikut deri në mbrëmjen e së martës, kur edhe është paraqitur në televizionin publik të Kosovës.
Anulimi i takimeve
Pacolli ka filluar të reflektojë në respektim të Kushtetueses, edhe pa e marrë aktgjykimin. Ai është paraqitur në rezidencë, por nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet prej presidenti. I ka anuluar edhe takimet që i ka pasur në agjendë. Kishte planifikuar të takohej me një grup intelektualësh dhe pasanikësh të Gjakovës. Por, në fakt, ai është takuar me kryeministrin, Hashim Thaçi, për t’i shqyrtuar hapat e mëtejmë të veprimit.
Një njohës i çështjeve juridike dhe kushtetuese ka thënë se kahja e zhvillimeve të ardhshme, në masë të madhe do të varet nga formulimi i aktgjykimit të Kushtetueses.
Mundesite
Sipas tij, Gjykata i ka dy mundësi: të japë ndonjë rekomandim për Kuvendin se çka duhet bërë tutje, por edhe të mos e bëjë këtë gjë, dhe vetëm ta konstatojë shkeljen që është bërë me rastin e zgjedhjes së presidentit. “Rasti i parë do të ishte më i favorshëm për Kuvendin, për shkak se do të dihej se çka duhet bërë, kurse rasti i dytë mund të linte prapë hapësira për interpretime të ndryshme, sesi duhet proceduar çështja e zgjedhjes së presidentit”, është shprehur ky jurist.
Për bindjen e tij, në rast se Gjykata nuk jep rekomandime, Kuvendi nuk ka nevojë që ta thërrasë ndonjë seancë të re për rivotim të presidentit.
“Në një situatë të tillë, kryeministri Thaçi, pas konsultave me partnerët e koalicionit, do të duhej t’i bënte kërkesë u.d të presidentit, për thirrjen e një seance, me të vetmen pikë të rendit të ditës: zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ai.
Por, burime të gazetës brenda Presidencës së Kosovës, duke iu referuar argumenteve të paraqitura nga trupi gjykues i Kushtetueses, një ditë më herët, kanë treguar se Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë sugjerim për Kuvendin e Kosovës sesi duhet të veprohet tutje. Gjithashtu nuk është dhënë ndonjë afat kohor se brenda sa kohe duhet të zgjidhet presidenti. Të njëjtat burime kanë treguar se në arsyetimin e Gjykatës nuk është përmendur fare termi “kuorum”. Por është lënë të kuptohet se në procesin e votimit për zgjidhjen e presidentit të Kosovës medoemos duhet të jenë të pranishëm në sallë 2/3 e deputetëve e që në rastin e zgjedhjes së Pacollit president nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm.
Makolli: Thaci te permbushe marreveshjen
Shefi i Grupit parlamentar i Koalicionit Kosova e Re, Ibrahim Makolli, ka parapëlqyer të rezervohet në dhënien e shpjegimeve sesi do të rrjedhin gjërat gjatë ditëve në vijim, ndonëse nuk e ka përjashtuar mundësinë që Pacolli të rikandidohet sërish për president shteti.
Ai ka rikujtuar se mes KKR-së dhe PDK-së ekziston një marrëveshje, përmes së cilës Pacollit i garantohet posti i presidentit.
“Prandaj ne presim nga kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, që ta përmbushë marrëveshjen”, ka shtuar Makolli.











