Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, zhvillon vizitën e parë zyrtare jashtë vendit që pasi mori detyrën e re në 22 shkurt.Ashtu siç kishte premtuar Pacolli, udhëtimin e parë e bëri në Tiranë ku mbërriti dje paradite për të takuar krerët më të lartë të shtetit. Fillimisht ai u prit në Pallatin e Brigadave nga homologu i tij Bamir Topi, ku pas takimit kokë më kokë dhe atij mes delegacioneve, dy Presidentët dolën para mediave. Bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës ishte kryefjala e të gjitha deklaratave të Presidentit Pacolli në vendin tonë. Si pikënisje të kësaj nisme të re, ai propozoi takimet të paktën dy herë në vit mes Presidentëve, Kryeministrave dhe krerëve të Parlamenteve të Tiranës dhe Prishtinës. “Pse këtë? Ne e kemi hapur kufirin tonë përpara njëmbëdhjetë vjetësh. Kemi hapur kufirin tonë me forcë. Atëherë ai kufi ka qenë i blinduar. Dhe tani nuk do të na e falë askush, nëse ne nuk vazhdojmë që edhe këto barriera që kanë mbetur, të mos i heqim prej rendit të ditës. Të sigurojmë lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave, të ideve, të kapitaleve. Së pari mes nesh”, u shpreh Pacolli. Sipas tij, hapi i parë i lëvizjes së lirë është pikërisht kalimi i kufirit pa dokumente, përfshi këtu pasaportat dhe letërnjoftimet. Presidenti i Kosovës tha se integrimi në rajon është një parakusht për integrimin më pas në Bashkimin Europian. Presidenti Bamir Topi, gjatë takimit me homologun e tij i përkufizoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të mira për sa i përket atyre politike, por që nuk janë në sintoni me ato ekonomike. “Vende, të cilat prej vitesh njohin një klimë të mirë të marrëdhënieve politike, të stabilizimit të raporteve të reja politike dhe institucionale, por për fat të keq nuk shkojnë në sintoni me zhvillimet e pritshme ekonomike”, tha Topi. Gjatë fjalës së tij në Parlament, Kreu i shtetit kosovar, iu referua rrugës Durrës- Kukës prej nga erdhi për në Tiranë, për të thënë se ky aks është vektor themelor i këtij bashkëpunimi, siç e quajti ai. “Ne duhet t’i japim kuptim sakrificave të mëdha historike të heronjve tanë të përbashkët, angazhimit shekullor të paraardhësve tanë, duke hapur pista të reja bashkëpunimi. Rruga e Kombit është vektori themelor i këtij bashkëpunimi, i këtij integrimi. Ne mund të nderojmë paranë publike të harxhuar për të, duke qarkulluar në atë rrugë, në mënyrë shumë më intensive sesa sot, duke e mbushur atë plot e përplot me mallra, kapitale, ide, njerëz”. Duke vënë theksin disa herë dje në bashkëpunimin mes dy vendeve, Pacolli iu referua Arbën Xhaferrit, i cili i ka quajtur trojet shqiptare “Komunuelthi shqiptar”. “Nuk po propozoj diçka tabu, që të frikësojë kënd. Kufirin mes nesh e kemi rrënuar me forcë para 11 vjetësh; tani na mbetet shumë pak për të përkryer këtë. Falë të kaluarës dhe vlerave të saj, të ndërtojmë të ardhmen. E ardhmja është bashkimi ynë kombëtar, por jo në atë mënyrë destruktive siç do që ta kuptojë dikush. Bashkimi kombëtar do të jetë ai që do të na rekomandojë Bashkësia Evropiane. Sot do t’i thyejmë barrierat kufitare jo me dhunë, por me dashuri. Ja kemi detyrim brezit të ri të shteteve tona”, u shpreh Pacolli.
Berisha: Investime në rrugë për të lidhur më tepër dy vendet
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, u takua dje në mesditë edhe me kryeministrin Sali Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare dhe Pacolli vlerësuan se bashkëpunimi është në shërbim të interesit më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, paqes, stabilitetit e miqësisë midis vendeve të Ballkanit perëndimor e më gjerë, si dhe ecjes përpara me shpejtësi drejt së ardhmes së përbashkët në Bashkimin Europian dhe në komunitetin euroatlantik. “Ata rikonfirmuan vullnetin për ndërtimin e një sërë veprash infrastrukturore që do të lidhin dy vendet dhe do të forcojnë shkëmbimet midis qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, përfundimin e rrugës së kombit dhe asket e tjera rrugore që lidhin dy vendet, nevojën për lidhje hekurudhore, si dhe fillimin e punimeve brenda këtij viti, të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt, Tiranë – Prishtinë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Nga ana e tij, Pacolli u shpreh se “heqja e vizave për qytetaret shqiptarë është një mrekulli e vërtetë për të cilën shqiptarët do t’ju jenë përherë mirënjohës ju, zoti Kryeministër, dhe reformave të qeverisë suaj”.
“Presidenti të zgjidhet nga populli”
Bamir Topi dhe Behgjet Pacolli janë bashkuar edhe në një pikë tjetër, përsa i përket zgjedhjes së Presidentit nga populli. “Ju garantoj se gjatë mandatit tim do të promovoj me të gjithë fuqinë institucionale, profesionale, personale që kam, që Kushtetuta, në atë pikë ku flitet për zgjedhjen e Presidentit, të ndërrohet dhe Presidenti i Kosovës të zgjidhet nga qytetarët”, është shprehur Pacolli gjatë komunikimit me mediat. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Topi, i cili ka thënë se “Unë kam qenë gjithmonë i atij parimi që Presidenti të mund të zgjidhet nga populli, jo sepse kjo rrugë, nga Parlamenti, nuk është një rrugë që nuk konsiderohet legjitime, përkundrazi, ka edhe eksperienca të ndryshme”.
Pacolli merr “Çelësin e Tiranës”
Kreu i shtetit kosovar ka marrë dje gjatë takimit me Ramën “Çelësin e Tiranës”. Në përfundim të takimit, Pacolli tha se “Keni bërë shumë për këtë qytet. “Ishte një moment i këndshëm dhe nuk do të jetë vizita ime e fundit. Unë do të vij dhe do ta vizitojë, pasi aty ku ndërtohet është dhe vendi im. Do të jap kontributin tim, drejt apo indirekt për Bashkinë e Tiranës. Është kryeqyteti edhe i Kosovës, edhe i kombit”. Ndërsa Rama tha se “Sot është një ditë e bukur, një ditë pranverë dhe s’kishte ditë më të përshtatshme për të mikëpritur Presidentin e ri të Kosovës, duke i dhënë në dorë “Çelësin e qytetit” dhe duke i shtrënguar dorën e vllazërimit”.
Me Topallin
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh dje gjatë takimit me Kreun e shtetit kosovar, se pavarësia e shtetit më të ri në botë është e pakthyeshme. “Gjatë takimit, dy bashkëbiseduesit u dalën edhe tek proceset integruese rajonale, duke theksuar perspektivën e të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian. Kryetarja e Kuvendit theksoi se Pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm, i cili shërben edhe si një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit. Ndërsa Pacolli tha se “Marrëdhëniet tona midis vendeve janë miqësore dhe të shkëlqyera dhe vlerësoj të ecim me këto ritme për të hequr çdo barrierë që pengon bashkëpunimin tonë të mëtejshëm në të gjitha fushat”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











