Pacolli: Bashkimi të nisë me hapësirën e përbashkët ekonomike

Mar 21, 2011 | 10:44

Për Presidentin e ri të Kosovës, Behgjet Pacolli, Shqipëria dhe Kosova duhet të nisin nga ekonomia, pastaj vijnë realitetet e tjera. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama”, Kreu i Shtetit kosovar flet për profilin e tij njerëzor, akuzat e shtypit ndaj tij dhe për marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë.

Si ka qenë muaji i parë i aktivitetit tuaj në krye të shtetit më të ri në botë?
Së pari, më lejoni të përshëndes vëllazërisht lexuesit e gazetës më të madhe shqiptare “Panorama”, me rastin e vizitës sime të parë në Shqipëri.
E gjithë periudha njëmujore e aktivitetit ka qenë e ngjeshur. Duhet të kryeja një cikël takimesh të para me të gjithë institucionet e varësisë, dhe pastaj takime të tjera protokollare. Por, mbi të gjitha si njeri i punës që jam, së bashku me stafin tim kam kryer disa veprimtari shumë angazhuese, shumë sfiduese jashtë veprimtarisë protokollare. Besoj, ia kemi arritur të krijojmë bindjen se Presidenca e Kosovës do jetë aktive, do të përballet me komplekset rreth saj, dhe se do të tregojë gjatë gjithë mandatit harmoni me institucionet e tjera, por dhe pavarësi prej tyre.
Diçka për profilin tuaj njerëzor. Kush është Behgjet Pacolli? Rinia, familja, biznesi.
Shikoni, jeta ime është një libër i hapur, jo thjesht në pikëpamje metaforike. Unë kam ditur të përballem me të kaluarën time, në mënyrën më të sinqertë të mundshme. Libri im autobiografik që ka dalë kohët e fundit dhe në libraritë e Tiranës e të gjithë Shqipërisë, pa modesti më duhet të them se është ndoshta përballja më e plotë e dikujt në jetën tonë publike në Kosovë me të kaluarën e vet. Dhe më besoni se ndihem shumë mirë që e kam bërë këtë. I kam besuar gjithmonë sinqeritetit si vlerë që ma kanë mësuar të parët e mi dhe bilanci im jetësor më rezulton diçka për të cilën duhet të krenohem. Nëse do më duhej t’ia nisja jetës dhe njëherë nga e para, do ta jetoja saktësisht siç e kam jetuar deri më tash. Kam qenë një i ri që vinte çdo javë nga provinca në udhëtime të gjata në këmbë në gjimnazin e Prishtinës. Por isha plot vlera, plot energji, dhe kjo energji më shtohej edhe më shumë, megjithë punët e rënda që kryeja në fshatin tim të lindjes, Marec. Kam përshtypjen se me rezultate të shkëlqyera në universitete perëndimore dhe në përgjithësi me rezultatet në jetën time të mëpastajme, ia arrita të mundja moshatarët e mi të asaj kohe, që vinin prej “aristokracisë qytetëse” të Prishtinës. Them kushtimisht- i munda, në kuptimin se përbuzjes së tyre për varfërinë time, iu përgjigja me suksese dhe të arritura reale në jetë. Dikush vëren me një lloj cinizmi shqipen time që ka mbetur për shumë anë, e njëjta me atë të kohës kur lashë Kosovën, por asaj shqipeje i kam përngjitur shumë gjuhë të huaja, që i kam mësuar rrugëve të jetës sime të pasur. Zgjodha marketingun si degë studimi, por hodha rrënjë në biznesin e ndërtimit, pas një eksperience të parë në tregun botëror të makinave tekstile. Lashë atje pa “copyright” një formulë timen për prodhimin e tekstileve me ndihmën e informatikës dhe iu përkushtova ndërtimit si një zeje e përbotshme që lë gjurmë të përjetshme për brezat. Kam ndërtuar kudo, nga ish-vendet sovjetike në SHBA, në Peru, në Kinë, kam themeluar qytete dhe jam rob i botës, i globalizmit. Por, më në fund jam kthyer nga ia nisa, në Kosovë. Dikush thotë se njeriu kërkon tërë jetën rrugëve të botës diçka që i nevojitet, dhe më fund kthehet dhe e gjen në shtëpinë e vet.
Shtypi i Shqipërisë ka botuar kryesisht artikuj apo komente të gazetave të Kosovës rreth jush, në lidhje me të kaluarën tuaj. A keni ndonjë shpjegim për to?
Plotësisht e vërtetë dhe më duhet të them me keqardhje, se megjithëse jemi vëllezër të një gjaku, në kohët tona të mediave të “realtime” e njohim shumë pak njëri-tjetrin. Mediat respektive e mbulojnë veprimtarinë e shoqërive tona tek rubrika e ngjarjeve nga rajoni.
Në lidhje me shkrimet mbi personalitetin tim, vlen shumë kjo që thoni ju, se përgjithësisht këtu gazetat u janë referuar artikujve të njërës gazetë të Kosovës. Do doja të citoja një diplomat të shquar të Shqipërisë, Besnik Mustafajn, që tek gazeta juaj para disa ditësh thoshte në mënyrë ironike se “e kemi njohur mjaft mirë anën njerëzore të zotit Pacolli… dhe se do të ishte një ushtrim i padobishëm për cilindo, ripërtypja mediatike e gjërave të thëna e të stërthëna për të”. Mendoj se ai e ka shprehur në mënyrë mjaft elokuente atë që ka ndodhur me mua, atë që ka bërë një pjesë e shtypit tonë në Prishtinë, apo këtu. Po t’i shtojmë këtu dhe faktin se rastësisht ose jo, këta artikuj kanë pasur referenca nga shtypi rus, nga shtypi serb dhe ndonjëherë nga shtypi perëndimor, atëherë thirrja ime që ne ta njohim më mirë njëri-tjetrin nëpërmjet një mbulimi mediatik serioz, është më e domosdoshme. Dua t’ju pyes juve ndërkaq: a besoni vërtet se portreti im real është ky që vjen prej “sublimimit” apo ripërtypjes aktuale të këtyre artikujve? S’jam vërtet kaq elokuent sa zoti Mustafaj, i cili diku në artikullin e vet thotë se “kritizerët e tij të shumtë i kanë ende orët të kurdisura, kryesisht në të kaluarën parapolitike të Behgjet Pacollit”. Dmth, shumë mbrapa.
Le të themi diçka për “Kohën Ditore”. Në të vërtetë, unë i çmoj shumë aftësitë intelektuale të zotit Surroi dhe grupin mediatik që ai ka ngritur, e çmoj shumë rolin pionier të kësaj medie, madje në rrafsh kombëtar. Jam trishtuar pak, sepse disa gazetarë nga ky grup në periudhën para zgjedhjes sime President, njësoj sikur në zgjedhjet e 2007, kanë botuar vetëm artikuj kritikë, duke më pasur mua target në gjithçka, duke nxirë gjithçka të personalitetit tim, të familjes sime, të punës sime. Atje janë botuar vetëm komente, mbështetur kryesisht mbi tituj gazetash, që jo rrallë unë kam përtuar apo s’ia kam dalë t’i përgënjeshtroj plotësisht. Por, tash më vjen mirë, pasi më duket që diçka ka ndryshuar. Ata po mbulojnë përgjithësisht në mënyrë korrekte aktivitetet e Presidencës. Më vjen mirë të citoj sërish, zotin Mustafaj, që është siç më kanë thënë, mik i zotit Surroi, dhe të cilin unë nuk e kam njohur kurrë më parë: “Me bataretë e tyre ata mund të destabilizojnë sadopak Presidentin Pacolli, sidomos e kanë të lehtë ta destabilizojnë një President fillestar, por nuk e delegjitimojnë dot atë… tërthorazi dëmin më të madh ia bëjnë vendit, duke ulur a priori cilësinë e punës së Kryetarit të Shtetit”. Megjithatë, duhet ta përgënjeshtroj zotin Mustafaj: a priori dhe mund ta ulin mediatikisht cilësinë, por faktet flasin ndryshe. Veprimtaria ime si president, në këtë muaj të parë ka gjetur një konsensus në rritje të popullit të Kosovës.
Si do t’i konsideroni diskutimet dhe iniciativat e opozitës në lidhje me procedurat e zgjedhjes suaj?
I quaj plotësisht të drejta, megjithëse deri diku të shpërpjesëtuara, sa i takon cenimit në ndonjë rast të personalitetit tim prej ndonjë politikani. Pse i quaj të drejta? Duhet ta pranojmë se institucionet tona zgjidhen, funksionojnë në një bazë ligjore dhe kushtetuese tërësisht të re dhe, me siguri, brenda këtyre rregullave ka boshllëqe që duhen mbushur me amendamente. Këto diskutime, këto iniciativa do të shërbejnë që të vërehen më mirë këto boshllëqe për shembull në rastin e zgjedhjes së Presidentit etj, etj.
I konsideroj të shpërpjesëtuara reagimet ndaj meje, për arsyet që i thashë më sipër, sepse shpesh ndonjë politikan më ka kritikuar mbi bazë të raportimeve apo komenteve tendencioze, si në një rreth vicioz. Dua të shtoj se unë në aktivitetin tim partiak të mëhershëm kam qenë thellësisht konstruktiv, rob i pikëpamjes se Kosovës që i duhej stabilitet në momentet e para të themelimit të shtetit të vet. Ne nuk kemi për shembull luksin të kemi një mjedis politik polemik si Shqipëria, ku demokracia është mjaft e gjallë dhe vibrante. Ndërkohë, një pjesë e këtyre kritikave tash duhet të konsiderohen se nuk më drejtohen vetëm mua, por dhe institucionit që unë drejtoj. Legjitimiteti ynë është legjitimiteti i institucioneve të Kosovës, i vetë Kosovës. Më vjen mirë se shumë miq dhe kolegë ndërkombëtarë e kanë njohur dhe e kanë vlerësuar këtë legjitimitet, duke e përshëndetur zgjedhjen time. Kam marrë shumë ftesa për vizitë prej homologëve të mi nga shumë vende, madje dhe nga fuqi të mëdha. Kam bindjen se dhe kritikët më të mëdhenj të mitë që unë i vlerësoj shumë, do të habiten për mirë prej mënyrës si unë do ta zhvilloj Presidencën. Kushdo, në mënyrë të veçantë ata që më kritikojnë, do ta kenë përherë të hapur derën e këtij institucioni. Ai është i të gjithëve, është i Kosovës.
Qasja juaj individuale ndaj Shqipërisë. Si e shihni ju Shqipërinë, dhe kur keni rënë në kontakt me të?
Shikoni, që nga koha kur kuptoja diçka rreth botës, unë jam edukuar me dashurinë për Shqipërinë, që ne gabimisht ose jo, për një farë kohe e kemi identifikuar me liderin e saj. Madje, thuajse të gjithë e donin asokohe liderin e saj. Mbaj mend se hanim shkopinj, pse ndiqnim qoftë dhe sa për ta prekur pak, një makinë të Shqipërisë dhe profesorët që vinin prej andej. Sigurisht Shqipëria, për ne shqiptarët e Kosovës është atdheu ynë, është vendi ynë dhe ne i ndjekim me shumë ndjeshmëri ngjarjet e këtushme. Ne gëzohemi dhe hidhërohemi njëjtë me ju, apo ndoshta dhe më shumë për sukseset apo dështimet e saj, kur Shqipëria prosperon apo vuan. Kështu ka qenë kurdoherë, dhe vërej se dhe tek të rinjtë e Kosovës është njëjtë sikur me ne. Unë kam qenë për herë të parë në Shqipëri në vitet 70 dhe jam larguar gati me forcë prej autoriteteve, me rastin e vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Kam ardhur shpesh pas vendosjes së demokracisë, megjithëse s’pata mundësitë e plota të zhvilloja një pjesë të aktivitetit biznesor këtu.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me klasën politike të Shqipërisë?
Siç e thashë dhe më parë, unë kam qenë prej kohësh në Shqipëri dhe kam asistuar në ngritjen e shumë fabrikave nga Jugu në Veri, që janë sjellë prej meje. Në këtë kuadër, kam zhvilluar aktivitet biznesor në vitet ’70 këtu dhe njoh shumë mirë prej atëherë Vilson Ahmetin, i cili është prej një kohe të gjatë shefi i Mabetex-Shqipërisë. Po rendit tash sipas kohës kur i kam njohur, personalitetet e Shqipërisë. Kam njohur më vonë ish-presidentin Berisha që sot është Kryeministër e kam vlerësuar shumë përkushtimin dhe seriozitetin e tij në institucionet që ka drejtuar dhe drejton. Ju e dini se zoti Berisha vlerësohet pa masë tek ne për rolin e tij ndaj Kosovës. Kam njohur presidentët Moisiu dhe Meidani, të cilët i çmoj gjithashtu për mënyrën si e kanë kryer mandatin e tyre dhe angazhimin që kanë pasur për Kosovën. Kam marrëdhënie shumë të mira dhe vëllazërore me Presidentin aktual Bamir Topin që e çmoj për urtësinë e tij. Kam pasur marrëdhënie shumë të mira me zotin Nano, zotin Meta, zotin Rama etj.
Po në aspektin politik, apo të marrëdhënieve ndërshtetërore, cila është qasja juaj?
Për shkak të aktivitetit tim të mëparshëm, unë kam një qasje konkrete dhe për marrëdhëniet politike dhe ndërshtetërore midis dy vendeve, meqenëse duhet të shprehemi kështu. “Rruga e Kombit” është një kryevepër, por ajo s’mund të jetë gjithmonë e tillë, nëse në atë rrugë, jo vetëm simbolikisht nuk qarkullojnë me shpejtësi ide, mallra, kapitale, njerëz, nëse nuk arrihet mirëqenie dhe zhvillim. Ne duhet të integrohemi me shpejtësi mes veti, dhe kjo aspiratë nuk shkon kundër rekomandimeve të Bashkimit Europian.
Kam lexuar kohët e fundit një studim për potencialet ekonomike të viseve shqiptare, para copëtimit në fillim të shekullit XX. Këto vise përfaqësonin një hapësirë plotësisht komplementare nga pikëpamja ekonomike, bujqësore, tregtare, e komunikacionit etj.
Ne mund ta rikrijojmë atë potencial në kushtet e sotme, duke ndërtuar kështu një hapësirë të përbashkët ekonomike. Kur të jemi brenda kësaj hapësire, do t’i shohim më qartë realitetet e mëvonshme. Në vizitën time sot në Tiranë do të flas pikërisht për mundësitë që kemi në krijimin e kësaj hapësire. Sigurisht, duke ftuar dhe shtetet e tjera brenda saj.
Ju gjatë fushatës keni hedhur shumë ide, për sa i takon zhvillimit ekonomik të Kosovës. Si do t’i zhvilloni këto ide në detyrën e re, sepse Presidenti nuk ka kompetenca në këtë fushë?
Po, është e vërtetë. Që në vitin 1999, ekipet e ekspertëve të ngarkuar prej meje, kanë shqyrtuar nevojat e ekonomisë sonë dhe kanë përgatitur plane të detajuara për zhvillimin e saj. Unë studiova modelet e privatizimit gjerman dhe polak dhe mendoj se ai polak ishte më i suksesshmi. I kam bërë publike këto ide, vizionin tim dhe jam munduar ta jetësoj atë. Unë mendoj se populli ynë, pjesa fshatare e tij duhet t’i kthehet traditës së shkëlqyer të punimit të tokës, që është problem dhe këtu. Nuk duhet braktisur toka, duhen jetësuar modele perëndimore të shfrytëzimit të saj, të shfrytëzimit të blegtorisë, të burimeve natyrore. Kosova është një vend i bekuar nga Perëndia. Përkundër këtij mobilizimi, qeveria duhet të krijojë mundësi për sisteme kreditimi, për thithje investimesh të huaja etj. Praktika e zonave të lira gjithashtu, duhet zbatuar si për shembull në pjesën kufitare të vendit me Serbinë.
Unë do të bashkëpunoj me qeverinë për t’i çuar para ato ide. Partia nga unë vij, AKR-ja, do të përpiqet që t’i jetësojë ato ide në veprimtarinë e saj brenda qeverisë.
Shtypi perëndimor, dhe në përgjithësi shtypi ndërkombëtar, mundohen të heqin paralele midis përfshirjes suaj në politikë dhe asaj të ndërrmarrësve të mëdhenj të përmasave tuaja. A shikoni qasje të tilla?
E di, se shtypi dhe media në mënyrë të ngjashme me mendjen njerëzore shpesh operojnë me stereotipe. Ekziston një stereotip i njeriut me pasuri të një përmase të caktuar, që angazhohet në politikë në nivele të larta. Si pasojë, mediat e përfshira në punë të përditshme, përtojnë jo rrallë të bëjnë diferencime, por i referohen këtij stereotipi. Për më shumë, duke studiuar mënyrën si jam trajtuar në media të ndryshme, kam arritur në përfundimin se jo rrallë unë kam rënë viktimë e stereotipit negativ mbi shqiptarin, i cili s’prodhon dot lajme pozitive, as kur bën vepra të mira. Ai patjetër duhet të ketë njolla të errëta në të kaluarën e vet etj, etj. Por dua të bëj një saktësim, megjithëse thashë diçka në një pyetje të mëhershme. Nëse ka pasur ndonjë shkrim negativ rreth meje në shtypin perëndimor, ai e ka burimin kryesisht në shtypin serb, rus, apo dhe në ndonjë media në Kosovë. Artikujt apo opinionet negative të dikujt në Kosovë janë si burim i keqpërdorimit të fuqisë së medias, i dhunimit të personalitetit tim, shprehje e vullneteve negative, e inateve ndaj meje dhe më duket se dhe ju në Shqipëri e keni një problem të ngjashëm. Kur dikush merret si target, ai goditet në të gjithë elementët e jetës së vet, të punës së vet, familjes së vet etj. Aq imazh i rrejshëm krijohet me këtë teknologji, sa më besoni, kur jashtë vendit më ka mbërritur jehona e këtyre lloj informacioneve që vinin nga Kosova, s’e kam njohur veten. Edhe artikujt që u botuan tani, e kanë burimin këtu. Realisht, shtypi perëndimor në masën më të madhe është marrë me sukseset e mia dhe jo me keqtrajtimin tim mediatik, të familjes sime dhe nesër mbase do shkruajë një libër tjetër, pikërisht me këto abuzime. Ditët e fundit jam përballur me disa prej këtyre kritikëve në një emision, dhe madje jam veshur si ata. I jam përgjigjur çdo pyetjeje dhe, në fund, më duket se e fitova debatin në  planin moral, siç ma konfirmuan një numër i madh teleshikuesish. Disa prej këtyre kritikëve kanë ardhur dhe më kanë kërkuar falje për qasjen e gabuar që kanë pasur rreth meje.
Më duhet të them se jeta ime, dje dhe sot, realisht është jashtë stereotipeve të këtij lloji. Unë nuk i kam bërë pasuritë në vendin tim. Unë nuk kam kontrolluar asnjëherë porcione të rëndësishme të pushtetit mediatik. Unë asnjëherë nuk kam qenë i hetuar, apo i dënuar nga drejtësia e një vendi. Unë kam zhvilluar shumë veprimtari filantropike shumë shpesh jashtë vëmendjes së mediave. Unë jo rrallë jam viktimë e sinqeritetit tim natyral, që nuk është deformuar as prej eksperiencës intensive profesionale jashtë. Dhe mbi të gjitha,-koha do ta provojë- shkëputja ime prej biznesit porsa mora detyrën- është një model dhe për jashtë Kosovës, për mënyrën si është zgjidhur konflikti i interesit si funksionar i lartë publik dhe bizneseve që kam drejtuar apo disponuar më parë.
Diçka për bisedimet me Serbinë…
Unë i kam bërë të qarta qëndrimet e mia rreth tyre. Siç dihet, unë jam vetëm një institucion në hierarkinë e institucioneve të Kosovës. Personalisht, do dëshiroja përfshirje intensive të të gjithë palëve, pra dhe të opozitës në formulimin e temave, të axhendës etj, etj, në mënyrë të ngjashme me bisedimet e mëhershme për Pakon e Ahtisaarit, apo në ato të Rambujesë. Por, edhe kështu si po ecin bisedimet, ka hapësira për përfshirjen e opozitës. Unë i vlerësoj shumë qëndrimet e opozitës në kritikë të këtyre bisedimeve, sepse mendoj se ato madje e forcojnë pozitën negociuese të vetë qeverisë në këto bisedime. Ndërkohë, besoj se për shkak të sugjerimit të miqve tanë europianë dhe amerikanë, që na kanë ndihmuar për t’u çliruar, për t’u themeluar si shtet, ne duhet të bisedojmë me fqinjët. Por, duhet të bisedojmë, dhe pse është interesi ynë për të zgjidhur çështje praktike (jam dakord se ato s’janë vetëm praktike, por dhe politike) apo të ndjeshme që na shqetëson, si p.sh. çështja e të zhdukurve. Le të marrim më konkretisht një çështje praktike. Një pjesë e kritikëve të bisedimeve kanë denoncuar më parë kontrabandën që zhvillohet në veri. Shumë drejt e kanë pasur. Por a dini ndonjë mënyrë që ajo të ndalet pos bisedimeve? Jo. Diçka tjetër. Plotësisht e drejtë se Serbia ka shumëçka për t’i kthyer Kosovës. Por a ka rrugë tjetër për t’ia kërkuar ato, pos bisedimeve? Europianët dhe SHBA nuk mund të jenë korrierët tanë tek serbët për kërkesa të tilla.
Ndërkohë, unë e kam deklaruar se janë të papranueshme diskutimet për sovranitetin e vendit dhe se ka vija të kuqe në lidhje me këto çështje. Jam plotësisht dakord me një sugjerim të opozitës dhe shoqërisë civile, se çdo marrëveshje eventuale duhet të kalojë në Parlament.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura