Dita e sotme më la dy përshtypje, që megjithëse rrjedhin nga ngjarje të kundërta, njëra tragjike dhe tjetra festive, bashkohen në gjëra të njëjta dhe krijojnë gati të njëjtat emocione. “E dinim që kjo do të ishte dita kur të gjithë do të vijnë e do kërkojnë të na ndihmojnë, të djathtë, të majtë, shoqatat, mediat…”, kështu më tha mikesha ime që humbi vajzën 19-vjeçare në Gërdec, përpara tre vjetësh. “ Në 15 mars ftohemi nga të gjithë, PS-ja, PD-ja, pushteti lokal, televizione, që së bashku me ta të kujtojmë të dashurit që humbëm. Kjo është si të tallen me ne, dimë vetë se si t’i kujtojmë, s’kemi nevojë për njerëz që na gjenden në hall vetëm për interesin e tyre..”. Pasi dëgjon këto rrëfime të sinqerta, e kupton shumë mirë se njerëzit nuk mund të gënjehen dot, ata janë thjesht të mjerët që nuk kanë rrugëzgjidhje dhe s’dinë si ta kërkojnë atë. Duken të urtë përpara politikanëve dhe i lënë ata të zbrazin bataretë e entuziazmit mediokër, i lenë të thonë po të njëjtat fjalë. Sa më shumë flasin politikanët me atë lloj toni, me atë lloj fjalori dhe me ato lloj gjestesh, aq më shumë qytetarët largohen shpirtërisht prej tyre, bëhen më mosbesues. Njerëzit në Shqipëri nga kjo lloj fatkeqësie po mençurohen për ditë e më shumë: edhe bariu i largët që sheh çdo ditë lajmet dhe nuk takon ndonjëherë ndonjë politikan, ta pyesë se ç’halle ka, ai di ta rendisë siç duhet filozofinë e tij për jetën dhe për shtetin. Politikanët harxhojnë kohën për të sharë njëri-tjetrin me një mungesë të theksuar fantazie dhe elokuence. Kjo e bën dëgjuesin popull jo vetëm mospërfillës, por edhe ironik. Për fatin e keq të tyre, politikanët shqiptarë që nuk kanë ose, më mirë, nuk pranojnë këshilltarë të mençur dhe bëjnë siç dinë vetë…iu duket sikur populli I dëgjon dhe e ka mendjen tek ta, nuk e kuptojnë dot ironinë, nuk e kapin dot antenën shpirtërore të njerëzve, janë larg sinjaleve të alarmit. E njerëzit, kanë frikë ta ndezin sinjalin e rrezikut, sepse tremben se jeta e tyre është në dorë të politikanëve që e bëjnë atë si të duan.
E gjithë kjo marrëdhënie s’ka bërë tjetër vetëm se ka krijuar ndarjen. Nga njëra anë politikanët, me pak njerëz rreth vetes, me ca shoqëri civile e me ca media. Nga ana tjetër populli i vetëm, me një aleancë të dobët me veten, sepse nuk ka arritur në stadin e (vetë)besimit, por ka bërë hapin e madh të rëndësishëm: të ketë dyshim për ata që e gënjejnë. Në rastin e Gërdecit, populli mençurohet, fatkeqësia e ka bërë atë të ndiejë dhe të mendojë më shumë se më parë. Megjithëse kjo shoqërohet me gjeste të pashmangshme militantizmi, procesi i ndërgjegjësimit ka nisur.
Gërdeci është një përkujtimore, ku politikanët duhet të prisnin se a do të ftoheshin nga të afërmit e viktimave apo jo, a do të thërriteshin për të vënë lule në varret e tyre. Ata, politikanët, duhet të ishin kokulurit, të penduarit, mëkatarët, të shqetësuarit, se i kanë humbur lidhjet me njerëzit), të paqetë se janë të paaftë të kapin sinjalin e antenave të dhimbjeve qytetare….Pa lidhje…nuk mund të ndodhë kështu…
Ajo që më çuditi në Ditën e Verës, ishte një tjetër lloj gjendje pa lidhje që njerëzit kanë ndaj udhëheqësve të tyre..Ndodh shpesh, ndodh gjithmonë…por asnjëherë nuk e kuptoj dot tamam pse festat që nuk lidhen me ngjarje politike, pra ato fetare, apo pagane, duhet patjetër të komentohen nga këndvështrimi politik: filan politikan që bëri vizitën apo tha fjalën e rastit. Madje edhe media mjaftohet me këtë lloj lajmi për të përmbyllur të gjithë informacionin e evenimentit. Duket shumë qartë që komuniteti nuk përfillet. Natyrisht, unë e di që komuniteti nuk ka peshën e duhur për të kryesuar qoftë edhe një festim masiv, por edhe nëse do ta bënte, vëmendja përqendrohet se c”bën udhëheqësi, kë takon, ç’thotë, ç’humor ka etj. Edhe kjo është krejtësisht pa lidhje me qëllimin, pavarësisht se udhëheqësit mendojnë se kanë korrur sukses….Dita e Verës në Tiranë më bëri një përshtypje shumë të shëmtuar, kur, pasi njerëzit kishin kaluar për të bërë shëtitjen e Bulevardit qendror, kishin blerë ballokumet dhe kishin vazhduar shëtitjen në kodrat e liqenit artificial, prapa tyre ishte shpalosur një kasaphanë plehrash nga më shumëngjyrëshet, qese, letra, ushqime….E pra, ishin banoret e këtij kryeqyteti që janë mësuar të dëgjojnë përditë udhëheqësit e pushtetit qendror dhe lokal të flasin për përpjekjet që bëhen për të përmirësuar jetën e tyre. Ai pisllëk i pasfestës i ngjante ose një mungese të thellë qytetarie, ose një hakmarrjeje ndaj të gjithë atyre që bëjnë sikur u dhimbsen njerëzit. Shkurtimisht, s’do të thosha që e para është një gjë e panjohur për shqiptarët: nuk ka kujdes ndaj qytetit, nuk ka respekt për tjetrin, nuk ka bindje ndaj ligjit. Por megjithatë, e para është shumë e riparueshme nëse udhëheqësit do të tregonin kujdesin dhe dhembshurinë për njerëzit, do të kërkonin llogari, do t’i përkushtoheshin edukimit të sjelljes dhe ndërgjegjes qytetare.
Nuk mund ta le pas dore pjesën e hakmarrjes të lidhur me indiferencën, lodhjen. Hakmarrja e ardhur nga një subkoshiencë sarkastike. Me këtë njerëzit duan t’u thonë udhëheqësve se këtë meritoni, se e ashtuquajtura përpjekja juaj për të na ndihmuar, është vetëm një farse dhe aq sa ka nxënë shqiptari nga historia e tij, kjo është mënyra më e mirë për të bërë së bashku një harakiri…se ndofta këtë meritojmë…
Gjithsesi, të dyja impresionet e mia u vërtitën rreth një mungese koherence mes dy strukturave jetësore të një vendi: njerëzit dhe politikanët, të cilët gjithmonë qëndrojnë PA LIDHJE mes tyre…
P.S.; Pa lidhje, është një nga shprehjet që i bën nder dialektit kosovar.
© Panorama.al












