Gjatë 45 viteve që ushtron një profesion, më së shumti mashkullor, ka kaluar në duar që nga orët me kurdisje, tek ato kineze e deri tek ato me diamante. Orëndreqësja Aneta Diamanti tregon të fshehtat e profesionit.
Ndonëse ka dalë në pension, shpirti nuk i ndahet nga profesioni. Puna e përditshme me orët rrotull, ku shumë syresh lypin dorën e saj për të riparuar defektet, për t’i shpëtuar hedhjes në koshin e plehrave apo ndonjë cepi të harruar të shtëpisë, janë angazhimi i ditës për sahatçijen e vjetër, Aneta Diamanti. Përgjatë 45 viteve të punës, nëpër duar ka kaluar lloj-lloj prodhimesh, nga orët kineze “Shangai” tek ajo më e shtrenjta, e lara në flori dhe e zbukuruar me diamante, e cila të zotit të saj i kish kushtuar plot 270 mijë euro. Nga orët e thjeshta me kurdisje dhe ato me bateri, tek ora e murit 100-vjeçare, të cilat nuk i kanë shpëtuar dot albumit me kujtimet më të bukura, nga puna e gjatë e Anetës, si orëndreqëse e vjetër këtu në kryeqytet.
Një orëndreqëse femër…si u gjetët në këtë profesion?
Këtë profesion e bën të veçantë fakti që kaherë ai është zotëruar nga meshkujt, ndërsa gjinia tjetër është plotësisht në minorancë. Janë shumë pak femra sot në Tiranë që ushtrojnë një profesion të tillë. Zgjodha të bëja orëndreqësen, sepse ky është një zanat i pastër, i përshtatshëm edhe për femrat, sepse besoj se ne i bëjmë punët me shumë merak, me përgjegjësi të plotë, jemi më të vëmendshme ndaj detajeve dhe i japim rëndësi çdo vogëlsie. Kjo më ndodhi edhe mua, kur sapo kisha mbushur 15 vjeç, bashkë me time më për dore shkojmë në “Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve” për të parë nga afër këtë lloj pune dhe për ta përvetësuar disa kohë më vonë. Shumë njerëzve u tërheq vëmendjen profesioni im…
E mbani mend orën e parë që keni riparuar?
Asnjëherë nuk kam për t’i harruar emocionet, të dridhurat e duarve… Isha shumë e re, edhe pse që në fillim më hyri në zemër ky zanat. Ditën e parë të punës shihja rrotull njerëz të veshur me përparëse të bardha, pjesa dërrmuese e tyre meshkuj. Dhe me kuriozitetin e një fëmije të klasës së parë, pashë profesorin Shefki Tufina, një nga sahatçinjtë më të vjetër dhe të njohur të Tiranës, se si i haptë orët, si vaiste ingranazhet, si i shihte me lupë plot vëmendje të gjithë hapësirat e orës. Dhe, duke i “vjedhur” metodikën atij, me kohë e përvetësova profesionin, derisa mora edhe kategorinë e shtatë, që ishte edhe e fundit.
Cilat janë sekretet e profesionit?
Përvoja 45-vjeçare ka bërë të veten. Orët kanë kategoritë dhe specifikat e tyre, janë me kurdisje, me bateri, mund të kenë defekte në qark, në bobina, ingranazhe, akrepa, zemrek…duhet shumë vëmendje dhe përqendrim. Edhe kaçavida nëse lëviz mund të bëhet shkas i një tjetër defekti, që e nxjerr jashtë përdorimit orën. Pastaj, të qëndruarit pa lëvizur mbi 10 orë në ditë, me kokën dhe sytë poshtë, është shumë e lodhshme, sfilitëse për një femër. Unë punoj me ora nga më të lirat, tek ato më të shtrenjtat, që kushtojnë disa mijëra euro, dhe më kësi orësh të dridhen duart që në momentin e parë që i prek, e jo më të punosh mbi to. Komunikimi me klientët është një tjetër problem, pasi unë përballem me kultura e mentalitete të ndryshme. Ka klientë që ngurrojnë të lënë orën për ta riparuar, nga frika se mos ju dëmtohet, mos ju humbet dhe mua më del detyrë që t’i bind me biseda të gjata që gjithçka është një marrëdhënie reciproke dhe në mirëbesim të plotë.
Cila ka qenë ora më e kushtueshme që keni ndrequr?
Ora më e shtrenjtë që më ka ardhur në dyqan, ka pasur një vlerë prej 270 mijë eurosh. Në pamje të parë ishte klient si gjithë të tjerët, por kur më tha shifrën e kur mora në dorë orën, nuk po u besoja syve. Ishte komplet e larë me flori, ndërsa në pjesën e fushës dhe në atë të zinxhirit kishte diamante. Kishte një defekt tek fileta, por unë nuk e mora dot përsipër. Ishte një specifikë e rrallë për punën time, nuk kisha parë si ajo filetë, përveç përgjegjësisë që ishte maksimale. E kisha të vështirë të punoja mbi atë orë që kushtonte aq shumë. Një tjetër orë e veçantë që më ka mbetur në mendje, ka qenë një orë “Rolex”, që kishte kushtuar 30 mijë euro. Ajo kishte një defekt në zinxhir, të cilin e riparova, me shumë kujdes dhe shumë vëmendje.
Shoh këtu në dyqan disa orë të vjetra muri… Ç’kohe i përkasin?
Ora e murit me të cilën po punoj momentalisht, i përket periudhës së Ali Pashë Tepelenës. Klienti më pohoi se është një orë e vjetër, por e trashëguar brez pas brezi. Zotëria e ka sjellë për një defekt në ingranazhe e që shpresoj ta zgjidh. Unë vetë kam një orë 100-vjeçare. Për një defekt që nuk kam mundur t’ia gjej zgjidhjen, ajo qëndron për zbukurim në mur.
Duket se ka edhe probleme të pazgjidhshme, apo jo?
Sigurisht, por kur zgjidhen ca raste që duken të pamundura, kënaqësia është shumë e madhe. Kisha një orë të vjetër kineze, e firmës “Shangai”. Një person i afeksionuar pas orëve kineze ma solli në dyqan, për ta riparuar. E kam hapur mbi 10 herë orën, i jam rikthyer për shumë ditë me radhë, derisa pas disa javësh munda të riparoj defektin që kishte te bobina. Klienti mbeti shumë i kënaqur, aq sa nuk dinte si të më falënderonte.
Po klientë speciale, personazhe publikë, vijnë në dyqanin tuaj për të ndrequr orët?
Kam disa të tillë. Një ditë më erdhi në dyqan Sajmir Kodra, të cilin e kishin adresuar për tek unë. Kishte një orë të shtrenjtë floriri, po shumë të bukur, e cila kishte një problem tek zinxhiri. Asnjë orëndreqës tjetër nuk ia kishte marrë përsipër. Pasi e pashë me vëmendje, e konstatova llojin e problemit, brenda pak minutave ia dhashë orën në dorë të rregulluar.
A ke menduar ta lësh trashëgimi profesionin tënd?
Pa dyshim që po… Kam tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Ky i fundit më ka vjedhur të gjitha hilet e zanatit dhe është bërë më profesionist se unë. Edhe pse kam dalë në pension, sërish ndiej nevojën për të punuar, për t’u marrë me orët, e falë Zotit puna ime nuk do të vdesë, sepse tashmë djali e ushtron si profesion.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











