Opozita thyen bojkotin, regjistrohet në KQZ

Mar 9, 2011 | 8:12

Partia Socialiste do të marrë pjesë zyrtarisht në zgjedhjet lokale të 8 majit.Përfaqësuesit e PS-së dërguan dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dokumentacionin për regjistrimin e partisë. Bashkë me PS, në KQZ mbërriti edhe dokumentacioni i mjaft partive të tjera të opozitës. Kështu, edhe Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit, G99 e Ervin Metes, Partia Socialiste e Vërtetë 91’ e Petro Koçit, Partia Ligj me Drejtësi e Spartak Ngjelës, Partia Bashkia për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules, por edhe një parti e gjelbër e Edlir Petana. Mësohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet ditën e sotme për të miratuar kërkesën e këtyre partive për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 8 majit.
Në këtë mënyrë, Partia Socialiste dhe aleatët e saj i japin fund bojkotit për zgjedhjet lokale duke hequr çdo dilemë, nëse PS mund të bojkotonte marrjen pjesë në to. Gjithsesi, PS dhe aleatët e saj ende nuk kanë plotësuar një sërë detyrimesh që kanë partitë e opozitës sipas Kodit Zgjedhor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale. Kështu, PS dhe PBDNJ ende nuk kanë dërguar në KQZ emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, që i takojnë opozitë sipas Kodit Zgjedhor. Në gjysmat e tyre, në 33 KZAZ opozita ka drejtimin, por anëtarët e së majtës nuk janë paraqitur ende. KZQ emëroi nga një anëtar në këto KZAZ, sa për të formuar kuorumin e nevojshëm për të pasur vendimmarrje në lidhje me procesin përgatitor të KQZ në këto zgjedhje. KQZ, në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar Partisë Socialiste dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të përmbushin detyrimin ligjor dhe të sjellin propozimet për anëtar dhe sekretar të KZAZ-ve. Në 33 KZAZ u emëruan me konkurs 33 anëtarë që i takojnë PS-së dhe në 33 të tjera u emëruan 33 sekretarë sa për të formuar kuorumin prej 4 vetësh, për të marrë vendimmarrjen.
Opozita ka vënë disa kushte për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Kështu, PS ka kërkuar siguri me listat e votimit, duke hequr çdo publikim apo problematikë me listat e votuesve. Një tjetër kërkesë është edhe siguria me kartat e identitetit. PS pretendon se kartat janë problematike dhe me to pati probleme edhe në zgjedhjet 28 qershorit, për të cilat kërkoi hetim parlamentar. Një tjetër kërkesë ka qenë edhe rikompozimi i KQZ-së. Aktualisht, ky institucion me 7 anëtarë ka tri anëtarë të opozitës dhe 4 të maxhorancës. PS ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani dhe emërimin në vend të tij të një figure tjetër, nga një palë tjetër. Sipas këtyre propozimeve, është thënë që Presidenti i vendit mund të propozojë kryetarin e KQZ-së. Por këto ndryshime do të kërkonin ndryshime të Kodin Zgjedhor.

KQZ, hapur deri në mesnatë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve qëndroi hapur dje deri në mesnatë për të respektuar nenin 64 të Kodit Zgjedhor, që u jep të drejtë partive politike të regjistrohen në KQZ 60 ditë para zgjedhjeve. Administrata e KQZ-së, sektori juridik ka qëndruar hapur deri në mesnatë për të pranuar çdo kërkesë të mundshme për regjistrim në KQZ. Gjithsesi, nuk pati raportime nëse ndonjë parti dërgoi dokumentet për regjistrim në orët e vota të mbrëmjes. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ: vërtetimin që partia
është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë; emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët.

Kandidatët

Mbeten edhe 3 javë kohë që partitë politike të bëjnë me dije emrat e kandidatëve. Deri tani asnjë forcë nuk ka shpallur kandidatët e saj zyrtarisht, por sipas Kodit Zgjedhor, kandidatë duhet të regjistrohen në KQZ 40 ditë para ditës së zgjedhjeve. Konkretisht, në fund të muajit mars partitë politike do të duhet të zbulojnë kandidatët e tyre nëse tentojnë të mbajnë ende fshehur emrat që do të garojnë për bashkitë dhe komunat e vendit. Gara më emocionale pritet të jetë Tirana dhe disa qytete kryesore, ku konkurrimi do të jetë i fortë.

Koalicionet

Grupimet e partive në koalicione do të mësohen pas 2 javësh. Sipas Kodit Zgjedhor, koalicionet duhet të regjistrohen 45 ditë para ditës së zgjedhjeve. Pritet që pjesa më e madhe e partive të grupohen në koalicione, kjo për shkak edhe të lehtësirave që ofron Kodi i ri Zgjedhor. Partitë e vogla janë të interesuara të jenë në koalicione për ndarjen e këshillave të komunave dhe bashkive, për shkak të përpjesëtimit që u bëhet ndarjes së mandateve që çdo parti mund të fitojë.

Erald Kapri

 

Partite e regjistruara

Partia Socialiste, PS
Partia Socialdemokrate, PSD
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, PBDNJ
Partia G99
Partia Socialiste e Vërtetë 91, PSV 91
Partia Ligj me Drejtësi, PLD
Partia Demokracia Sociale, PDS
Partia e Gjelbër
Partia Demokratike, PD
Partia Republikane, PR
Lëvizja Demokristiane, LDK
Partia e Ballit Kombëtar, PBD
Partia e Ballit Kombëtar Demokrat, PBKD
Partia Lëvizja e Legalitetit, PLL
Partia Bashkimi Liberal Demokrat, PBLD
Partia MEGA
Partia Aleanca Demokratike, PAD
Partia Aleanca Maqedonase për Integrim Europian, AMIE
Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI
Partia Lëvizja e Punëtorëve Shqiptarë, PLPSH
Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet, PDIU
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë, PMDPSH
Partia Ardhmëria Shqiptare, PASH
Partia Reformatore Demokratike e Shqipërisë, PRDSH
Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë, ADK
Partia e Pajtimit Kombëtar Shqiptar, PPK
Partia Demokrate për Integrim dhe Prosperitet, PDIP
Partia Socialiste e Moderuar, PSM
Partia Demokristiane e Shqipërisë, PDK
Partia Demokracia e Re Europiane, PDRE
Partia e Çështjeve Shqiptare, PÇSH
Partia Komuniste e Shqipërisë
Partia Aleanca Kombëtare
Partia Konservatore Shqiptare
Partia e Reformave Demokratike Shqiptare
Partia “Forca Albania”
Partia e të Drejtave të Mohuara – e re
Partia “Aleanca Demokratike Shqiptare”
Partia Ora e Shqipërisë
Partia “Aleanca Për Europën”
Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë
Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë
Partia e Punës e Riorganizuar e Shqipërisë
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

© Panorama.al

Te lidhura