Rebelët libianë kanë hedhur mortarë dhe predha në përleshje sporadike me forcat e Muamar Gedafit në Sirte, qytetin e tij të lindjes.Ndërsa rebelët përpiqeshin të avanconin drejt perëndimit, për t’iu afruar më shumë Tripolit, Gedafi ka dërguar forcat e tij speciale, të cilët kanë frenuar përparësinë e rebelëve dhe nuk i kanë lejuar të marrin Sirten, një nga qytetet që konsiderohet si baza kryesore e Gedafit dhe “zemra” e tij. Kështu. rebelët, të ndihmuar nga forcat ndërkombëtare, kanë mundur të marrin vetëm qytetin e Naufalijahut të hënën. Avionët francezë kanë bombarduar një qendër komande të trupave besnike të Gedafit, të hënën, në orët e para të mëngjesit. Sipas një zëdhënësi të ushtrisë franceze, “Ka pasur bombardime në këtë komandë 10 km në jug të Tripolit”, tha Thierri Burkhard. Forcat ajrore të koalicionit perëndimor kanë bombarduar edhe në mjetet ushtarake në qytetin e Sirtes, ku po zhvillohen ende luftime të ashpra mes forcave qeveritare dhe rebelëve. Edhe Sirte konsiderohet një nga qytete e rëndësishme për burimet e naftës në Libi, përveçse edhe qyteti i lindjes së Gedafit. Dëshira për të marrë Sirten u rrit pas entuziazmit të rebelëve, kur një ditë më parë, të ndihmuar nga bombardimet ajrore të forcave të koalicionit dhe pa pasur nevojë për të kryer beteja në tokë, arritën të marrin qytetet strategjike të prodhimit të naftës, si Ras Lanuf, Brega, Uqaila dhe Bin Javad. Ndërkohë, kreu i NATO-s, Andus Fog Rasmusen, ka deklaruar se synimi kryesor i misionit të NATO-s është që të mbrojë civilët dhe jo të shkaktojë viktima të tjera. Reagimi i Rasmusen erdhi pas rritjes së shqetësimit në vendet afrikane, të cilat i kanë besuar deklarata e Gedafit, se bombardimet e koalicionit kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra civilëve. Pas kalimit të kompetencave të plota të misionit tek NATO-ja, kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, është ofruar si ndërmjetësues për të arritur sa më parë të jetë e mundur armëpushimin mes palëve, për të evituar që Libia të shndërrohet si Iraku apo Afganistani. Në një intervistë për britaniken “Guardian”, Erdogan tha se tashmë ekzistojnë kontaktet me delegatët e Gedafit dhe eksponentë të Këshillit Nacional në Benghazi. Turqia do të marrë edhe kontrollin e portit të Benghazit, për të menaxhuar ndihmat humanitare. Ndërkohë, Katari u bë shteti i parë arab që njeh zyrtarisht Komitetin rebel, si autoritet përfaqësues të Libisë. Një zëdhënës i qeverisë njoftoi se Katari nuk njeh më legjitimitetin e qeverisë së Gedafit, ndërsa do të bisedojë në të ardhmen vetëm me Këshillin Kombëtar, autoritet që drejtohet nga forcat antiqeveritare. Katari është vendi i dytë, pas Francës, që ka njohur ligjërisht strukturat paralele të rebelëve.
Sarkozi, Kameron: Gedafi të ikë
Sipas presidentit francez Nikolas Sarkozi dhe kryeministrit britanik David Kameron, lideri libian, Muamar Gedafi, duhet të lërë pushtetin dhe t’i hapë rrugë një tranzicioni të menjëhershëm në Libi. Liderët po kërkojnë një zgjidhje të pranueshme jo vetëm për katër vendet më të mëdha europiane, por nga të gjithë aleatët. Sot në Londër pritet që të merret ky vendim, ku të gjitha palët ndërkombëtare do të diskutojnë për Libinë.
Lavrov: Ndërhyrja e NATO-s nuk përfshihet në rezolutë
Rusia ka kritikuar ndërhyrjen e NATO-s në misionin në Libi për të mbrojtur civilët. Sipas ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ndërhyrja e Aleancës Veriatlantike në luftën civile në Libi nuk është e autorizuar nga rezoluta 1973 e OKB-së. “Ne konsiderojmë se ndërhyrja e koalicionit në atë që thelbësisht është luftë civile në Libi, nuk është autorizuar nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka deklaruar Lavrov.
Vajza e përdhunuar mbahet peng në rezidencën e Gedafit
Prindërit e Iman al-Obeidi, vajzës së përdhunuar nga djali i një oficeri të lartë të Gedafit, po mbahet peng në rezidencën e liderit libian, pasi u arrestua një ditë më parë nga forcat e tij të sigurisë. Kështu deklaruan prindërit e saj. Të dielën, në hotelin “Rixos Al Nasr” në Tripoli, ku po qëndrojnë gazetarët e huaj, ka hyrë brenda një grua e terrorizuar, duke deklaruar se ishte përdhunuar dhe torturuar nga djali i një zyrtari të lartë të Gedafit.
© Panorama.al











