Operacioni “Pesëkëndëshi”, pranga grabitësve të çantave të grave

Mar 17, 2011 | 11:05

SHKODËR – “Pesë-këndëshi” i policisë kap një grup kriminal prej 5 personash, të cilët akuzohen nga policia për një sërë grabitjesh të kryera në kohë dhe vende të ndryshme në qytetin e Shkodrës. Sipas informacioneve të Policisë së Shkodrës bëhet e ditur se pas një pune intensive gati 2-mujore, është bërë e mundur mbledhja e informacioneve dhe provave konkrete që janë konkluduar me arrestimin e 5 personave, të cilët ishin kthyer në tmerrin e qytetarëve të ndryshëm, e kryesisht femrave, duke u grabitur çantat. Dy prej të arrestuarve nuk janë banues të qytetit të Shkodrës, por kishin zgjedhur këtë qytet për të kryer veprimtarinë e tyre kriminale, ndërsa 3 të arrestuarit e tjerë janë adoleshentë, të cilët edhe ata ushtronin të njëjtin aktivitet kriminal, atë të vjedhjes. Sipas policisë së Shkodrës, të parët që janë kapur në flagrancë kanë qenë “jabanxhinjtë” Gentian Emini, 28 vjeç, banues në Kavajë dhe Ali Muça, 20 vjeç, banues në Peqin. Këta dy shtetas janë zënë në flagrancë në orët e para të së martës, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë vjedhur çantën e dorës një gruaje në lagjen “3 Heronjtë”, e cila ishte nisur për të shkuar te furgonët e Tiranës. Në orët në vazhdim janë arrestuar dhe tre 17-vjeçarë, me akuzën e vjedhjes së çantës së një gruaje dhe mjetet e punë snë një punishte në lagjet e Shkodrës.                   r.d

© Panorama.al

Te lidhura