Në materialin prej 14 faqesh vlerësohet se KQZ-ja është e ndarë sipas linjave partiake dhe anëtarët e opozitës në disa mbledhje nuk kanë marrë pjesë ose janë larguar gjatë zhvillimit të tyre. Në Raportin e Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vlerësimin e Nevojave, i cili mban datën 8 shkurt, thuhet se “me gjithë detyrimin e anëtarëve të KQZ-së për të përmbushur detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, përgatitjet për zgjedhjet vendore tashmë e kanë ndarë KQZ-në në linja partiake. Anëtarët e opozitës në KQZ nuk kanë marrë pjesë në disa mbledhje të KQZ-së ose i kanë braktisur ato, dhe praktika e nënshkrimit të udhëzimeve, si nga Kryetari, ashtu dhe nga Nënkryetari duket se nuk ekziston më”. Për sa i përket Kodit Zgjedhor, raporti vlerëson se procedurat e emërimit të anëtarëve të komisioneve të niveleve të ulëta nuk kanë ndryshuar nga ato të dy viteve më parë, por shton se kjo u jep mundësi partive të ndryshojnë anëtarët në çdo moment gjatë zgjedhjeve. “Disa prej partive me të cilat u takua MVN-ja e OSBE/ODIHR-it e mbrojtën këtë praktikë, si dhe emërimin fillestar me vonesë të anëtarëve, si mënyrë për të mbrojtur anëtarët e tyre ndaj trysnive për të kryer mashtrim”, theksohet më tej në raport. Misioni i OSBE/ODIHR, i cili ka zhvilluar takimeve me kryeministrin Berisha, kreun e opozitës, Edi Rama dhe përfaqësues të KQZ-së vlerëson pozitivisht faktin që partitë nuk kanë ngritur si çështje shqetësuese dokumentet e identifikimit me të cilat do të votojnë zgjedhësit. “Ndërmjet partive politike ka mbetur ende një nivel i lartë polarizimi dhe mosbesimi. Megjithëse në përputhje me Kodin Zgjedhor, vendimet e KQZ-së për asgjësimin e fletëve të votimit dhe për arkivimin e listave të zgjedhësve u morën me një shumicë të thjeshtë, pa pranimin e anëtarëve të emëruar nga opozita”, vijon më tej dokumenti i Misionit. Gjithashtu raporti thekson se asnjëra prej partive që ka të drejtë të propozojë anëtarë në KZAZ, nuk e ka bërë këtë brenda afatit ligjor që ishte data 23 janar. Në pjesën e rekomandimeve, OSBE/ODIHR shton se do të jenë 30 vëzhgues afatgjatë për monitorimin e zgjedhjeve lokale si dhe 400 vëzhgues afatshkurtër për ditën e votimit.
Raporti i ODIHR
. Megjithë detyrimin e anëtarëve të KQZ-së për të përmbushur detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, përgatitjet për zgjedhjet vendore tashmë e kanë ndarë KQZ-në në linja partiake. Anëtarët e opozitës në KQZ nuk kanë marrë pjesë në disa mbledhje të KQZ-së ose i kanë braktisur ato, dhe praktika e nënshkrimit të udhëzimeve si nga Kryetari, ashtu dhe nga nënkryetari duket se nuk ekziston më.
. Disa prej partive me të cilat u takua MVN-ja e OSBE/ODIHR-it e mbrojtën këtë praktikë (zëvendësimin e komisionerëve) si dhe emërimin fillestar me vonesë të anëtarëve, si mënyrë për të mbrojtur anëtarët e tyre ndaj trysnive për të kryer mashtrim.
. Ministria e Brendshme u kërkon të gjitha NJQV-ve të rishikojnë saktësinë e të dhënave për të gjithë votuesit mbi 100 vjeç, emrat e të cilëve janë në regjistër. Me gjithë këto përpjekje, disa bashkëbisedues të MVN-së së OSBE/ODIHR-it përsëri ngritën shqetësime për saktësinë e listave të zgjedhësve.
. Ndërmjet partive politike ka mbetur ende një nivel i lartë polarizimi dhe mosbesimi.
. Asnjëra prej partive që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë në KZAZ nuk e ka bërë këtë brenda afatit ligjor që ishte data 23 janar.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











