Rreth 39 % e grave shqiptare janë mbipeshë ose obezë. Përkatësisht 30% e tyre janë mbipeshë, ndërsa 10 % obeze. Referuar të dhënave të studimit, me rritjen e moshës shtohet edhe ky problem. Ndërkaq, vihet re një diferencë mes femrave në këtë pikë, sa i përket edukimit. Ato me nivele të larta shkollimi i kushtojnë më shumë rëndësi peshës trupore. Kjo gjë ndodh më pak te gratë “shtëpiake”. Te meshkujt përqindja e të qenit mbipeshë është goxha më e lartë. Këtë problem e kanë 53 % e tyre, krahasuar me 39 % të femrave, por, nga ana tjetër, ata kanë më pak risk se femrat për t’u bërë obezë. Ndërsa 10 % e femrave shqiptare janë obezë, vetëm 9 % e meshkujve konsiderohen të tillë. Mbipesha dhe obeziteti vitet e fundit po konsiderohet shqetësuese edhe te fëmijët. “Janë studime që janë bërë nga Instituti i Shëndetit Publik për obezitetin tek fëmijët, ku është parë që përqindja e obezitetit në moshat fëminore, pra deri në 9- vjeçare, shkon diku tek 13 %. Ne kemi të dhëna të pjesshme nga disa studime që janë bërë në rrethin e Tiranës, ku kemi parë që nga obeziteti dhe nga mbipesha vuajnë gati 40 % e popullatës që jeton në Tiranë. Janë shifra të cilat janë më të larta se sa të vendeve përqark nesh, po të marrim parasysh Greqinë, Italinë, Spanjën”, shprehen mjekët specialistë. Faktorët thonë mjekët janë të ndryshëm, që nga mënyra e të ushqyerit e deri tek jeta sedentare që kanë filluar të bëjnë shqiptarët. Mjekët rekomandojnë sa më shumë lëvizje në dite pa makina.











